Refik Halili ka reaguar për dhunën e drejtuesve të Tiranës ndaj atyre të Partizanit. Ai justifikohet në një intervistë për Panorama Sport, duke thënë se janë provokuar. Por Halili nuk eshte bere fare pishman per dhunen verbale e fizike ndaj Dervishit. Madje me nje gjuhe qe te le per te deshiruar, ai shton se dajaku duhet t’i behet mesim…
Kur jemi një ditë pasi ka përfunduar gjithçka dhe jeni edhe më i qetë, sipas gjykimit tuaj, çfarë ka ndodhur në fund të takimit?
Sa i përket asaj që ndodhi në fund të takimit, unë mund të them në fillim që jam kundër dhunës. Kategorikisht kundër saj! Së dyti, jemi duke parë me kujdes të gjithë pamjet dhe fotografimet e kujtdo që na i ka vënë në dispozicion (për të cilat falënderoj këdo që na i ka mundësuar), në bazë të të cilave do të bëjmë edhe një analizë të thellë e të kujdesshme, ku do të marrim masat tona në lidhje me shkeljet apo ndonjë gjë që nuk i përket futbollit.
Sipas jush, pse agravoi situata deri në atë pikë?
Përpara se të them arsyet përse ndodhi e gjithë kjo, në fillim dua t’i uroj shërim të shpejtë drejtorit të Klubit Partizani, Dritan Dervishit. Këtë e them me shpirt, pasi nuk dua të shoh askënd të mërzitur, e jo më të gjakosur. Por ka disa gjëra që nuk i kemi në dorë…
Unë mendoj që erdhëm deri në këtë pikë për shkak se Dervishi në shumë raste prej disa muajsh po e sulmon Tiranën, në mënyrën më të keqe. Dhe kur kalon një periudhë kohe, nuk t’i fal njeri dhe nuk t’i harron njeri. Unë nuk jam pro dhunës e as për të dëmtuar njeri, dhe as për të goditur e për të shqetësuar askënd.
Ama, Dervishi nuk e ka marrë dhe nuk ka dashur që ta marrë përgjigjen në rrugë të tjera, edhe pse mund t’i kenë thënë shumë njerëz: “Çfarë po bën”, por e mori në mënyrën më të keqe.
Gjithsesi, le t’i bëhet edhe mësim. Nëse e analizojmë, është njeriu që ka folur fjalë të këqija kundër klubit të Tiranës. Tirana është me një histori të madhe, është klub legjendë dhe me shumë trofe që i kanë fituar breza e breza për vite të tëra lojtarësh e drejtuesish dhe të dalë një njeri si Dervishi e ta përdhosë emrin e klubit, nuk i ka bërë ditët.
Po thoni që gjithçka është e akumuluar me kohën?
Së pari, deklaratat e drejtuesve të Partizanit në shumë e shumë ndeshje të kaluara kanë qenë shumë të rënda, ndërkohë që në këtë ndeshje që pësuan një rezultat që nuk u shkon për shtat, bëjnë të tilla sjellje. Në lidhje me këtë, u bëj thirrje që duhet të jenë të kujdesshëm me çdo deklaratë që japin. Kushdo që është pjesë e një skuadre.
Kjo do të thotë që Tirana ka nisur çdo gjë, pasi e ka pasur të akumuluar?
Më lini të mbaroj. Në momentin që autobusi i skuadrës është afruar në stadium, i është zënë pritë dhe është goditur e dëmtuar. Megjithatë, këtë gjë unë e kam mësuar pas ndeshjes dhe më erdhi keq për këtë veprim.
Zoti Halili, është akuzuar për organizim të dobët të takimit…
Po, në këtë pjesë dua të shtoj një element. Më është thënë që ka njerëz jashtë, ndërkohë që nisi ndeshja dhe kam thënë të futen edhe pa bileta. Vetëm që të jenë në stadium.
Është parë drejtori i stadiumit që zbret në pistë dhe hedh edhe një flakadan drejt tifozëve. Komenti juaj?
Atij nuk i takon që të shkojë atje, por kur pa flakadanin drejt fushës u afrua për të ndihmuar punonjësit që i largonin prej aty. Në atë moment, në gjaknxehtësi e sipër që për të është krejtësisht e pafalshme dhe ne do të marrim masat tona sepse nuk jemi kafshë, por njerëz. Veprimi i tij i ndaluar ishte që pasi i gjuajtën, ua hodhi tifozëve mbrapsht. Megjithatë, tifozi për mua ka gjithmonë të drejtë. Vetëm ai ka të drejtë, sipas meje, dhe është i shenjtë. Por, edhe ato duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kontrollojnë vetveten. Këtë e them për cilindo tifoz të cilësdo skuadër. Në këtë moment më lini të ngre unë pyetje.
Ç’punë ka drejtori Dervishi që të bëjë ofendime kundrejt këtij personi, i cili është edhe burrë mbi 60 vjeç. Dervishi shkon dhe i fut duart në fyt dhe e ofendon me fjalët nga më banalet.
Përse duhet të bëhet protagonist gjithmonë Dervishi? Përse duhet të shkojë në mesin e fushës për të provokuar, veprim që e ka bërë edhe në ndeshje të tjera. Ç’punë ka ai që shan lojtarët tonë, ndërkohë që po lëviznin në fushë? Di të them që ishte protagonist për të mbajtur vendin e punës, por i bëj me dije se nuk mbahet me dhunë. Nuk mbahet duke provokuar tifozërinë e Tiranës, e as duke provokuar me deklarata.
Pamjet tregojnë drejtorin Muka që godet një nga punonjësit e Partizanit. Cili është komenti juaj?
Është hera e parë që e shikoj dhe është e pafalshme për drejtorin Sportiv, siç është ai, që të bëjë të tilla veprime. Është hera e parë që unë jam kundër tij dhe jam kundër dhunës së shfaqur. Ai nuk duhet të shkonte e të përlyhej në këtë sherr apo batak ku deshën ta fusnin ku ai ra pjesë e të gjithës.
Kam dëgjuar gjithashtu që është përmendur shoferi im, por mund të them që quhet Selami Peposhi dhe ka qenë në tribunë së bashku me vajzën 9 vjeç. Kur ka përfunduar ndeshja, është larguar dhe nuk ka qenë fare, pasi ka ndodhur e gjithë kjo.
Nipi juaj është gjithashtu një prej personave që shihet në pamje duke dhunuar dikë…
Nuk e mohoj pasi e kam parë, por dua të them që ai është punonjës i kompanisë së sigurisë që punon me njerëzit e stadiumit, për hapjet e portave, për biletat e për të tilla veprime në stadium. Pavarësisht të gjithë këtyre, unë e dënoj, por di të them që është provokuar dhe ofenduar. Në momentin që ka dëgjuar ofendime në drejtimin tim dhe më ka parë mua të prekem.
Për më tepër, unë atij personi, Dervishit, i kam bërë vetëm të mira kur nuk ka qenë marrë me futboll.
Nga drejtuesit e Partizanit është thënë që “Tirana është përgjegjëse dhe duhet të dënohet…”
Unë nuk jam specialist i rregulloreve, megjithatë komenti im është që kjo gjë ka ndodhur rreth gjysmë ore pasi ka përfunduar takimi i rregullt. Në atë moment, duhet të ishin vetëm trajnerët që të jepnin intervista, por drejtori Dervishi vazhdonte të bënte regjisorin e të gjithë situatës. Edhe ne jemi mundur nga ekipe të tjera, apo nga Partizani dhe jemi larguar nga stadiumi. E kemi pranuar rezultatin, ndaj të gjithë duhet të mësojnë ta pranojnë atë, sido që të jetë, sepse ky është futbolli.
Si mund të shmangej e gjithë kjo?
Unë e kisha shumë të thjeshtë që sapo ra bilbili, mund të bëhesha koprrac si të gjithë të tjerët e t’i fikja dritat pesë minuta pasi mbaroi ndeshja. Por nuk e bëra sepse kishin ende punë mediat me intervistat, por aty kishin punë vetëm trajnerët e gazetarët, askush tjetër. Emocionet e derbit janë të mëdha e dikush di t’i përmbajë, e të tjerë jo. Kush nuk ia doli, le të penalizohet.
Ju si ndiheni pas kësaj që ndodhi në derbin e fundit?
Jam shumë i qetë. I lumtur që skuadra tregoi karakter e ndershmëri siç i takon Tiranës, e për këtë i falënderoj lojtarët. Në të njëjtën kohë, jam shumë i shqetësuar dhe kundër dhunës, por nuk e kam unë në dorë. Gjithashtu, i gëzuar që kthyem asetin më të çmuar që ka klubi i Tiranës, tifozët. Kemi punë për të bërë, por treguam që s’jemi njerëz të pazareve. Jam i vetmi, pavarësisht se uroj që të ketë edhe të tjerë, korrekt që nuk kam bërë kurrë aleanca. Këtë e tregova edhe dje (të mërkurën). E tregova edhe me Korçën, siç kam bërë prej 11 vitesh.
Një koment për ndeshjen…
Çfarë mund të them tjetër, kur unë dëgjova intervistën e trajnerit Agostineli: Tirana u tregua ekip burrëror. Kjo deklaratë flet shumë sipas meje. Pastaj, çfarë mund të thuhet për lojtarë si Gentjan Muça, apo Elis Bakaj e të tjerë e të tjerë? Apo për lojtarët e rinj që u aktivizuan? Thjesht, një mrekulli. (javanews.al / a.r)