Nga Mero Baze
Paniku i së dielës në mbrëmje nuk është një panik i shkaktuar nga nevoja për klikime në portale, por nga një skenar politik. Mbrapa lajmit nuk qëndron as ai reporteri i shkretë që kanë ndaluar, as redaktorët formalë të portalit në fjalë, por një përpjekje perverse politike për të shfrytëzuar ankthin e shkatuar nga tërmetet, në një panik që mund të destabilizonte situatën.
Pikë së pari, duhet çmontuar alibia e një lajmi për klikime, që e hodhi i pari portali në fjalë, sapo pa efektin e lajmit të rremë.
Ata qindra mijëra njerëz që vrapuan të ikin nga shtëpitë me kalamaj e pleq në makina, nuk e kanë klikuar lajmin, por e kanë dëgjuar nga miq, të afërm, komshinj, njerëz në rrugë etj.
Askush nga ata nuk ka klikuar portalin dhe as portali nuk e ka pasur këtë qëllim. Qëllimi ka qenë të shpërndahet një lajm që ngjall panik, duke theksuar në kokë të lajmit dy gjëra thelbësore, “Tërmet i madh” dhe “Dilni nga shtëpia në ora 23 30”.
Këto dy elementë janë të mjaftueshëm për panik, pasi jepet një orë konkrete dhe në klimën e ankthit që kishte pushtuar kryeqytetin, kjo ishte benzinë mbi zjarr.
Lajmi nuk është hedhur në treg për klikime, por për panik, për trazira, dhe mbi të gjitha, për të futur situatën në kolaps. Është thjesht një operacion politik dhe jo gazetaresk.
Pas operacionit qëndrojnë qartazi Sali Berisha dhe Ilir Meta.
I pari, Sali Berisha, e ka portalin pronë joformale të familjes së vet. Portali në fjalë financohet në të zezë prej vitesh dhe nuk ka asnjë mundësi të demonstrojë burimet financiare, por mund të tregojë vetëm adresën tek pallati i Ilir Metës tek Dogana, dhe ndonjë ish- drejtor Tatimesh dhe ish- kryetar bashkie, që i paguajnë haraçet e postit të dikurshëm, Shkëlzenit. Çim Peka nuk është as financues, as drejtues i asaj medie, por është zgjedhur si idiot, që të jenë të gjithë në rregull.
Ideatori i lajmit është Sali Berisha dhe në shpjegimet e tij të sotme, ai ka rrëfyer me hollësi se si e ka prodhuar lajmin. Ai përveçse njeh çdo reporter anonim brenda portalit të familjes së tij, tregon dhe se si ka “lindur” lajmi, duke marrë shkas nga një intervistë e një mitomani grek në Top Channel, i cili në fakt nuk ka dhënë as paralajmërime, dhe për më tepër ndonjë orë kur mund të bjerë tërmet.
Rrëfimi i Berishës zbërthen qartë vëmendjen me të cilën ai i është përkushtuar ndërtimit të lajmit për panik.
“Ky akt kriminal, atentat ndaj shtypit te lire u ndermor sepse ata ritransmetuan nje lajm, te cilin i pari e kishte dhene Tele Blushi, ne te cilin njoftohet se nga motet e medha qe shoqerojne termetet mund te kete edhe permbytje”, shkruan Berisha, i cili duket sikur punon redaktor në tavolinën e portalit.
Në fakt, Top Channel as ka dhënë ndonjë lajm të tillë, as ka caktuar ndonjë orë, por ka transmetuar intervistën e mitomanit grek, që thotë gjithë gjërat që dihen për tërmetet, dhe i quan si zbulime.
Lajmi i pilotuar për panik, është shoqëruar në sfond nga deklarata të LSI, që vazhdojnë kërkojnë llogari pse nuk është marrë seriozisht paralajmërimi idiot i Ilir Metës për tërmetin, për të krijuar kështu sfondin e një përgjegjësie qeveritare për gjendjen e shkaktuar pas tërmetit.
Lajmi është pilotuar pikërisht në këtë kontekst, në kulmin e ankthit të qytetarëve dhe duke përdorur në sfond fajin që ka qeveria, që nuk beson se Ilir Meta parashikon tërmete.
Ai është i gjithë një produkt politik dhe nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë, apo raportimet gazetareske. Ai nuk ka lidhje as me klikimet dhe as me mendjelehtësi reporterësh, por me gjakftohtësi kriminelësh politik.
Si i tillë, nuk është rasti të gjykojmë disa reporterë, por autorët e vërtetë të tij, që janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, ata që nuk nxorrën dot në shesh 2 mijë veta për të përmbysur qeverinë dhe menduan se erdhi ora të hakmerren ndaj popullit që nuk i shkon pas.
Dje, më së fundi ata patën disa orë të lumtura, kur panë se ligësia funksionoi dhe ata i panë shqiptarët nën pushtetin e terrorit të tyre politik, duke vrapuar në panik.
Natyrisht që ëndrra e tyre është sikur t’i kishin nxjerrë në rrugë për hallin e tyre. Por meqë kësaj nuk ja arritën dot, duken të kënaqur që i nxorrën në rrugë nga ligësia e tyre dhe urrejta për shqiptarët, që nuk u shkojnë pas, por që ata arritën t’i vënë përpara si delet.