Gazetari investigativ Artan Hoxha, duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se ndërkohë që fokusi është te ngjarjet dramatike atje, janë harruar zhvillimet në Luginën e Preshevës, ku sipas tij, po ndodh një fushatë terrori dhe çregjistrimi i shqiptarëve.
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, iu bashkua këtij konstatimi, duke thënë se për këto zhvillime dramatike po flasin vetëm disa media perëndimore, por jo Shqipëria, apo Kosova dhe se Serbia po heq nga regjistri shqiptarët që nuk janë në Luginë për një kohë të gjatë.
Biseda në studio
Artan Hoxha: Duke u përqendruar me zhvillimet në zonën e Rashkës dhe kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, kemi harruar zhvillimet me Luginën e Preshevës. Miqtë që kam atje më kanë thënë se tre ditë përpara sulmit në Bajnskë kishte patur lëvizje të dukshme të ushtrisë serbe në Luginë dhe kanë qenë haptazi, edhe me xhandarmëri ku është komuniteti shqiptar. Ky është një mesazh shumë i fortë, një mesazh kërcënimi dhe frike në zonën e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Deputeti shqiptar Shaip Kamberi e ka ngritur zërin në Parlamentin e Serbisë, por është i vetëm atje.
Ndërkohë me Kosovën që e ka armikun te porta, me Shqipërinë që flet sikur është Zvicra, ne, dashje pa dashje, kemi harruar pjesën tjetër të kombit, që është nën terrorin serb. Ne duhet ta ngrejmë në këtë moment se çfarë ndodh atje, se po i fshijnë nga adresat. A kemi ne një plan se çfarë duhet të bëjmë ne, si duhet t’i marrim në mbrojtje ata shqiptarë që ndodhen brenda Republikës së Serbisë?
Sandër Lleshi: Çështja e shqiptarëve në Luginë është e madhe dhe jetime dhe më shumë shqetësohet shtypi ndërkombëtar, se vetë Shqipëria apo Kosova e Maqedonia e Veriut, tre shtete që kanë detyrime kombëtare me atë rajon. Te gazeta gjermane FAZ pashë një shkrim për çregjistrimin e shqiptarëve që nuk janë aty për një kohë afatgjatë dhe ky është një shpopullim i mirëfilltë që po kalon në heshtje. A ka plane Shqipëria?
Shqipëria ka plane të hapura dhe ka detyrim që të kujdeset për to, por kjo nuk do të thotë kujdesje ushtarake, por kujdesje politike, diplomatike dhe kulturore.
/a.r