Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar turin e tij të takimeve me bazën e mbështetësve të Partisë Demokratike, duke u ndalur këtë herë në qytetin e Lezhës, ku mbajti një fjalim kritik ndaj lidershipit të PD-së dhe mënyrës se si po trajtohen demokratët.
Salianji theksoi se shqetësimi kryesor nuk janë vetë demokratët që reagojnë, por lidershipi që nuk i dëgjon dhe nuk prodhon ide për t’i përfaqësuar ata. “E shohim si 5 fantastikët që rrinë në lidershipin e PD nuk dëgjojnë shqetësimet e demokratëve. Shqetësim janë ata që nuk dëgjojnë, jo demokrati i thjeshtë, është lidershipi që nuk dëgjon demokratët, nuk është shqetësim pse mblidhemi nga salla në sallë me shumë, por shqetësim është pse lidershipi i PD është braktisur. Shqetësim nuk janë idetë tona, por është mungesa e ideve të tyre që po braktisin demokratët,” u shpreh ai.
Ai kritikoi ashpër lidershipin e PD-së, duke e përshkruar si të larguar nga baza dhe të fokusuar te privilegjet e veta, ndërkohë që demokratët vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur për ndryshim. Salianji theksoi se forca e PD-së vjen nga vota dhe mbështetja e anëtarësisë, dhe se asnjë lider nuk mund të pengojë bashkimin e demokratëve për të sfiduar qeverinë aktuale.
“Çfarë është ky lidership që kërkon të bëhet tigër me demokratët dhe mace përballë qeverisë? Demokratët janë të fortë, rrinë në këmbë dhe nuk ka forcë që ndalon bashkimin e tyre,” përfundoi Salianji.
Ervin Salianji iu përgjigj nga Lezha deklaratave të Sali Berishës se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga Kryesia e PD.
Salinji tha se Statuti i PD nuk njeh përjashtim për mendimin ndryshe.
Mesazhi i Salianjit ishte për Berishën duke i kujtuar se Statuti i PD parashikon largimin e lidershipit kur humb zgjedhjet.
Ervin Salianji: Shqetësim janë ata që duan të përjashtojnë demokratët se nuk japin llogari. Ne duam të largojmë Edi Ramën. Ne kërkojmë zgjidhnje, fatkeqësisht lidershipi jonë kërkon privilegjeve. Ne do ta ndryshojmë PD-në, asnjë nuk na largon ne, asnjë forcë përveç forcës që vjen nga vota, nga demokratët, nga mbështetja.
Ç’është ky lidership që kërkon të bëhet tigër me demokratët, mace me qeverinë? Anëtarësia përjashton lidershipin me votë dhe jo e kundërta. Kërkojmë të largojmë Ramën, lidershipi i PD bën sikur sillet si tigër me demokratët, por pas çdo palë zgjedhje bëjnë mjau-mjau përballë qeverisë. Ç’është kjo? Demokratët nuk ka forcë që i ndalon, demokratët janë të fortë për t’u përballur, nuk ka forcë që e ndalon bashkimin e demokratëve në çdo cep të Shqipërisë nëse vendoset në themel meritokracia. Edi Rama nuk mundet duke përjashtuar demokratët, por duke krijuar garë, votë, mundësi për të ecur përmes meritës, këto duhet të prevalojnë në partinë tonë.
Akush nuk na largon nga PD. Ne kemi pyetjen e thjeshtë. Çfarë ju pengon ju “pesëshja” e lidershipit që ta bëjmë PD-në fituese? Sepse lidershipi është në pushtetin e opozitës. Por në vend që të përdoret pushteti për të shkatërruar PD-në dhe demokratët, duhet të përdoret pushteti për të larguar Edi Ramën.
Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe, PD është demokratizuar me statut. Statuti të largon vetëm për një arsye, jo nga mpartia, por të largon nga lidershipi nëse humbet zgjedhjet. PD e ka fuqinë për të përfshirë njerëz të rinj”- tha ai.
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit të tij, Salianji theksoi rëndësinë e mesazhit që qytetarët i japin Partisë Demokratike dhe opozitës në përgjithësi. “Kjo sallë është mesazh për një sistem që po bie nën peshën e korrupsionit të vet, por është edhe një mesazh për ne, sepse njerëzit presin më shumë nga PD: guxim, qartësi dhe fitore,” u shpreh ish-deputeti, duke e cilësuar takimin si një mbrëmje frymëzuese për demokratët e Lezhës.
Salianji bëri thirrje për bashkim të demokratëve dhe të gjithë popullit opozitar rreth PD-së, duke nënvizuar nevojën për rotacion dhe për të rikthyer normalitetin në vend. “Të bashkojmë demokratët, popullin opozitar rreth saj, të sjellim rotacionin. Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim pa frikë, pa ndalim. Koha e ndryshimit ka ardhur dhe nuk do ndalojmë asnjë moment. Ky është premtimi im para jush,” përfundoi ai, ndërsa i dha fund fjalës me brohorima dhe mesazhe për fitore.











