Nuk dorëzonte makinën, arrestohet ish-kreu i komunës Lunxhëri
Ndalohet ish-kryetari i komunës Lunxhëri, në Gjirokastër, i shpallur në kërkim me akuzën “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Ish-zyrtari Ilia Kuro, 51 vjeç, kur ka dorëzuar detyrën nuk ka dorëzuar automjetin tip “Volkswagen” me targa AA 872 BH, në pronësi të ish-komunës “Lunxhëri”.
Kallëzimi ndaj tij është bërë më 25 gusht nga dy shtetasit S.G, 25 vjeç dhe A.K, 38 vjeç, banues në Gjirokastër.
Pas kësaj, specialistët e Seksionit për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim, Ilia Kuro, 51 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Shtufit”, Gjirokastër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” të parashikuara nga neni 248 dhe 134/3 i Kodit Penal.