Nga Ardit Rada
Ky 11 Dhjetor ka qenë i pesti që Partia Demokratike feston themelimin e saj. Duket si një detaj i harruar në debatin publik, por jo në histori. Ka një fiksim të pashpjegueshëm të ‘krahut Berisha’ që të ngatërrojnë çdo datë të ngjarjeve historike, përfshirë edhe themelimin e partisë së tyre. Për një kohë të gjatë PD është përballur me pretendimet e Berishës për ta përkujtuar themelimin në 11 Dhjetor, ndërsa ka ngurruar për vite me radhë për shkak të presionit të protagonistëve që faktojnë me dokumente datën 12 si ditë themelimi.
Ka qenë viti 2012 kur Berisha ishte kryeministër dhe 11 Dhjetori u festua për herë të parë. Në atë kohë, kjo u justifikuar me faktin se të nesërmen do të udhëtonte drejt Brukselit. Po përse ky truk, që ish-kryetari i hekurt kërkonte të bënte me datën? Arsyeja është tepër e thjeshtë. 11 Dhjetori është data kur Ramiz Alia dha vendimin për lejimin e pluralizmit, ndërsa PD u themelua ditën pasardhëse. Ky insistim për ta sjellë themelimin e Partisë Demokratike në të njëjtën datë me vendimin historik është një këmbëngulje arrogante për të hyrë në ditë dhe ngjarje me forcë.
Por si e gjen ky 27 Vjetor Partinë Demokratike? Ceremonia, që në dukje ishte më tepër si një përkujtimore sesa një festë, kishte mungesë të theksuar ambasadorësh, përfaqësues të komuniteteve fetare, ish-dhjetoristësh që numëroheshin me gishtat e njërës dorë dhe mbi të gjitha të themeluesve. Këta të fundit fatkeqësisht të ndarë nga jeta, ose në rastin më të mirë të flakur nga partia. Partia Demokratike e sotme ka fiks panoramën e 27 viteve më parë. Me një kryetar që dyshohet se komandohet nga ish-kryetari, sikurse Berisha dikur i dyshuar si marionetë e Ramiz Alisë.
Me një listë ‘armiqsh’ të rehabilituar, sikurse u krijua edhe me anëtarë e sekretarë të ish-PPSH. Sot, në PD gjenden fare lehtë si deputetë ish-fraksionistët e saj; Genc Pollo, Tritan Shehu, Valentina Duka, Nard Ndoka. Por nuk gjenden demokratët e viteve të para si Topalli, Selami, Mustafaj, Imami dhe Patozi. Në PD sot nuk ka asnjë anëtar të KOP-it të famshëm përveç Lulzim Bashës. Sikundër nuk ka mbetur asnjë themelues përveç Berishës.
E mbushur dikur me studentë naivë, po aq e mbushur është edhe sot në grupin parlamentar me emrat e të rinjve pa kontribute, pa formim dhe pa eksperiencë politike. Ashtu si dikur, ata janë sot të afruar nga interesat e tyre ose të prindërve në PD dhe jo nga idealizmi apo dëshira për opozitë.
Në ceremoninë e këtij viti, Lulzim Basha foli për skenar eliminimi që Partia i kishte bërë ballë këto vite. Në fakt, i vetmi kërcënim për Partinë Demokratike u shënua para zgjedhjeve të këtij viti kur PD e Bashës refuzonte të merrte pjesë duke vënë në pikëpyetje ekzistencën e saj. Në asnjë rast tjetër, forca e parë opozitare e vendit nuk ka qenë kaq pranë shkrirjes. Sepse në 27 vite, kjo parti ka qeverisur gjysmën e tyre dhe gjysmën tjetër në opozitë, ka jetuar në demokraci të vërtetë dhe jo si ajo e Berishës president, ku opozita rrihej dhe nuk lejohej as të bënte tubime.
Sot, Partia Demokratike është fiks si 27 vite më parë. Me liri të brendshme mendimi, por jo veprimi. Me kritika brenda partisë, por pa reflektim. Pa garë për kryetar ose garë të sajuar. Sepse siç e pranon dhe vetë Basha: “Sido qoftë, ne të paktën e bëjmë një garë. Jo si ai tjetri që bën referendum për të mos bërë garë”. Domethënë, një parti sa për sy e faqe.
© JavaNews.al