Nga Mero Baze
Pas izolimit të tij të madh pas vitit 1997, beteja e Berishës ka qenë e kundërta. Fjala vjen, kur Genc Pollo vendosi të kandidonte përballë tij në vitin 2000, Berisha ishte gati të bënte çfarë kishte mundësi mbi tokë që ai të kandidonte. Madje ishte gati dhe i mblodhi edhe firmat në Këshill Kombëtar që të plotësonte kriteret.
Genc Pollo, ngaqë ia njihte këtë hall, e terrorizonte duke bërë sikur çdo ditë kishte pengesa për të kandiduar, derisa Berisha vendosi Jemin Gjanën t’i mblidhte firmat në sallë.
Por dhe pas kësaj, prapë iku një ditë para nga gara duke akuzuar Berishën se ai kishte ndërmend ta akuzonte atë se e ka pas gjyshin kryetar të andartëve grekë në Përmet dhe se do ta rrihte fizikisht atë.
Nuk është se nuk e kishte pas gjyshin me andartët dhe as që përjashtohej mundësia që “andarët” e Berishës tani edhe mund ta rrihnin, por asgjë nuk kishte ndodhur ende dhe ai iku dhe dha dorëheqjen. Kjo ishte rruga më e mirë për ta dëmtuar Berishën dhe për ta plagosur rëndë lidershipin e dhunshëm të tij.
Pra, pas vitit 1997, kur Berisha ishte në pozita të ngjashme me këto të sotmet, me SHBA dhe BE kundër dhe i izoluar nga elektorati, përpjekja e tij për të rregulluar imazhin ishte aq e fortë sa ishte gati t’i binte në gjunjë Genc Pollos vetëm të mos ikte nga gara, pasi e kishte të sigurt çfarë i bënte në garë.
Por ai nuk ia dha këtë kënaqësi.
Tani po ndodh e kundërta.
Nëse ka ndonjë recetë se si mund të dëmtohet edhe më tej PD në prag të zgjedhjeve formale të 23 majit, është kjo që po bën Sali Berisha. Beteja e tij jo vetëm për të mos lejuar kandidatë përballë, por edhe për të përjashtuar nga PD çdo anëtar apo drejtues të PD që shihet në kafe apo rrugë me ata që i ka caktuar tani si armiq të tij, është tërësisht në favor të Salianjit dhe kundër Berishës.
Salianji nuk ka asnjë arsye të ndihet i goditur nga Berisha me këtë që po bën Berisha, pasi kjo është shkalla maksimale që ai nuk do arrinte dot kurrë të dëmtonte Berishën nëse nuk do kishte në këtë betejë aleat vetë Berishën.
Problemi që ka Berisha dhe PD tani, pas marrjes së vulës e logos nga Basha, është se Berisha premtoi se do ta bashkonte, do ta bënte më të madhe dhe do ta forconte. Në fakt, ai me dorë të tij po e përçan, po e zvogëlon dhe po e dobëson në mënyrë të pariparueshme.
Mënyra se si mund të dëmtohej Salianji ishte ai kujdesi dhe frika me të cilën Berisha ruante Genc Pollon që të mos i tërhiqej nga gara. Fakti që Salianji do të hyjë në garë apo të tërhiqet si kokëfortë dhe Berisha e ndalon dhe madje edhe e përndjek, është një nder i pazakontë për të, pasi i legjitimon të gjitha kauzat dhe ato çfarë ka thënë për Berishën dhe PD.
Në këtë pikë i kuptoj edhe ata që mendojnë se kjo është një lojë e Berishës për të dekurajuar këdo që kërkon t’i marrë PD që të mos ketë më të tjerë në të ardhmen. I kuptoj edhe dëshirat e Berishës dhe përpjekjet për ta analizuar atë. Po merrni parasysh edhe faktin që ka rrëshqitur dhe nuk di ç’bën më.











