Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, në një intervistë në Klan News foli për zhvillimet e fundit politike në vend.
Duke komentuar zgjedhjet në PD për kryetarin e partisë, Salianji deklaroi se nuk e përjashton kandidimin. Ai shtoi se megjithatë mendon se nuk ka rregulla loje në Partinë Demokratike, në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të partisë.
“Nuk e përjashtoj kandidimin për kryetar të PD-së. Nuk ka rregulla loje. Nuk ka meritokraci sot në Partinë Demokratike. Demokratët kanë shprehur shqetësimet në Foltoret e PD-së. PD sot nuk ka kandidatët për zgjedhjet lokale të 2027-s, nuk ka mënyrën sesi do zgjidhen kandidatët, nuk ka ende drejtuesit në disa zona, që do drejtojnë fushatën në disa bashki. Shqetësimi im është si ta bëjmë PD-në fituese, jo si të mbajmë disa njerëz me privilegje. Unë dua që PD dhe Shqipëria të bëhen demokratike. Nuk duhet të therim njerëzit që kemi kundër, kjo e thënë figurativisht patjetër. Berisha e mori PD-në me forcë. Nuk më ka shkuar asnjëherë mendja që të krijoj një forcë tjetër politike, sepse unë jam anëtar i PD-së dhe më lejohet dhe të kandidoj për kryetar partie. Protestat e PD-së nuk janë për ta rrëzuar Ramën, por për të mbajtur status quo-në në Partinë Demokratike. Unë çdo gjë e bëj për interes publik”, tha Salianji.
I pyetur nga moderatori Besard Jacaj për largimin e disa figurave të njohura politike prej tij, mes tyre dhe Ilir Alimehmeti, Salianji u shpreh se për të, kjo gjë nuk është aq problem. Sipas Salianjit, idetë e tij mbështeten nga demokratët.
“Në takimet e para të miat, kafet e famshme, kanë qenë mbi 30 pjesëmarrës. Unë iu qëndrova atyre që kam thënë. Shqetësimet që ngrihen për demokratët nuk i kundërshton askush. Askush nuk ngre dot pyetjen se a fitohen zgjedhjet me Sali Berishën kryetar? Berisha tha se këtë herë Rama nuk do vidhte zgjedhjet, por sërish humbi. PD humb zgjedhjet sistematikisht që nga 2013. Lidershipi i Partisë Demokratike duhet të reflektojë. PD nuk e di saktësisht sesa e ka anëtarësinë e saj. Partia Demokratike avantazh ka epërsinë morale ndaj qeverisë, por as këtë nuk e shfrytëzon. Në PD po masakrohet anëtarësia. Hiqen ato anëtarë që nuk janë dakord me lidershipin. Nuk ka rregulla loje”, deklaroi Salianji.
Në fund, Ervin Salianji tha se dëshiron që të shikojë një opozitë sa më të bashkuar.
“Dënimi im është për denoncim publik. Unë nuk jam dënuar për korrupsion që të mos më lejohet kandidimi. Dënimi për herë të parë me burg për këtë vepër penale ka qenë për mua, pra e konsideroj dënim diktatorial. Lëvizja ime është brenda PD-së, unë kam kontakte me të gjithë forcat politike në vend. Është jetike që gjithë opozita të bashkohet. Komunikimin e fundit me Berishën e kam pasur në mbledhjen e Kryesisë”, përmbylli Salianji.
Kryesia e Partisë Demokratike më 16 mars mori një sërë vendimesh sa i përket riorganizimit të saj. Në mbledhjen e zhvilluar në selinë blu u vendos që më 23 maj të zgjidhet kryetari i partisë.










