• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 8, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Një natë në Srebrenicë

by Enver Robelli
11/07/2020 20:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Enver Robelli

Atë natë ra shi. Nuk ishte shi me rrebesh. Ishte shi i prajshëm që binte mbi tokën e butë. Ishte nata mes 10 dhe 11 korrikut 2005. Shënohej 10-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. Ra shi gjatë gjithë natës. Hotel në Srebrenicë? Jo, diçka të tillë s’kishte. Te Abdullahu, ndër myslimanët e parë që ishte kthyer në Srebrenicë dhe kishte hapur një restorant dhe një bujtinë, s’kishte vend më. Diplomatë dhe dinjitarë, politikanë dhe “ekspertë të rajonit” i kishin zënë karriget dhe shtretërit.

Gjeta strehë te një familje që kishte mbijetuar krimin e llahtarshëm. “Jebiga”, tha i zoti i shtëpisë, edhe vetë i habitur që kishte mbijetuar tmerrin, pastaj rrudhi supet, përkëdheli fëmijët dhe ra në gjumë. Të nesërmen kodrat rreth Srebrenicës i kishte mbështjellë mjegulla. Nëpër qytet shiheshin vetura me targa të Gjermanisë, Suedisë, Francës, Zvicrës, Austrisë, Holandës, Belgjikës… Të mbijetuarit e Srebrenicës jetojnë të shpërndarë në 105 vende të botës. Nga Zelanda e Re në Amerikë.

Atë ditë, më 11 korrik 2005, dukej se kishin ardhur të gjithë në Srebrenicë për të kujtuar rreth 8 mijë burra e djem të vrarë nga forcat serbe. Gjatë ditëve të mëparshme punëtorët kishin hapur 610 varre. Për 610 arkivole të thjeshta, të mbuluara me një cohë të gjelbër, si ngjyra që simbolizon fenë e tyre islame.

Shiu që kishte rënë gjatë gjithë natës i kishte mbushur gropat e varreve me ujë. Gjatë tërë paradites dëgjohej zhurma e pompave elektrike duke nxjerrë ujin nga varret. Si të lëshohen një grusht eshtra në ujë? Gra të mbuluara me shami të bardha qëndronin pranë varreve, duke u mbështetur në njëra-tjetrën. Një kor këndonte këngë të dhimbshme. Këngë vajtimi.

Për të mbijetuarit e masakrës ky përvjetor, si çdo përvjetor, ishte ndër ditët më të rënda. Por edhe për neve gazetarëve ndër ditët më të dhimbshme, më të vështira dhe profesionalisht më sfiduese. Shumëçka më kujtohet nga ajo ditë. Ishte e pamundur të shkruaja dy rreshta në qendrën e mediave afër varrezave. E nisa dhe e përfundova shkrimin në një lokal në një mal nja 10 apo 15 kilometra larg Srebrenicës. Gjendet në arkivin e mediave të Zvicrës. E ka titullin: “Ein Trauerlied für die Opfer von Srebrenica”. 15 vjet pas përvjetorit të 10-të dhe 25 vjet pas masakrës – qetësia mbi varre nuk është kthyer ende. Sepse kjo është e pamundur.

Mille Stojiq, poet e publicist nga Sarajeva, në poezinë “Hatixha” (kushtuar Hatixha Mehmedoviqit, e cila në masakrën e Srebrenicës humbi burrin dhe dy djem) shkruan: “I shoh në ëndërr. I thërras. I kërkoj. Më shfaqen në ëndërr dhe unë ju them: ‘Ju do nëna, jam duke parë ëndërr apo vërtet jeni kthyer?’ Ata thonë: ‘Kemi ardhur, nënë, nuk je duke parë ëndërr’. Pastaj zgjohem e vetmuar, askush nuk shihet”. Në webfaqen “Remembering Srebrenica” gjendet një tekst i skocezit Robert McNeil. Ai tregon se si me vite të tëra ka punuar si mjek i forenzikës në identifikimin e viktimave në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. “Ndonëse arrita të mësojë përherë e më shumë mbi atë që kishte ndodhur, përherë e pyesja veten: a ka qenë e mundur të pengohen këto krime?” Për t’u përballur me këtë pyetje torturuese Robert McNeil merret me pikturë. Kështu, përmes pikturës, ai synon të përballet me të papërballueshmen.

Në numrin e së shtunës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” sjell një intervistë me Jasmila Zhbaniq, njëra prej regjisoreve më të njohura të Bosnjës, fituese e Ariut të Artë në Berlin me filmin “Gërbavica” (ose “Sekreti i Esmas”) – një film mbi një grua boshnjake të dhunuar në luftë. Zhbaniq ka xhiruar së fundi një film mbi Srebrenicën, i cili ka qenë e planifikuar të shfaqet në 25 vjetorin e masakrës. Pandemia i ka ndryshuar planet. Ndoshta tek vitin e ardhshëm ky film do të shfaqet në kinema. Në intervistë Zhbaniq, e cila jeton në Berlin, thotë: “Në këtë konstelacion një rol të madh ka luajtur fakti se viktimat kanë qenë myslimane. Ato konsideroheshin më pak të denja për t’i mbrojtur. Kjo ende luan rol në BE. Bosnja kurrë nuk do të jetë pjesë e BE-së, sepse Brukseli ende sundohet nga një frikë e thellë nga myslimanët. Mos ta mashtrojmë veten: nëse Srebrenica do të ndodhte tani sërish, BE nuk do të lëvizte as gishtin. Ky është dimensioni tragjik i këtij përvjetori”.

A është kjo e vërteta absolute? Zhbaniq ka të drejtë kur flet për frikën apo rezervat e aversionet e Europës perëndimore kundër myslimanëve – qofshin këta edhe myslimanë liberalë nga Ballkani. Por çfarë thotë Zhbaniq nuk është e saktë në pretendimin absolut, sepse qëndrimi i saj përjashton fakte të tjera. Vetëm 4 vjet pas Srebrenicës Perëndimi për 78 ditë bombardoi dhe dëboi Serbinë nga Kosova, ku Sllobodan Millosheviqi po përpiqej të zhbënte një popull, shumica e të cilit formalisht është mysliman. Bile Serbia luante pikërisht me këtë kartë: si gjoja “fuqi avangarde” që po e mbronte Europën nga “myslimanët e rrezikshëm” (shqiptarët si “bërllok i civilizimit”, siç thoshte Dobrica Qosiqi, babai shpirtëror i Sllobodan Millosheviqit, Vojisllav Sheshelit dhe Aleksandar Vuçiqit).

Përralla për kosovarët islamist nuk u shit. E para: për shkak se shqiptarët e Kosovës ishin identifikuar në Europë me një lider që më shumë i përngjante një poeti të lagjeve të Parisit që e kalon ditën i thelluar në teori letrare se sa një politikani ballkanik të etur për gjak. Së dyti: përkundër përçarjeve të tmerrshme brendashqiptare lëvizja e armatosur për çlirim nuk toleroi që brenda saj të futen elemente islamiste. (Kjo në Bosnjë, për fat të keq, ka ndodhur pjesërisht, dhe ka ndodhur edhe me tolerancën e liderit boshnjak Alija Izetbegoviq, një figurë më shumë tragjike e luftës).

“Në Ballkan”, vazhdon Zhbaniq, “amerikanët dhe europianët po bëjnë pazare me forca islamofobe dhe fashiste”. Edhe po të ishte kjo e vërteta e vetme, ku mbetet përgjegjësia e popullsive vendore? Ku mbetet përgjegjësia e klasës intelektuale? E shoqërisë civile? E qytetarëve? Kush i ka zgjedhur dhe kush i mban në pushtet këto struktura parapolitike në dekadat e pasluftës? A mund të fajësohet Europa për çdo dështim të shoqërive ballkanike? Një ndër momentet më të rënda të viteve të fundit është ky: kur avioni ushtarak amerikan aterron në Prishtinë dhe sjell nga Siria gra e fëmijë të xhihadistëve shqiptarë që shkuan atje të luftojnë për kalifat dhe kur qindra boshnjakë po ashtu i bashkohen valles së apokalipsit pseudoreligjioz në “tokën e Shamit”.

Si u bë e mundur kjo? Këtë e bëri të mundur keqqeverisja, vjedhja e shoqërisë nga klasa sunduese, këtë e bëri të mundur edhe shoqëria oportuniste, që toleroi gati çdo gjë dhe u pajtua me “faktin” se “kështu është e shkruar”, e shkruar na qenkësh të kemi spitale që duken si ahure, e shkruar qenkësh që të rinjtë të mos kenë kurrfarë perspektive, e shkruar qenkësh të ekzistojë një sistem arsimor që nuk e meriton këtë emër dhe e shkruar qenkësh të kemi politikanë që të arritur kulturore e shohin një grumbull qoftesh dhe disa shishe me raki, pra sundimtarë pa ideal. Të shtunën në Srebrenicë u mbajt një ceremoni përkujtimore në 25-vjetorin e gjenocidit. Mes shumë burrështetasve që folën përmes videolidhjes, ishte edhe Rexhep Taip Erdoani, të cilin shumë boshnjakë po e shohin si baba mbrojtës. Ishte një skenë teatrale të shohësh Erdoanin duke folur për tolerancë, drejtësi, sundim ligji. Një autokrat që të gjitha këto i ka shkelur me të dy këmbët dhe të shtunën mburrej se e ktheu në xhami Aja Sofinë, kishën e njohur greko-ortodokse që ishte shndërruar në muze nga Mustafa Kemal Ataturku.

Srebrenica si emër është shkëputur nga qyteti në Bosnjën lindore dhe sot është edhe sinonim që shtron shumë pyetje si për dështimin e Perëndimit, ashtu edhe për dështimet lokale para, gjatë dhe pas Srebrenicës. Me pyetje të pakëndshme duhet të ballafaqohet edhe Europa perëndimore, e cila po bëhet gjithnjë e më jotolerante, ku forcat të ekstremit të djathtë futen në parlamente dhe ku thyerja e tabuve është bërë trend. Për ta ballafaquar Europën me pyetje të pakëndshme vendet e Ballkanit duhet të kenë udhëheqës të denjë. Sepse, në fund të fundit, nga Europa nuk mund të kërkohen vetëm para dhe liri e lëvizjes pa akceptuar vlerat e saj. Serbia si shtet që ka shkaktuar katër luftëra në Ballkan, për shembull, është favorizuar mjaft nga BE. Dhe ky është gabim i BE-së. Por që nga hapja e negociatave për anëtarësim në BE më 2014 ky vend nga 35 kapituj për anëtarësim në BE ka mbyllur vetëm dy. Për ta kaluar këtë bllokadë të BE-së Serbisë nuk po i ndihmon “feja e përshtatshme”. Bllokada po bëhet për shkak të stagnimit dhe regresit në Serbi – përfshirë edhe trendin makabër të mohimit të krimeve të luftës, sidomos gjenocidin në Srebrenicë. Atë natë ra shi. Nuk ishte shi me rrebesh. Ishte shi i prajshëm që binte mbi tokën e butë. Ishte nata mes 10 dhe 11 korrikut 2005.

Next Post
Shenja perfekte e Zodiakut që gjykon vazhdimisht të tjerët!

4 shenjat misterioze të horoskopit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kunata e akuzoi për sjellje imorale, Klodiana ia rrëzon pretendimet live: Vjehrri më rrahu kur isha shtatzënë!

Kunata e akuzoi për sjellje imorale, Klodiana ia rrëzon pretendimet live: Vjehrri më rrahu kur isha shtatzënë!

December 7, 2025
Euro këmbehet për 96.57 lekë, në nivelin më të ulët historik / Por fundviti pritet ta dobësojë edhe më tej

Euro këmbehet për 96.57 lekë, në nivelin më të ulët historik / Por fundviti pritet ta dobësojë edhe më tej

December 7, 2025
“Shqipëria, vendi i vetëm pa zv/kryeministër”/ Avokati: Është cënuar ekzekutivi

“Shqipëria, vendi i vetëm pa zv/kryeministër”/ Avokati: Është cënuar ekzekutivi

December 7, 2025
Pas thirrjes së Musk-ut për të shfuqizuar BE-në, rrjeti i del në mbrojtje unionit me moton: Ky është flamuri im!

Pas thirrjes së Musk-ut për të shfuqizuar BE-në, rrjeti i del në mbrojtje unionit me moton: Ky është flamuri im!

December 7, 2025
“Fat, para dhe surpriza”/ 3 shenjat e horoskopit që do të përjetojnë ditë ‘magjike’ gjatë festave të fundvitit!

“Fat, para dhe surpriza”/ 3 shenjat e horoskopit që do të përjetojnë ditë ‘magjike’ gjatë festave të fundvitit!

December 7, 2025
Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, KQZ: Mbi 70 mijë votues të regjistruar nga diaspora

Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, KQZ: Mbi 70 mijë votues të regjistruar nga diaspora

December 7, 2025

Të rinjtë e 1990 dhe të rinjtë e 2025 në PD

December 7, 2025
Shishe plastike në gomat e makinës, si të mbrohen shoferët nga truku i ri i grabitësve

Shishe plastike në gomat e makinës, si të mbrohen shoferët nga truku i ri i grabitësve

December 7, 2025
“Jemi të përkushtuar për paqen”, Zelensky i bën thirrje aleatëve evropianë për bisedimet SHBA-Ukrainë

“Jemi të përkushtuar për paqen”, Zelensky i bën thirrje aleatëve evropianë për bisedimet SHBA-Ukrainë

December 7, 2025
Partizani triumfon në derbin e kryeqytetit, mposht 0-2 Tiranën në “Arenën Kombëtare”

Partizani triumfon në derbin e kryeqytetit, mposht 0-2 Tiranën në “Arenën Kombëtare”

December 7, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In