Gjyqtari i njohur amerikan dhe një yll i rrjeteve sociale, Frank Caprio, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Siç shkruan BBC, lajmi për ndarjen e tij nga jeta pas diagnostikimit me kancer pankreatik u bë publik nga familjarët e tij, në llogarinë zyrtare në “Instagram” të gjyqtarit.
Gjyqtari Frank Caprio u bë i njohur fillimisht në qytetin e tij të lindjes, Providence, ku për dekada drejtoi mijëra çështje me një stil unik, të mbushur me dhembshuri dhe humor. Ai i jepte vendimet duke marrë parasysh rrethanat personale të njerëzve që dilnin para gjykatës.
Emisioni i tij “Caught in Providence” fitoi famë ndërkombëtare dhe miliarda shikime, duke e kthyer atë në një figurë të dashur në rrjetet sociale. Ai u përkujtua për ngrohtësinë, mirësinë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që pati tek publiku.
Videot e gjyqtarit duke drejtuar seancat publike të transmetuara në emisionin e tij janë parë miliarda herë në rrjetet sociale, duke i dhënë atij nofkën “gjyqtari më i mirë në botë”.
Pasi u diagnostikua me kancer pankreatik në vitin 2023, gjyqtari Caprio tha se ishte “plotësisht i përgatitur të luftonte sa të mundej” dhe falënderoi ndjekësit për mbështetjen e tyre.
Në një nga postimet e tij të fundit në rrjetet sociale, ai njoftoi se ishte rikthyer në spital pas një “përkeqësimi” në trajtimin e tij dhe u kërkoi ndjekësve të luteshin për të.
Gjyqtari Caprio la pas gruan e tij prej gati 60 vitesh, Joyce Caprio, si dhe pesë fëmijët e tyre, shtatë nipërit dhe mbesat si dhe dy stërnipë dhe stërmbesa.











