Marinari egjiptian, Adel Mohamed Salam, i cili ka marrë peng anijen “Çelepia 2” dhe ekuipazhin e saj me dy shqiptarë, Luan Memën dhe Dhimitër Malajn, ka shkëmbyer rregullisht SMS me punëdhënësin e tij, Florian Çelepia.
Fillimisht me anë të një patrioti të tij që punon gjithashtu në Flotën e peshkimit në Durrës, Salam u kishte çuar pronarëve sinjalin e parë pas pesë ditësh heshtje, se kishte marrë peshkarexhën peng dhe dy marinarët, ku për shkëmbim kërkonte 70 mijë euro.
Bazuar në SMS-të e shkëmbyera mes pronarit të anijes dhe marinarit rrëmbyes, të cilat gazeta “Panorama” i disponon, mesazhi i parë ishte foto e Luan Memës të prangosur, e cila mbërriti në celularin e Florian Çelepisë nga numri i telefonit të shtetasit egjiptian, Adel Mohamed Salam.
Gjatë bisedës që ka pasur me pronarin, Salam ka pohuar se ndodhej në Egjipt me anijen dhe ekuipazhin e saj, të cilët dyshohet se i mban prej gjashtë ditësh të prangosur, sikurse tregon imazhi i fotos së dërguar nga numri i tij i telefonit.
“Jam në Egjipt me anijen dhe Luanin dhe Mitin (Dhimitrin) të lidhur (dërgon foton e Luanit të lidhur me zinxhirë). Brenda 24 orësh dua 70 mijë euro, përndryshe e shita barkën (peshkarexhën) te trafikantët për të transportuar refugjatë”, ishte kërkesa e parë e pengmarrësit kundrejt pronarit.
Ky i fundit i përgjigjet se: “Do t’i sjellim lekët, vetëm na trego se ku je dhe si është Luani dhe Miti”. Pak më vonë, egjiptiani dërgon mesazhin tjetër, ku thoshte se ua kishte shitur anijen për 100 mijë euro disa personave për të transportuar klandestinë dhe Luani e Miti (marinarët) do të ktheheshin me barkën në Shqipëri, pasi të kishin transportuar ngarkesën me refugjatë. Pronari i mjetit, Florian Çelepia, thotë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Mohamed Salam me anë të mesazheve në Whatsapp, të cilat u ndërprenë pas disa orësh.
Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, pronari i anijes thotë se ai nuk ka dhënë asnjë informacion mbi gjendjen e dy marinarëve të marrë peng, përveç një fotoje të 36-vjeçarit të lidhur me zinxhir.
“Unë nuk e kuptoj, përse autoritetet nuk e kanë lokalizuar akoma vendndodhjen e anijes dhe Mohamedit. Unë kam komunikuar vazhdimisht me Mohamedin dhe këto informacione ua parashtrova dhe autoriteteve, me qëllim që ta pikasnin me anë të aparaturave. Telefoni i tij është ende aktiv, pse nuk e lokalizojnë autoritetet”, shprehet Çelepia, duke u bërë apel autoriteteve të intensifikojnë hetimet, pasi çdo minutë që kalon është në disfavorin e marinarëve.
“Nuk dua lekë, thotë tani. Më shkruan se e shiti anijen 100 mijë euro te disa persona për të transportuar klandestinë drejt vendeve europiane dhe pastaj kthehet Luani dhe Miti në Shqipëri. Por nuk jep informacione rreth gjendjes së dy marinarëve, pasi kjo është ajo që na intereson më shumë. Duam vetëm të kthehen shëndoshë e mirë, anijen nuk e duam”, tha ndër të tjera pronari i anijes së rrëmbyer nga marinari i saj.
BISEDA ME SMS
Salam sjell foton e Luan Memës me zinxhir.
Salam: Maksimum 24 orë ka ero ka barkae
Pronari: o adel, ku i don lekët? O adel, përgjigju! Ku i don lekët. Ku t’i çojmë lekët?
Salam: Egypt
Pronari: Okk. Mco foto të mitit dhe të lanit
Salam: Kur?
Pronari: Shumë shpejt po i grumbullojm. Mco foto të mitit. Ca kërkon nga ne? Më thuj vetëm ca kërkon. Ca kërkon prej ratit. Vetëm nxirr mitin të qetësojmë familjen.
Salam: Neserë let egipt edhe 1 persona kuptova rrugën për hikin në shipri skaa foto
Pronari:Se kuptova
Salam:Miti dhe lano do vi mrapa me barka
Pronari:Ishalla allah. Kur do vinë? Po ti spo mbjen foto të mitit që të qetsoj familjen.
Ço foto të qetësoj familjen
Pronari: O Adel, O adel, lekët janë gati. Ku ti bim? A i don lekët?
Salam: Unë shite bark person tjetër 100 ero. Cia, ja flas prap.
Pronari: Po me co foto të mitit. Nuk na intereson barka. Bo fotoo të mitit. Lekët janë gati.
Salam: Ka maru nuk bu bark shit.
Pronari: Ore po njerëzit ku jan? Nuk e du barkën. Njerëzit ku jan? Qetsohuuu. Ne ti bijm lekët, vetëm njerëzit mos i ngacmo.
Bjer foto të mitit që të qetsojmë familjen. Ta dimë si është. Bjere foton.
Salam: Ska foto vetëm 1 herë shum flas.
Pronari: Msiguro që ata janë gjall që tnis lekët. Lekët ti nisim po pa fol me mitin ska gjo. A do i bësh foto mitit që ti bojm lekt?
Salam: Nuk du lek bark shite
Pronari: Po a kërkon lekt? Më co foto të mitit.
(panorama)