Pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës në Itali të cilat nuk prodhuan një fitues të qartë, italianët nuk e dinë se kush do t’i qeverisë.
rReferuar sandazheve, një në tre shtetas në Itali do të preferonte marrëveshjen mes lëvizjes “5 Yjet” dhe “Legen”, skenar ky që do të çonte drejt krijimit të një ekzekutivi 100% populist.
E ndërsa Matteo Salvini e përjashton një mundësi të tillë, “5 Yjet” e Luigi di Maios mund të bashkojnë forcat me Partinë Demokratike, ashtu siç kërkon një fraksion brenda saj. Pikërisht këtë po përpiqet të shmangë Matteo Renzi me shtyrjen e dorëheqjes deri pas krijimit të qeverisë, për t’u siguruar kësisoj se nuk do të ketë një ujdi me Di Maion. Por Silvio Berlusconi këmbëngul se qeverinë duhet ta formojë qendra e djathtë.
Do ta mbështes Salvinin, u shpreh ai, dhe do të jem garant i koalicionit. Vota e së dielës nuk ishte një garë e brendshme mes nesh, këmbëngul “kavaljeri”, duke shtuar se suksesi i koalicionit është një zhvillim i rëndësishëm, pasi do të lejojë ndryshimin e politikave me të cilat është drejtuar vendi gjatë viteve të fundit.
I pyetur nëse Salvini ka të drejtën të paraqitet si kandidat për kryeministër, Berlusconi u përgjigj se do të respektojë deri në fund paktin parazgjedhor e do t’i japë pa hezitim kreut të “Lega Nord” mbështetjen e tij në përpjekjet për formimin e Ekzekutivit të ri.