Kur zyrtarët e strukturave ligjzbatuese apo atyre inteligjente përfundojnë karrierën, zakonisht bëjnë një jetë të qetë larg vëmendjes mediatike. Sigurisht që as nuk është menduar ndonjëherë që ata të jenë aktiv dhe të ndajnë informacione në rrjetet sociale.
Por duket histotria ka ndryshuar që kur në Shtëpinë e Bardhë ka ardhur Donald Trump. Ai përdor rrjetin e tij të preferuar Twitter për të sulmuar zyrtarët e FBI dhe CIA që kanë hetuar lidhjet ruse.
Përmes twitterit ai sulmoi ashpër ish-drejtorin e FBI James Comey të cilin e shkarkoi vitin e shkuar. Po ashtu ai sulmoi edhe ish-zëvendësdrejtorin e FBI Andrew G. McCabe, vetëm dy ditë para se të dilte në pension. “Një ditë e madhe për Demokraci”, tha Trump pas shkarkimit.
Sulmeve iu përgjigj James Comey, po përmes twitterit, ‘armës’ së preferuar të Trump.
“Zoti president, populli amerikan do të dëgjojë historinë time shumë shpejt. Populli mund të gjykojë se kush është i nderuar dhe kush nuk është”, tha ai që sipas New York Times paralajmëron publikimin e informacioneve kompromentuese në librin që boton së shpejti.
Edhe ish-zv.drejtori i FBI McCabe përmes avokatit të tij paralajmëroi Trump. Edhe mesazhi i tij u publikua në twitter.
“Ne nuk do t’i përgjigjemi çdo mesazhi fëminor, shpifës, të neveritshëm dhe të rremë nga Presidenti”, tha avokati Michael R. Bromwich. E gjithë e vërteta do të dalë në kohën e duhur”, shkruante ai.
Ish-zyrtarë të tjerë që kanë qenë subjekt i talljeve të presidentit kanë dhënë mesazhe në twitter. John O. Brennan, një ish-eksponent i CIA-s i cili tani i referohet vetes si “një amerikan i cili është shumë i shqetësuar për të ardhmen kolektive”, tha ai teksa sulmoi karakterin e presidentit të shtunën.
“Kur shtrirja e plotë e korrupsionit tuaj, korrupsionit moral dhe korrupsionit politik bëhet i njohur, ju do të merrni atë që meritoni si një demagog i poshtëruar,” shkroi Brennan, të cilin Trump më herët e quajti “një nga gënjeshtarët më të mëdhenj në Uashington”. “Mund të martoheni me Andi McCabe, por ju nuk do ta shkatërroni Amerikën … Amerika do të triumfojë mbi ju “, i shkruante Trump atij.
Gjatë gjithë historisë, presidentët janë përplasur me anëtarët e agjencive të zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës. Bill Clinton u konfliktua me Louis J. Freeh, i cili mbikqyri hetimet e FBI gjatë skandalit Lewinsky.
Richard M. Nixon shkarkoi prokurorin e posaçëm të pavarur në “Masakrën e së Shtunës”, dhe avokati i tij dha dorëheqjen në shenjë proteste.
Por këto ndërveprime të tensionuara, thonë ekspertët, duken ndoshta më normale se përplasjet e fundit të Trump në rrjetet sociale dhe për më tepër me presione për publikimin e materialeve kompromentuese sekrete.
“Ne kurrë nuk kemi pasur askënd që të shkojë pas një presidenti më parë” tha në një intervistë Gary J. Schmitt, një studiues, dikur një këshilltar i inteligjencës për Presidentin Ronald Reagan.
“Është gjithashtu e pashembullt që një president të kundërvihet në këtë formë duke shkuar pas zyrtarëve të ndryshëm të inteligjencës”. Ai shtoi, se “është një garë pa fund mes tyre”./JavaNews/a.m.