Një kompleks hotelier, që përfshin restorantin etno dhe një hotel me tre yje, bartin emrin e lokalitetit antik ilir – Ulpianës. Pikërisht skaj themeleve të këtij qytetërimi ilir, një restorant etno, po mbledh shqiptarë, serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve tjera.
Është Milorad Nikoliç, i njohur ndryshe me emrin Bata, që thotë për gazetën “Zëri” se ka vendosur që paratë nga shitja e hotelit të tij në qendër të Prishtinës, t’i investojë në afërsi të Graçanicës. Në restorantin “Etno Kuca”, të Batës, menyja është në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht. Kamerierët flasin gjuhën serbe, kurse gati 70 për qind e vizitorëve janë shqiptarë, 5 për qind të klientelës janë serbë kurse të tjerët janë ndërkombëtarë. “Në fillim kam qenë i sigurt se 30-40 për qind të klientelës do t’i kem shqiptarë. Kjo pasi në kohën e Milosheviqit sa kam jetuar në Prishtinë me tërë qenien u kam ndihmuar shqiptarëve”, tregon Bata. U ktheva nga Mali i Zi, për të investuar në Kosovë
Ai veten e quan prishtinas të vjetër dhe thotë se objekti i tij në qendër të Prishtinës që më vonë e kishte dhënë me koncesion për ndërtim të banesave nuk kishte pësuar më të voglin dëm, ndonëse të gjithë e dinin se është pronë e një serbi.
“Kam jetu pikërisht te rruga e Sharrit, tash Hamëz Jashari”, thotë Bata. Ai tregon se nofka e tij erdhi nga shqiptarët.









