Në një kohë kur të gjithë përpiqen të largohen nga vendi, Daniel Xhavara është rikthyer nga emigrimi në Peshkëpi të Vlorës, ku ka nisur një biznes mjaft të veçantë, mbarështimin dhe rritjen e kërmijve.
Eksperienca e gjatë në emigrim nga Europa në Kanada dhe bërja e shumë lloj punësh, bëri që në fund Danieli të zgjedhë biznesin që ka nisur ta dojë dhe ta bëjë me shumë dëshirë. Rreth 1 hektar tokë ai ia ka dedikuar kërmijve, duke i ndarë në maternitet dhe zonën e rritjes. “Kemi 16 bokse, janë pothuajse bio. Kanë lakra, çikore dhe panxharë që janë baza e tyre për ushqim, ku marrin edhe shijen”, thotë Xhavara për A2 CNN.
Fermeri i veçantë tregon edhe për përdorimin e kërmijve dhe biznesin që bën me Italinë, duke synuar edhe vende të tjera të BE-së. “Italia është më kryesorja. Për të ngrënë dhe për kremra dhe ilaç kundër ftohjes, artritit, lëkurës, një tjetër për aknet në fytyrë”.
Si çdo biznes, dëshira është për ta zgjeruar aktivitetin, por kërkon edhe ndihmën e shtetit, si dhe për të treguar se në fshatrat e Vlorës nuk mbillet vetëm hashash. “Gjithë këto shpenzime i kam bërë vetë. Pse jo, Vlora të ketë një gjë pozitive, për t’i dhënë këtyre fshatrave një frymë pozitive. Nuk është vetëm hashashi këtej, ka gjëra të tjera plot”.
/a.r