Nga Enver Robelli
Kush i ka fajet? Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha? Kjo pyetje duket e parëndësishme përballë rezultateve të një ankete që është publikuar këtë javë në Tiranë dhe, për fat të keq, nuk ka pasur jehonën e merituar në mediat shqiptare. Një kronikë të gjatë e ka përgatitur “Zëri i Amerikës”, si shpeshherë deri më tani një burim i besueshëm dhe profesional mbi zhvillimet në Shqipëri.
Anketa ka nxjerrë në pah rezultate dramatike. Këto rezultate janë pasojë e kaosit politik në Shqipëri që s’po merr fund që nga rënia e komunizmit para tri dekadave. Polarizimi i pandërprerë mes partive politike, gjuha e egër, betejat me çdo kusht mes politikanëve, aferat e korrupsionit, të kuptuarit e qeverisjes si sundim e nënshtrim të tjetrit, kultura e mosndëshkimit kanë ndikuar që shqiptarët “t’i çojnë duart”, pra të dorëzohen dhe të mos i besojnë gati asnjë institucioni.
Kush, pra, i ka fajet? Fajet i ka tërë klasa politike. Pesha e fajit mund të dallojë në nuanca, por në thelb asnjë politikan nuk mund të amnistohet, pa marrë parasysh se çfarë emri a mbiemri ka, pa marrë parasysh se nga cili rajon i Shqipërisë vjen. Në Tiranë bashkohen të gjithë në mbrapshtitë e tyre.
Sipas anketës së Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shqiptaret dhe shqiptarët më shumë i besojnë krerëve fetarë se sa institucioneve publike. Përkthyer në shqipe të kulluar dhe ilustruese kjo domethënë: më shumë i besojnë priftit, hoxhës dhe klerit bektashian se sa ministrit, kryeministrit apo liderit të opozitës.
Qytetarët më shumë i besojnë, ta zëmë, ligjërimeve të Baba Mondit në malin e Tomorrit se sa fjalimeve të deputetëve socialistë apo demokratë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë apo jashtë Kuvendit. Nuk ka vend në Europë mbase ku më shumë i besohet krerëve fetarë se sa krerëve të ushtrisë. Në Shqipëri ky është realiteti.
Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim zbuloi atë që ishte e pritshme: një besim të ulët të shqiptarëve si ndaj institucioneve shtetërore e politike ashtu edhe ndaj reformës në drejtësi. Pushteti thotë se reforma në drejtësi është në ndër punët më të rëndësishme shtetërore që nga rënia e regjimit të Ramiz Alisë, opozita thotë të kundërtën: qeveria po krijon drejtësi partiake. E vërteta duhet të jetë diku në mes.
Blerjana Bino, njëra nga autoret e studimit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i tha “Zërit të Amerikës” se qytetarët “nuk besojnë më në integritetin dhe në ndershmërinë e funksionarëve publikë dhe të politikanëve. (…) Qytetarët thonë se zyrtarët dhe politikanët ndjekin vetëm interesat e tyre, por shfaqen sikur plotësojnë nevojat e komunitetit.
Madje edhe të anketuarit që janë anëtarë të partive politike pohojnë se nuk kanë besim tek partitë politike”. Domethënë: demokrati në Sarandë dhe socialisti në Kukës nuk i beson as partisë së vet. Anketa është zhvilluar në 61 bashki dhe është një barometër i rëndësishëm i matjes së disponimit publik në Shqipëri.
Besueshmëria është zbehur sidomos në tri vitet e fundit për shkak të rënies së transparencës dhe llogaridhënies nga qeveria qendrore dhe ajo vendore. Alarmant është ky konstatim i sondazhit: mbi 85 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni i nivelit të lartë dhe atij të ulët është një dukuri e përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare. 85! Për qind!
Gati 110 vjet pas shpalljes së pavarësisë në Shqipëri qytetarët më shumë kanë besim në organizatat ndërkombëtare si NATO, BE dhe OKB. Një komb me traditë shtetërore një-shekullore vazhdon të besojë se për Shqipërinë do të ishte më mirë po të ishte protektorat. Ky përfundim mund të nxirret nga anketa e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Dëshpërimi i shqiptarëve shihet te ky rezultat i sondazhit: “Pothuajse 1 në 2 shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Ata që mendojnë kështu u përkasin grupeve me të ardhura të larta, me arsim universitar, si dhe gratë dhe të papunët”. Qeveria e Tiranës thotë se trendi i ikjes së shqiptarëve nuk mund të ndalet, fundja po ikin edhe italianë, bullgarë e rumunë, sepse po gjejnë punë në Europën Perëndimore.
Megjithatë, në verën e vitit 2015 në Gjermani shqiptarët azilkërkues renditeshin menjëherë pas sirianëve. Siria gjendet në luftë civile qe gati një dekadë. E Shqipëria? Shqipëria është viktimë e përplasjes së dy “partive” për sundim, kontroll absolut dhe keqpërdorim të pushtetit. Por, siç e tregon sondazhi, fajin për këtë situatë e kanë vetë shqiptarët, në fund të fundit. Ata nuk janë qytetarë aktivë dhe përtojnë të marrin pjesë në protesta në mënyrë masive.
Nuk është befasuese mungesa e besimit që qytetarët kanë ndaj mediave. Të anketuarit nga të gjitha grupet demografike shpesh shprehen se nuk besojnë që media jep informacion të saktë. Shumica e pronarëve të mediave janë biznesmenë me interesa të mëdha që nuk përputhen me interesat publike.
Jo pak analistë shkruajnë e komentojnë për arsye jopublicistike. Ato pak media dhe ata pak gazetarë të pavarur mezi mbijetojnë dhe nuk kanë hapësirë të duhur për të arritur te publiku. Shumica e shqiptarëve burim informacioni e kanë televizionin, ku zakonisht dominojnë debatet e zhurmshme dhe shpeshherë larg interesit të përgjithshëm publik.
Sipas një raporti të organizatës Freedom House të publikuar javën që shkoi, Shqipëria ka shënuar rënie në nivelin e demokracisë në vitin 2019 krahasuar me një vit më herët. Kjo vlen edhe për shumicën e vendeve të rajonit dhe më gjerë. “Nga Tirana në Tiflis, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet. Në fakt, ata janë gjithnjë e më pak të interesuar për diskutim”, thuhet në raportin e Freedom House.
Më parë Reporterët pa Kufij e renditën Shqipërinë në në vendin e 84, dy vende më poshtë se një vit më parë. Socialistët thonë se në kohën e Sali Berishës vendi ka qenë edhe më keq. Kjo është e vërtetë, por njësi matëse për lirinë e shtypit nuk duhet të jetë e kaluara, por e tashmja dhe e ardhmja që po synohet në kuadër të integrimeve europiane.
Ndonëse ekziston një ligj për qasje në informacione zyrtare, ai ligj nuk zbatohet si duhet. Nuk është aspak produktive për debatin publik nëse zyrtarë të lartë të qeverisë i krahasojnë gazetarët me qentë që lehin. Kjo akuzë paushalle sigurisht që është toksike.
Ndonëse, për hir të së vërtetës, duhet thënë: ka gazetarë që janë shkatërrues të mëdhenj të profesionit (rasti i alarmimit të rrejshëm mbi një tërmet që pritej rreth mesnatës në vjeshtën e vitit që shkoi është një nga shembujt neveritës dhe ky nuk është rasti i vetëm).
Anketat dhe raportet e fundit mbi gjendjen në Shqipëri janë një pasqyrë e mërzitshme e kolapsit të klasës politike, e cila po të ishte e përgjegjshme do të kërkonte urgjentisht përgjigje ndaj problemeve të ngritura. Në Shqipëri ekziston rreziku që gjithçka të vazhdojë si deri më tani dhe pothuaj të gjithë të presin me padurim fjalimin e Baba Mondit në malin e Tomorrit.
Ja pra te dashur shqiptare kta te 4 katert jane ata qe shkatrruan vendin,vollen plackiten e vrane njerz te pa fajshem.Edhe sot mbas 29 vitesh kta vazhdojne programin e tyre te njejte me mashtrime,vjedhje e korrupsion galopant,akoma te pa ndeshkuar nga drejtesia.Ne jemi populli me frikacak,me I pa zoti duhet te cohemi ne protesta pa pushim edhe te dhunshme deri ne largimin e tyre nga e quajtura politike vrastare nga kta vrases.Duhet tju merren parate e pasurite e pa tundshme kolosale dhe te brgosen,vetem kjo eshte zgjidhja e vetme te shpetojme nji here mire nga kta komuniste vrastare te pa ngopur.Secili me ndytsire se tjeri,kta jane me te urryerit nga populli,don Zoti kemi fatin te na ndihmojne SHBA e gjermania te imponojne SPAK te fillojne hetimet ndaj ktyre kermaxhive.