• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, December 30, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Një UNESCO e fortë për të ruajtur arritjet dhe projektuar bashkërisht të ardhmen

by Ditmir Bushati
16/10/2018 14:35
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ditmir Bushati

Sot mbushen plot gjashtë dekada nga dita e anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO. Si pjesë e zinxhirit të sistemit të Kombeve të Bashkuara, UNESCO u themelua për të zhvilluar solidaritetin intelektual dhe moral të njerëzimit, si një instrument ndërqeveritar për të ndërtuar paqe të qëndrueshme. Pas më shumë se shtatë dekadash, mund të themi pa droje se aktiviteti i saj ka ndihmuar në ndryshimin e jetës dhe ndërtimin e së ardhmes për miliona vetë, ka ndikuar në mënyrën se si njerëzit në mbarë globin e shohin dhe kuptojnë njëri-tjetrin dhe në tërësi botën në të cilin jetojmë.

Shqipëria e kohës së anëtarësimit në UNESCO, ka qenë një tjetër, kryekëput ndryshe nga Shqipëria e sotme, e etur dhe pakthyeshëm e angazhuar për progres. Nuk ka shumë për të thënë për praninë, rolin dhe kontributin tonë në UNESCO – si edhe në pjesë të tjera të aktivitetit shumëpalësh, gjatë dekadave nën regjimin komunist. Megjithatë, përpos kufizimeve drastike të imponuara nga diktatura, orientimit ideologjik, paranojës dhe vet-izolimi ndërkombëtar, prania në UNESCO e ndihmoi Shqipërinë të luftonte analfabetizmin në përpjekje për të nxjerrë vendin nga një prapambetje e theksuar.
Me ndryshimet rrënjësore të sistemit politik në vend, ndërveprimi ynë me UNESCO-n e vuri në qendër nevojën për mbështetjen për integrimin e vendit në botë, ndryshimin e imazhit dhe rritjen e shikueshmërisë, mbështetjen për lirinë e shprehjes, përmirësimin e sistemit arsimor, ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, ndërtimin dhe funksionimin e shoqërisë civile dhe qytetarisë, mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore përmes politikave të reja, si dhe, në mënyrë të veçantë, mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut.

Në harkun kohor të tre dekadave, Shqipëria është bërë palë e të gjitha konventave kryesore të UNESCO-s, ka marrë pjesë aktive në diskutimet mbi çështje madhore të agjendës së organizatës dhe ia ka dalë të përfshijë në regjistrat e ndryshëm të UNESCO-s një numër pasurish që përfaqësojnë dhe nxjerrin në pah vlerat universale të padiskutueshme e të vyera të trashëgimisë tonë kulturore, shpirtërore, natyrore. Butrinti, Berati, Gjirokastra, Iso-polifonia, “Kodikët e Purpurt të Beratit”, Pyjet e Hershëm Ahorë të Lumit të Gashit dhe Rajcës, Rezerva e Biosferës së Prespës janë tashmë faqe të ndritura në pasaportën tonë kulturore dhe natyrore, pjesë e trashëgimisë botërore dhe regjistrave të tjerë ndërkombëtarisht të njohur e botërisht të vlerësuar. Një tjetër dosje rëndësishme, ajo e Rajonit të Ohrit, është aktualisht nën shqyrtim dhe ne kemi besim se vitin e ardhshëm ajo do të bëhet një margaritar në gjerdanin e Trashëgimisë Botërore.

Dëshiroj të veçoj, gjithashtu angazhimin tonë të vazhdueshëm në kuadër të dialogut mes qytetërimeve dhe kulturave. Konferenca ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar, “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e Ri”, organizuar në vitin 2003, nën patronazhin e ish-Presidentit Moisiu dhe ish-Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Matsuura, përbën një aspekt konkret të bashkëpunimit të veçantë me organizatën. Të tjerë shembuj ilustrojnë vëmendjen dhe kujdesin tonë të përhershëm për të ruajtur e ushqyer një nga pasuritë tona më të mëdha kombëtare, asnjëherë e ngurrtë por e përhershme dhe e gjithëpranishme, atë të mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit te sinqertë e shembullor mes besimeve fetare. Në epokën e sotme të angazhimit të fuqishëm si në planin kombëtar ashtu edhe në atë global për të luftuar ekstremizmin, radikalizimin, dhunën ekstreme dhe terrorizmin, modeli shqiptar i kohezionit social dhe përpjekjet tona për të forcuar në shkollë mendimin dhe analizën kritike të botës dhe fenomeneve, janë një kontribut konkret në këtë drejtim, në pajtim të plotë dhe tërësisht të koordinuara edhe me UNESCO-n.

Tre momente në gjykimin tim, kanë rëndësi të posaçme.

Së pari, mbi rëndësinë dhe ruajtjen e forcimit të multilateralizmit. Pas pak javësh, bota do të përkujtojë 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, e cila, siç e dimë, i pati fillesat pikërisht në Ballkan. Ndryshimet epokale gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të e deri sot kanë ndryshuar rrënjësisht gjeopolitikën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha e kanë bërë botën një vend më të paqtë e më të sigurtë. Por, do të ishte iluzive nëse do t’i merrnim gjerat të mirëqena. Retorika populistenë rritje edhe në shoqëritë e zhvilluara, banalizimi i gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, presioni ndaj multilateralizmit dhe tendencat për tkurrje nacionale na thërrasin për vigjilencë të shtuar dhe imponojnë nevojën për një fokus të përtërirë, më të qartë, më kërkues dhe për bashkëpunim më efikas.
Në besojmë fort në një botë ku vendet takohen për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta, për të gjetur zgjidhje bashkërisht dhe për të projektuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Pikërisht edhe për këtë arsye kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë në UNESCO, si një investim i njëmendtë për qytetarët e Kosovës por edhe për forcimin e bashkëpunimin rajonal. Siç e ka treguar përvoja e viteve të fundit, bashkëpunimi efektiv rajonal e më gjerë në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, komunikimit nuk mund të arrihet pa pjesëmarrje dhe kontribut gjithëpërfshirës. Ne do të vijojmë të jemi në linjën e parë të përpjekjeve, të sinqerta e të pareshtura, për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, përfshirë përmes nxitjes, evidentimit dhe konsolidimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore, shpirtërore dhe diversitetit kulturor.

Së dyti mbi nevojën për të investuar më shumë dhe në mënyrë më të mençur rininë. Është e rëndësishme që të mundësojmë me çdo mjet që energjia dhe krijimtaria e brezit të ri të vihet në shërbim të zgjidhjes së probleme të së sotmes dhe të ardhmes. Angazhimi, vullneti dhe aftësitë dhe shkathtësitë e brezit të ri do të jenë vendimtarë si për Shqipërinë dhe rrugëtimin tonë evropian por edhe për të ndërtuar një rajon që jeton më së fundmi në paqe dhe prosperitet. Pikërisht për këtë arsye ne kemi mbështetur fort krijimin e Zyrës së Bashkëpunimit Rinor Rajonal dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, dy iniciativa me seli në Tiranë, për të iniciuar procesin e pajtimit rajonal përmes rinisë dhe shoqërisë civile, me besimin se duke ndërtuar një urë solide komunikimi mes të rinjve do të jemi në gjendje të ndërtojmë ura të tjera bashkëpunimi e mirëkuptimi mes shoqërive.

Së treti, nevoja për të reformuar UNESCO-n, për ta bërë atë më efektive, më të zhdërvjellët dhe më rezultative, si pjesë e zinxhirit të një organizate të madhe burokratike që ka nevojë për reformë të vazhdueshme. Ndërsa me të drejtë vlerësojmë arritjet e organizatës gjatë 7 dekadave, jemi të ndërgjegjshëm se më shumë mbetet për t’u bërë. Në shumë vende, miliona vajza dhe djem ende nuk kanë qasje në mësim; analfabetizmi pengon qindra miliona të tjerë të marrin pjesë plotësisht në shoqëritë ku jetojnë; liria e shprehjes është ende e cunguar ose e keqpërdorur në shumë pjesë të botës,ndryshimet klimatike janë identifikuar tashmë si një kërcënim real për njerëzimin. Prandaj nembështesim projektin e transformimit strategjik të iniciuar nga Drejtorja e Përgjithshme që synon t’i japë Organizatës një rol të ripërtërirë në një botë kryekëput të ndryshuar, e cila kërkon ide, energji, vizion, projekte dhe mbi të gjitha rezultate bindës.
Anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që prej vitit 2013 për dy mandate të njëpasnjëshëm, Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në fushat e kompetencës së UNESCO-s: në arsim, shkencë, komunikim, si dhe në ruajtjen dhe nxitjen e trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore, pasi gëzon nevojën e jetësimit të mandatit të organizatës si një instrument i pazëvendësueshëm ndërkombëtar për paqe e mirëkuptim.

Ne kemi bindjen se kultura dhe dialogu kulturor, me energjinë e “fuqisë së butë”, mbeten një përbërës i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm i diplomacisë publike, i përpjekjeve për mirëkuptim, të cilat, bota e sotme komplekse dhe shpesh e polarizuar, i ka nxjerrë në plan të parë.
Njerëzimi ka sot nevojë për një UNESCO të fortë e të aftë, për eksperiencën e pasur, dijen e akumuluar, “fuqinë e butë” dhe për një kontribut të shtuar për të ruajtur arritjet dhe projektuar bashkarisht të ardhmen, një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe të denjë për të gjithë, të cilën mund ta ndërtojmë veçse duke punuar të gjithë bashkë, në paqe, mirëkuptim, besim, e respekt të ndërsjelltë.

Next Post
Vrasja e dy shqiptarëve në Greqi, KE kërkon rihapjen e hetimeve për policinë greke

Vrasja e dy shqiptarëve në Greqi, KE kërkon rihapjen e hetimeve për policinë greke

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Horoskopi ditor për nesër, e enjte 18 korrik 2024

Horoskopi ditor për nesër, e mërkurë 31 dhjetor 2025

December 30, 2025
Jo vetëm pa shpërblim për fundvit, efektivët e FNSH të Tiranës i lënë edhe pa u paguar dietat prej 3 muajsh

Jo vetëm pa shpërblim për fundvit, efektivët e FNSH të Tiranës i lënë edhe pa u paguar dietat prej 3 muajsh

December 30, 2025
Protesta e fermerëve grekë/ Bllokohet aksi ‘Kapshticë-Selanik’, veturat do lejohen të kalojnë në rrugën dytësore

Protesta e fermerëve grekë/ Bllokohet aksi ‘Kapshticë-Selanik’, veturat do lejohen të kalojnë në rrugën dytësore

December 30, 2025
Dialogu me Serbinë dhe reformat/ BE: Presim me padurim formimin e qeverisë së re në Kosovë

Dialogu me Serbinë dhe reformat/ BE: Presim me padurim formimin e qeverisë së re në Kosovë

December 30, 2025
“Rritje e ndjeshme e të ardhurave dhe turistëve”, Rama flet me shifra: 4.4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj

“Rritje e ndjeshme e të ardhurave dhe turistëve”, Rama flet me shifra: 4.4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj

December 30, 2025
Përfshihet nga zjarri një banesë në Prizren, humb jetën tragjikisht një fëmijë njëvjeçar

Përfshihet nga zjarri një banesë në Prizren, humb jetën tragjikisht një fëmijë njëvjeçar

December 30, 2025
Rama: Kadastër digjitale në 2026-ën! Është mbyllur 80% digjitalizimi i kartelave të pronësisë

Rama: Kadastër digjitale në 2026-ën! Është mbyllur 80% digjitalizimi i kartelave të pronësisë

December 30, 2025
Akuza të forta ndaj Facebook, platforma lejoi lavdërimin e masakrës terroriste në Sydney

Akuza të forta ndaj Facebook, platforma lejoi lavdërimin e masakrës terroriste në Sydney

December 30, 2025
Medalje e artë për gjimnazistët me 10-ta, Rama: Jeni shembuj frymëzimi për shoqërinë

AKSHI nën hetim për tenderat, Rama: Ai është institucion krenarie, në shkurt dalim me E-Albania 2.0

December 30, 2025
“Agasi e rrahu Ulsiun me grushta”, Manja i përgjigjet Berishës: Për shpifjesi kjo, e ke leje ta përdorësh emrin tim!

“Agasi e rrahu Ulsiun me grushta”, Manja i përgjigjet Berishës: Për shpifjesi kjo, e ke leje ta përdorësh emrin tim!

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com