Që nga fillimi i ndërtimi të murit në afërsi të urës mbi lumin Ibër, në pjesën veriore të Mitrovicës, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thanë se ky mur do të rrënohet.
Ata e cilësuan ndërtimin e tij si një veprim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër.
Për më të tepër, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se ngritja e një muri në veri të Mitrovicës është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Ajo deklaroi se Qeveria e Kosovës do të veprojë për të ndaluar këtë ndërtim ilegal dhe për të mposhtur logjikën e mureve dhe barrikadave që janë në kundërshtim me Ligjet e Kosovës dhe standardet e BE-së për lëvizjen e lirë.
Megjithatë ende nuk ka një përgjigje konkrete nga Bashkimi Evropian në lidhje me ndërtimin e këtij muri, raporton Tribuna Channel.
E kontaktuar nga Tribuna Channel, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanqiq iu ka shmangur pyetjeve kur është pyetur se a ka qenë ndonjëherë muri pjesë e dialogut në Bruksel dhe cili është roli i Bashkimit Evropian në këtë rast.
Ajo është pyetur edhe për protestat kundër murit si dhe me provokimet që po i bënë Serbia Kosovës. Kocijanqiq nuk është përgjigjur as në lidhje me atë se a do të ndërhyjë BE në këtë proces , pasi që është ndërmjetësues i dialogut. (b.an)