Blerim Tominaj, ish-prokurori i krimeve është shkarkuar nga detyra se nuk deklaroi pasurinë
Për disa muaj ai qëndroi drejtor i krimeve dhe zv.drejtor në kohën kur ishte drejtoreshë Donika Prela.
Blerim Tominaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi për më shumë se një dekadë si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2014, ai u emërua zv.drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vazhdoi të punonte në këtë prokurori deri në shkrirjen e saj në dhjetor të vitit 2019.
Aktualisht, Tominaj është komanduar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Prokurori Blerim Tominaj deklaronte pasuri me vlerë 1.8 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është rritur me 28 herë dhe kap vlerën e 50.7 milionë lekëve.
Pasuritë e patundshme zënë pjesën kryesore, duke kapur vlerën e 48 milionë lekëve, ndërkohë që prokurori Tominaj deklaron gjithashtu likujditete të akumuluara në cash prej 2.2 milionë lekësh, likujditete në bankë prej 9420 lekësh dhe një automjet me vlerë 500 mijë lekë.
Prokurori Blerim Tominaj rezulton me pasuri të pajustifikuar në vlerën e 3.6 milionë lekëve për vitet 2011, 2012 dhe 2013. Diferencat negative lidhen kryesisht me blerjen e një lokali me vlerë 140 mijë euro përmes huave.
Në vitin 2010, prokurori Tominaj deklaron një huamarrje prej 100 mijë eurosh për blerje apartamenti- por që ndryshon destinacion dhe në vitin 2011 përdoret për blerjen e një lokali me vlerë 140 mijë euro. Për këtë qëllim, subjekti deklaron edhe një hua të dytë prej 8 mijë eurosh.
Nga totali i huave prej 108 mijë eurosh, prokurori Tominaj ka shlyer 61 mijë euro dhe në fund të vitit 2017 rezulton të ketë ende pa shlyer vlerën e 47 mijë eurove.
Në vitin 2016, pasuritë e patundshme të subjektit shtohen edhe me një apartament dhe një lokal në Durrës me vlerë 170 mijë euro. Të dy pronat janë përfituar me dëshmi trashëgimie pas një kontrate sipërmarrjeje me kompaninë e ndërtimit LIM-EM.
Tominaj ka qenë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i emëruar nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla.
Tominaj ka shqyrtuar disa dosje të rëndësishme, ku mes tyre renditen edhe hetimet për aksidentin e Sokol Olldashit dhe vrasjet e ndodhura gjatë protestës së 21 Janarit përpara Kryeministrisë.
Kujtojmë se Blerim Tominaj është një nga 10 prokurorët që refuzoi shortin për dosjen “Shullazi” dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme.
g.kosovari