Një qytet në juglindje të Francës në vargmalet Pirenej vendosi që rrugën e tij kryesore ta emërojë me emrin e muzikantit legjendar amerikan Jimi Hendrix, njoftuan mediat franceze.
Vendi quhet Mesto Pasa dhe ka rreth 8,000 banorë. Atje u vendos unanimisht që rruga e tyre kryesore të emërohej në nder të emrit të Hendrix. Autoritetet e qytetit e kanë konsultuar vendimin e tyre më parë edhe me Fondacionin “Jimi Hendrix”."Ai ishte një muzikant i madh dhe ai meriton të ketë një rrugë me emrin e tij," tha kryetari i Bashkisë Patrick Belgard dhe shtoi se ai vetë e kishte sugjeruar emrin e muzikantit me dëshirën dhe besimin se vendasit ‘e njihnin mirë’.
Belgard shtoi se pllakën me emrin e rrugës dhe një monument të Hendrix së shpejti do e zbulojë motra e Hendrix, Janie Hendrix, e cila do të vijë posaçërisht nga SHBA në Francë përrastin në fjalë. Kryetari i komunës shtoi se rruga do të ketë numrin 27, pasi kitaristi legjendar vdiq 27 vjeç. Deri më tani, nuk ka rrugë në botë që të jetë e emëruar me emrin e kitaristit të famshëm të rock, i cili u bë një ikonë kulturore për jetën muzikore të brezave të tërë.
Kritikët e muzikës e konsiderojnë Hendrix (1942-1970) kitaristin më të papërsëritshëm dhe më të talentuar në historinë e muzikës rock. Revista “Rolling Stone” e ka vendosur atë në vitin 2003 në vend të parë në listën e "100 kitaristëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave".