Dëbimi i ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia, dhe të shefit të Inteligjencës pranë kësaj përfaqësie diplomatike nga Shqipëria dhe shpallja e tyre si persona “non grata” lidhet me parandalimin e dy sulmeve terroriste.
Bëhet fjalë për dy sulme terroriste, të cilat janë parandaluar në mars dhe në muajin prill, për të cilat u ndaluan dy shtetas iranianë të dyshimtë dhe që më pas u dëbuan nga autoritetet shqiptare. Pikërisht hyrja e këtyre dy shtetasve në territorin e Republikës së Shqipërisë ka bërë që të ngrihen dyshime mbi përfaqësinë diplomatike iraniane, e cila mund t’i ketë ndihmuar dy të dëbuarit e muajit mars që të vendosen në Tiranë me pasaporta diplomatike.
“Panorama” mëson se Shërbimi Informativ Shtetëror kishte marrë në fill të këtij viti informacione nga shërbimet partnere se në Shqipëri mund të ndodhnin sulme terroriste ndaj komunitetit të muxhahedinëve. SHISH, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ishin informuar me detaje në lidhje me mbërritjen e dy shtetasve iranianë, emrat e të cilëve nuk u zbuluan asnjëherë nëse ishin të vërtetë. Episodi i parë bën fjalë për festën e 22 Marsit 2018, organizuar nga Kryegjyshata me rastin e Sulltan Nevruzit.
Atë ditë, Prokuroria, SHISH dhe Policia, janë vënë në ndjekje të dy personave, të identifikuar në atë kohë si S.M. 59 vjeç dhe F.Z. 65 vjeç. Këta dy shtetas ishin futur në territorin e Shqipërisë nga Aeroporti i Rinasit, duke kaluar çdo barrierë, për shkak edhe të pasaportave “speciale”. Agjentët e Antiterrorit kanë monitoruar çdo lëvizje të tyre në Tiranë dhe duke qenë se kishin informacione të sigurta se diçka po planifikonin, vendosën t’i ndalonin dhe t’i merrnin në pyetje më 22 mars.
Të dy të ndaluarit thanë përpara agjentëve se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë për Sulltan Nevruzin. Mirëpo, këto deklarata nuk ishin të besueshme dhe agjentët u siguruan që të dy iranianët të dëboheshin nga territori shqiptar. Burimet thonë se informacionet kishin mbërritur edhe për një sulm të mundshëm terrorist në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri për muajin prill. Dy të dëbuarit e muajit mars dyshohet se kanë qenë të infiltruar të Shërbimit Sekret Iranian dhe hyrja e tyre në Shqipëri lehtësisht dhe informimi për vendndodhjet e muxhahedinëve ngriti dyshime për përfshirjen e përfaqësisë diplomatike iraniane. Ka dyshime të forta se dy të ndaluarit e marsit kanë marrë informacione, strehim dhe ndihmë tjetër nga përfaqësia diplomatike e Iranit në Tiranë.
Për këtë arsye, Shqipëria është detyruar që të dëbojë nga territori i saj ambasadorin dhe shefin e inteligjencës së saj. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në qershor në Paris, kur u organizua edhe Konferenca Botërore e MEK-ut. Në të ishte i pranishëm edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko, që mbajti edhe një fjalim. Atë ditë, Antiterrori francez ndaloi dhe më pas dëboi një shtetas iranian, që dyshohej se do të kryente ndonjë akt terrorist te muxhahedinët.
REAGIMI I MUXHAHEDINËVE
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e ka mirëpritur dëbimin e Ambasadorit të iranian dhe të shefit të stacionit të Ministrisë së Inteligjencës në Shqipëri. Përmes një deklarate ditën e djeshme, ajo e ka përshkruar këtë akt të guximshëm si një hap të nevojshëm për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe diktaturës fetare që, sipas saj, sundon Iranin, si dhe një domosdoshmëri për sigurinë e vendeve europiane. “Atyre që sundojnë Iranin, duhet t’u tregohet se veprimtaritë e tyre terroriste në Europë dhe në mbarë botën do të kenë pasoja serioze.
Që tri dekada më parë, Rezistenca Iraniane e ka theksuar gjithmonë se Ministria e Jashtme e regjimit iranian dhe diplomatët e ambasadat e saj janë pjesë thelbësore e makinerisë së terrorizmit të regjimit. Regjimi klerikal e ka gjetur të vetmen rrugëdalje nga krizat e ngërçet e pandreqshme të brendshme e të jashtme në shtypjen e popullit të Iranit, luftënxitjen në rajon, kërcënimet me raketa, si dhe në shpërndarjen e lajmeve të rreme, denigrimin dhe terrorizmin, veçanërisht kundër Rezistencës Iraniane, të cilën e sheh si një kërcënim ekzistencial.
Regjimi në Teheran është kumbari dhe epiqendra e terrorizmit nën flamurin e Islamit në botën e sotme. Për këtë arsye, etiketimi i Ministrisë së Inteligjencës si një entitet terrorist dhe përjashtimi i diplomatëve terroristë të mullahëve nga SHBA dhe Europa është i domosdoshëm për sigurinë e këtyre vendeve dhe kërkohet gjithashtu nga populli iranian”, përfundoi ajo./panorama
a.meta

