Nga Norvegjia, astrofizikanti i famshëm britanik, Stephen Hawking ripërsëriti thirrjen e tij se njeriu duhet të “përgatisë valixhet” për t’u larguar nga ky planet nëse nuk dëshiron zhdukjen.
Hawking shprehet shumë pesimist. Ai thotë se rreziqet janë të shumta, që nga goditja nga një asteroid, një sulm alien e deri tek vetë njeriu me armët bërthamore dhe aktivitetin e përditshëm në shfrytëzim të burimeve natyrore që po ngrohin gjithnjë e më shumë shtëpinë tonë të përbashkët.
E me një plan konkret për t’u larguar prej Tokës është themeluesi i Space X, Elon Musk. Ambicia e miliarderit amerikane nuk shkon përtej sistemit tonë diellor.
“Një qytet krejtësisht funksional me 1 milionë banorë mund të ngrihet në Mars brenda vitit 2050”, thotë ai.
Themeluesi i Space X prej vitesh është duke punuar me planin e tij për të dërguar njeriun e parë në “Planetin e Kuq” brenda vitit 2023 dhe vetë ka një dëshirë.
“Dëshiroj që të vdes në Mars, sigurisht, jo nga përplasja, apo ndonjë aksident tjetër. Dua të plakem në Mars”, është shprehur Musk. /tch/.