Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, thotë se koalicioni “Shqipëria Madhështore” i udhëhequr nga PD, është më i madhi ndonjëherë në politikën shqiptare ndër vite.
Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Noka u pyet se mbi cilat kritere është hartuar lista dhe ndërtuar koalicioni, ku në fakt bien në sy emra politikanësh dhe kryetarë partish aleate prej vitesh tashmë në politikë, apo të quajtur ndryshe “xhaketat e vjetra”.
Sipas Nokës, është diskutuar me kreun e fushatës së PD-së, amerikanin Chris LaCivita, mundësia e daljes së Partisë Demokratike e vetme në fushatë. Por sipas Flamur Nokës, të gjithë kanë qenë të mendimit se alternativa më i mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ishte përfshirja e një koalicioni sa më të gjerë.
“Koalicioni për Shqipërinë Madhështore ka dashur kohë, mund dhe sakrificë për t’u ndërtuar. Kur ndërton një koalicion do konsiderosh peshën e çdonjëerit prej aleatëve dhe do shpërblesh çdonjërin prej aleatëve sipas prurjes dhe peshës që ka.
Ne bëmë këtë përpjekje për të ndërtuar koalicionin që do çonte opozitën drejt fitores. Ky është koalicioni më i madh që ndonjëherë në histori ka patur një forcë politike dhe rreth vetes dhe kjo ka krijuar edhe frymë.
Çdo parti ka simpatizantët e vetë. Ne i kemi testuar ndër vite këta aleatë.
Po të vijë çështja te xhaketat, çdokush prej personaliteve në këtë listë është qindra herë më dinjitoz se tufa e hajdutëve, e krimit të organizuar që është përballë në kampin e narkorilindjes.
Është diskutuar kjo gjë dhe me stategun e fushatës tonë, Chris LaCivita, dhe konkluzioni ynë ka qenë ky: një koalicion sa më i gjerë për një fitore të sigurt. Kemi konsideruar që sa më shumë flukse të mbledhim, çdo gjë duhet të bëjmë për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe që quhet Rilindje”, u shpreh Flamur Noka.
Në koalicionin e Partisë Demokratike bëjnë pjesë 25 forca politike.