Nga Jorgo Mandili / Gazeta Dita
Platoni e prezanton veten si një qenie e ndriçuar në shëmbëlltyrën e tij të famshme të shpellës. Shëmbëlltyra përshkruan njerëz të mbyllur në një shpellë gjatë gjithë jetës së tyre. Ata janë të burgosur, por nuk e dinë që janë të burgosur. Një Mashtrues i Keq prapa tyre ka ndezur një zjarr, me anë të të cilit ai projekton hijet e gjithçkaje në murin e shpellës para të burgosurve. Banorët e shpellave i ngatërrojnë këto hije me realitetin. Vetëm duke dalë nga shpella të burgosurit mund të zbulojnë realitetin të ndriçuar nga dielli përtej saj. Të burgosurit e tronditur në shpellën e injorancës, Platoni, filozofi i ndriçuar, po përpiqet t’i nxjerrë në dritë në realitetin e vërtetë për t’i shpëtuar nga errësira e Mashtruesit. Por nëse “realiteti përfundimtar” për ta është i paarritshëm, a nuk është njëlloj sikur të thuash që nuk ekziston? Dhe për ta shpella, bota në të cilën ata jetojnë çdo ditë, është realiteti i vetëm. Atyre nuk u intereson nëse janë në një shpellë apo jo. Mjafton të argëtohen me projeksionet e Mashtruesit të Keq dhe janë të kënaqur me këtë gjendje iluzioni, sado që Platoni përpiqet t’i bëjë të vetëdijshëm!
Alegoria e Platonit për shpellën sqaron errësirën dhe mynxyrën nga e cila vuajmë nën berishizmin 30 vjeçar. A nuk është berishizmi si shpella e Platonit? A nuk është Berisha Ai Mashtruesi i Keq, që projekton në muret e shpellës së tij realitete të tjera, të ndryshme nga ato që kanë ndodhur në të vërtetë? Kjo Shpellë e Injorancës është konfirmimi më i saktë i “profecisë ” së Konicës në vitin 1899, i cili ka theksuar se “shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”. Për këtë 30 vjeçar që bëjmë fjalë u mashtruam nga Sali- UI për demokracinë, për lirinë, për drejtësinë përmes një demagogjie e hipokrizie të paskrupullt, për ta bërë Shqipërinë si Europa. Idealet e demokracisë që i projektonte në shpellë ky Mashtrues i Keq, të shkëlqyera për bukurinë dhe harmoninë e tyre, u morën nëpër këmbë nga po ky Mashtrues i Keq, që nën trysninë e instinktive ataviste dhe të një etike prehistorike para arsyes e ligjit dhe nën trysninë e leverdive vetjake nga lakmia e babëzia për pushtet e pasuri e transformoi këtë vend nga një Republikë Demokratike, siç projektohej në shpellë në një Despotat Oriental në realitetin jashtë Shpellës. Duke parë se në Shqipëri ky Despot po bënte “kërdinë” përmes korrupsionit shtetëror dhe Demokracia po vihej në rrezik për një vend të tillë të NATOS,e mbi të gjitha aleat besnik i SHBA – së, departamenti i shtetit amerikan u “shfaq” si Platoni përmes Sekretarit amerikan të Shtetit dhe ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim për t’u treguar banorëve të Shpellës së Injorancës se ishin të mashtruar.
Banorët mekatarë të shpellës së Saliut ngjajnë si jeniçerët e dikurshëm… Janë gati të sakrifikojnë gjithçka për të…
Për banorët e shpellës “dashuria për prijësin” i tejkalon kufijtë e arsyes njerëzore deri në abnegacion: edhe bar të hamë por Salën nuk e lamë” . Rreth tij turma e servilëve dhe lakejve që i pëshpërisin në vesh: “Si guxon ai, Blinkeni të të akuzojë ty dhe familjen tënde për korrupsion? Apo ajo, “Kimetja, ambasadorja amerikane të të ulë ty para të tjerëve? Ti, që ke sjellë demokracinë, ti, që ke sakrifikuar për këtë popull?, etj, lajka si këto, që edhe mendjet më të ndritura e më të arsyeshme, u bëjnë ballë me vështirësi.
Dhe i dëshpëruari i madh, që e ndjen “acarin” e drejtësisë,në këto momente i ngazëllyer nga këto fjalë shpërthen brenda shpellës : “sikur njëmijë të mbeti, do të mbetem njëri pre jush/ sikur njëqind të mbeti, do të mbetem njëri prej jush / sikur edhe vetëm një të mbeti do të jem njeri prej jush “…E, turma e jeniçerëve dhe eunukëve të “burgosur” të shpellës brof në këmbë me një frenetizëm duartrokitjesh që na sjellin ndërmend kohën e Enverit : Parti – Sali, gati jena bashkë me ty! Edhe bar të hamë, ty nuk t’lamë! etj, etj. Shpella bubullon e Sala ngazëllon!
“VIVA LA MUERTO!” – “ABAJO LA INTELIGENCIA!”
Duke parë “ushtrinë” e tij në këmbë për ta mbrojtur nga “armiqtë” amerikanë, këtë ” burrë shteti”, këtë “hero” të demokracisë, që u ka “ngrirë buzëqeshjen shqiptarëve për 30 vjet” ,kujtesa më çoi tek një ngjarje në universitetin e Salamankes, Spanjë. Gjenerali frankist Milan Astraj, në vitin 1936, në një fjalim që mbajti në Universitetin e sipërpërmendur, bëri thirrjen nekrofilike : “Viva la Muerto!”(Rroftë Vdekja!) Dhe dikush prej ithtarëve të tij e kishte thënë këtë me zë të lartë nga salla e Universitetit. Kur gjenerali e kishte përfunduar fjalimin e tij, rektori Unamuno nxitoi e tha: “Posa dëgjova një britme nekrofilike dhe absurde në shkallën më të lartë “Rroftë Vdekja “!. Dhe unë që e kam kaluar jetën duke formuluar paradokse, që herë pas here shkaktojnë tek njerëzit një zemërim të papërshkruar, duhet t’ju them si ekspert, se ky paradoks barbar është i neveritshëm për mua. Unë bëhem keq kur mendoj se gjeneral Milan Astraj do të jetë shembëlltyrë e ndërgjegjes masive. Ndërkaq, Milan Astraj nuk u përmbajt dhe thirri: “Abajo la inteligencia” (Poshtë inteligjenca!”) dhe falangistet, që ishin ulur në sallë, e kapën britmën e tij dhe filluan të ulërinin. Por Unamuno vazhdoi: “Ky është Tempulli i Intelektit. Dhe unë jam Profeti i tij Suprem. Kurse ju po i ndotni këto mure të shenjtë. Ju do të fitoni, sepse në anën tuaj është një forcë brutale. Por ju nuk do të mund të bindni asnjë. Që të bindësh dikë, duhet të zotërosh cilësi, të cilat juve ju mungojnë:Arsyeja dhe Drejtësia. Unë e konsideroj të padobishme t’ju bëj thirrje të mendoni për Spanjën. Unë përfundova”.
“Viva la muerto” ,”Abajo la intelingence” janë të njëjtat motive që kanë inspiruar edhe nekrofilin Sali- Ui. Çfarë ndryshimi ka ky “mareshalli” ynë nekrofil nga gjenerali frankist Milan Astraj? Milan Astraj në Tempullin e Diturisë guxoi t’i thur lavde vdekjes, kurse mareshalli ynë në shpellën e injorancës ka mbjellë vdekjen për 30 vjet rresht. Duken të njohura për të gjithë disa fakte tronditëse kundër këtij përbindëshi të tmerrshëm, por unë nuk do të lodhem për t’i ritreguar ato, derisa ai të mbetet një fillikat mjeran dhe i shpërfillur në këtë botë. A nuk mbolli vdekje në masakrën e 26 majit të vjedhjes së votave dhe terrorit kundër socialistëve dhe progresistëve; a nuk mbolli vdekjen me krijimin e piramidave dhe shpërthimin e luftës civile ku 3000 nëna u veshën me të zeza dhe ky nekrofil për të shpëtuar veten ishte gati të fuste në luftë Veriun kundër Jugut; a nuk mbolli vdekjen duke shfrytëzuar vdekjen në kryengritjen e 14 shtatorit 1998 për të marrë pushtetin me dhunë? A nuk mbolli vdekjen e mbi 10000 individëve për çështjen e pronave duke i çuar në vetëgjyqësi për shkak të padrejtësive të gjyqtarëve “plepistë” produkt i mendjes së tij djallëzore për të mbrojtur kasaphanë që po përgatiste? Një makabritet i paparë, më e rëndë se zhvarrosja e të vdekurve. Kush mund t’i bëjë veprime të tilla përveç një njeriu që fantazon vdekje, shkatërrime, destruktivitet? Që urren njerëzoren, jetën, njerëzit përveç vetes dhe familjes së vet? Se po të ishte ndryshe nuk do të ngrinte “kompaninë familjare të vdekjes” në masakrën gjakatare të Gërdecit ku djali i tij, baxhanaku dhe Fatmir Mediu me dijeninë dhe përkrahjen absolute të tij, rrafshuan një fshat të tërë dhe kallën në varre 26 njerëz të pafajshëm midis tyre edhe fëmijë? Apo në 21 Janar a nuk mbolli vdekjen, ku në fund të protestës ,në mes të kryeqytetit europian në shek. 21, për të tmerruar njerëzit që të mos bënin më shaka t’i kërcënonin pushtetin, vrau katër fakirë fukarenj që kishin dalë në protestë për bukën e gojës (i vetmi faj i tyre),katër të pafajshëm, katër baballarë që lanë jetimë fëmijtë e tyre? Kush mund të mbjellë vdekje e masakra të tilla në një vend “demokratik”? Vetëm një individ si Sali-UI që mendon dhe vepron në emër e në funksion të pasionit të tij për shkatërrim e shfarosje, për gjithçka që është e vdekur, e prishur, e kalbur, e sëmurë; për të shndërruar atë që është e gjallë në diçka të vdekur.
Milan Astraj mori guximin të poshtërojnë Dijen, Virtytin, Inteligjencën, në Tempullin e Diturisë, kurse ky në Shpellën e Injorancës merr guximin të artikulojë poezi nga madhështia shpirtërore e poetit ! A ka shëmti më të madhe për të gjetur një ngushëllim famëkeq për të në këto ditë të vështira të një dëshpërimi të madh?
NË GJENDJE DEPRESIONI
Sjelljet,shfaqjet e tij në konferenca shtypi e studio televizive familjare të tipit “fevzo- peka- vasili- krasta” tregojnë se përbindëshi përpiqet të shpëtojë si Kserksi, i cili i mundur, i shpartalluar, duke parë kudo shkatërrimin e pasurisë së tij, mundi të shpëtonte vetë, duke u futur në mes të kufomave të ushtrisë së tij. Por e ka të kotë! Për të nuk ka shpëtim. Ai është mbërthyer në “darën” amerikane. Dhe ai e di mirë se çdo të thotë kjo. Prandaj edhe “trimërimet” e tij me daljet në konferenca, studio televizive e me artikulimet e tij, sado të kamufluara të jenë janë të lexueshme. Jo më kot artikuloi përsëri duke i njoftuar gazetarët – se… “javën që kaloi avokati dorëzoi padinë pranë gjykatës Koreksionale të Parisit dhe ju do të merrni dëshminë e dorëzimit. As vetë nuk e beson këtë që thotë, por është i detyruar nga dëshpërimi që e ka kapur. Cili avokat sado “tenor” të jetë do të mund të mbrojë këtë Përbindësh nga krimet, vrasjet e sidomos nga korrupsioni shtetëror i tij dhe familjes së tij për të cilën edhe akuzohet? Me çfarë faktesh e prova do ta mbrojë Avokati? A nuk ishte ky që erdhi në pushtet me denoncimin e korrupsionit galopant të Fatos Nanos? A nuk ishte ky që erdhi në pushtet me premtimin e luftës pa kompromis kundër korrupsionit me “duar të pastra, transparencë, ligjshmëri, mbrojtje të pasurisë personale e kthimin mbrapsht të abuzimeve të bëra nga qeverisja Nano? Por çfarë ndodhi me të, Familjen e aleatët e tij të favorizuar për korrupsion thelbësor?
Gjatë kësaj periudhe 2005-2013, Familja u organizua si një kompani private, por me të ardhura publike. Argita hapi një studio ligjore ku ndihmonte dhe “këshillonte” investitorët që vinin në Shqipëri kundrejt një kapari 10 % të vlerës së investimit. Në të njëjtën kohë Argita merrej edhe me “rikonjicionin” e pronave në bregdet, që pasi i “blinte” i shiste me 300 fish siç ishte prona e Porto Palermos që u gënjyen fshatarët që me “dëshirën e tyre”, e shitën me 1$ metrin katror. Mjaftoi një VKM e “baba Saliut” që kjo pronë të shpallej “park energjetik” të cilën Argita me Fazlliçin e shitën me 300$ metrin katror. Fazlliçi ishte “Kumbari” i Familjes por edhe i preferuari i Sali-UI, kaq i afërt sa merrte pjesë edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili e nderonte me pjesëmarrjen e tij. Të babëzitur, për të mos përsëritur gabimin e mandatit të parë ju sulën të gjitha pronave të Shqipërisë nga Velipojë, Seman Konispol. Në këto afera padyshim do merrte pjesë edhe specialisti i mjedisit, dhëndrri- Jamarbëri me pronat e Jalës, një super mashtrim nën çadrën e Bankës Botërore, pronat e klubit “Partizani” etj. Kurse Shkëlzeni u orientua drejt një biznesi të vështirë – atij të demontimit. Së bashku me Fatmirin e Aldo Bumçin i kopsitën dokumentet. Në skenë doli Delijorgji që ndiqte punimet, kurse këta “qentë e luftës” do ngeleshin me “duar të pastra” në rast se kjo aferë të mos kish shpërthyer e t’i nxirrte lakuriq para popullit. Ja pra se në çfarë krimi dhe korrupsioni qe futur Familja me djem vajza, dhëndurrë, baxhanakë kunetër, miq shokë e aleatë, në fshehtësi e me babëzi. Nuk mund të mbetej pa u aktivizuar edhe gruaja e “urtë e fisnike” që lante paratë e “Armos” të Rezart Taçit me “bamirësitë” e shoqatës së autorëve me mbrëmjet “Gala”, ku bliheshin piktura, mblidheshin fonde e natyrisht edhe argëtoheshin politikanë, biznesmenët e QTU e TEG, gjyqtarë si Gjin Gjonët e prokurorë si Llallët, oligarkë financiarë Santosh& Fullanë etj , të gjithë VIPA të shoqërisë së lartë “fisnike”, të sapo dalë nga gjendja natyrore! Një tufë me Kusarë ! Me Ballinjë Selmanllarë/ Delijorgje dhe Fazlliçё,/ Taç e maç e berishiçe./ Kjo është klike qeveritare,/ Është një bandë kriminale/Ruli, Basha dhe Mediu/ Kapobanda është Saliu. (A.Duka)
A nuk i di këto fakte e bëma Berisha? Po amerikanët a nuk i dinë? Atëherë përse i bën thirrje Blinkenit : ” …që në emër të transparencës të dërgojë dokumentin dhe provën që ai apo çdo kush tjetër në botë disponon kundër Sali Berishës”. Nëse publikojnë një fakt nga SHBA do marr çdo lloj vendimi. …por nuk ka fakte …ju më keni dënuar me të padrejtë dhe unë e di psenë – Hakmarrje e Edi Ramës dhe mikut të tij George Soros.”
Vërtet beson Berisha se Shteti më i fuqishëm i botës në Tokë pas Zotit do të intimidohet nga Edi Rama dhe Sorosi për të dënuar këtë farë “burrë shteti” e “hero të demokracisë”, që vë në dyshim vendimin e sekretarit të departamentit të SHBA?
Përpos një zemërimi gjenetik, si cilësi themelore e një qenieje të tillë “prehistorike”, kjo konferencë shtypi mund të jetë edhe për “mbajtjen e zjarrit ndezur” në shpellë për militantët e vet për t’u treguar përmes projeksioneve iluzioniste “heroizmat e trimërinë e tij dhe t’i bindë në “pastërtinë e duarve të tij”, Unë jam i pastër – do t’u thotë përkrahësve- prandaj nuk kam frikë as nga Blinkeni, as nga ambasadorja amerikane, as nga Departamenti i Shtetit” . “Mua më thonë Sali Berisha dhe jam njeri prej jush e do jem gjithmonë me ju e me Partinë Demokratike”! Për të treguar jo vetëm “trimërinë” tribale para “litarit” amerikan rreth fytit të tij, laku i të cilit vjen duke u shtrënguar, por edhe për të paralajmëruar Lulin, se unë “baba yt shpirtëror të kam mbrojtur e nuk të kam shitur prandaj kujdes” …
ZËMËRATA DHE HAKMARRJA PATOLOGJIKE
A janë spontane e të rastësishme këto veprime, artikulime e sjellje të këtij Mashtruesi të Shpellës kundrejt departamentit të Shtetit, Blinkenit, ambasadores, e të gjithë atyre që janë kundër tij? Jo! Aspak! Ato janë shfaqje të moralit të tij të bazuar në një “etikë prehistorike” që nuk mund të largohet dot – bazuar tek forca dhe tribaliteti. Ndjenja vendimtare që udhëheq këtë moral është dëshpërimi – një formë zemërimi – që shfaqet dukshëm tek ata që janë shtypur dhe skllavëruar më parë. Ajo që shfaqet është një “moral skllav i tij, që në fillim i thotë “Jo”, asaj që “është jashtë egos së tij”! Që i thotë “Jo”, asaj që “është ndryshe”! Që i thotë “Jo” asaj që “i prish punë atij”! Dhe kjo “Jo” – është vepra e tij krijuese. Nietzsche thotë se këto koncepte janë “të zhytura në gjak tërësisht dhe për një kohë të gjatë.” …Dhe ky Mashtrues i Shpellës i ka në gjak – nuk do asnjë kundërshtim, asnjë veprim pa dijeninë e tij. Gjithçka duhet ta ketë nën kontroll. Njëlloj sjelljeje totalitariste fashiste! Një minifyhrer diabolik!
Me këtë “shtypje skllavëruese që lidhet si me origjinën familjare, kushtet në të cilat është rritur dhe ato të shkollimit e karrierës profesionale e politike shpjegohet zemërata e hakmarrja patologjike e tij. Duke i përkitur një shtrese të ulët ekonomike e kulturore,ai e ka ndjerë këtë “shtypje dhe skllavërim” kur doli jashtë “shpellës” së tij dhe u përplas me një realitet përballë të cilit ai u kompleksua. Duke qenë ambicioz dhe egosaur synoi, pasi arriti të bëhet “dikushi”, me marifete të ndryshme mashtruese e hipokrite, përfshirjen e tij në shtresat më të larta dhe të sigurta të shoqërisë komuniste. Prandaj u bë anëtar partie, iu vardis fëmijëve të Enverit, Hysniut e të afërmve të tij. Pastaj pas vdekjes së udhëheqësit, iu vardis Simonit, Ramizit etj. Për të fituar simpatinë e tyre përpiqej të tregohej “besnik i partisë”, përpiqej të dukej i miredukuar e familjar i rregullt, siç donte partia, aktivist në punë në lagje e kudo, një xhentëlmen i vërtetë “komunist ” i devotshëm që mbronte marksizëm leninizmin me sloganin “Edhe bar të hamë,parimet nuk i shkelim”. Ndërkaq në sjellje, qëndrime e veprime praktike për mbrojtjen e këtij ideali shfaqej “më katolik se papa”. Deri në “dëshmi” kundër “armiqve të klasës” apo përjashtime e demaskimin studentësh për shfaqje të “huaja liberale” etj. Admirimi që shkaktonte kjo shtresë tek ai, dhe prania e tij në këtë shtresë i jepte mundësinë për t’u hakmarrë ndaj atyre, të cilët nuk e kanë përfillur më parë.











