Agjencia e Trajtimit të Pronave u lë afat 1-mujor të gjithë pronarëve që kanë mangësi në dokumentacion për ta plotësuar atë.
Në këtë fazë janë rreth 2500 pretendentë të pronave, të cilët kanë aplikuar në vitin 1995 dhe për ta nuk është marrë vendim nga ATP, për shkak të mungesës ose gabimeve në dokumentacion. Këta pronarë mund të përfitojnë nga fondi i kompensimit të këtij viti, vetëm në rast se dorëzojnë dokumentet e nevojshme, mungesa e të cilave është verifikuar për çdo emër. “Subjektet e interesuara që evidentojnë të meta apo pasaktësi në regjistër mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati 1-mujor”, thekson ATP-ja. Ndërkohë deri tani, në sportelet e institucionit janë paraqitur rreth 300 pronarë, por ky interes i vogël ka qenë edhe për shkak të paqartësisë së pronarëve, të cilët pas planit të qeverisë për ristrukturimit të institucionit dhe mungesës disa-mujore të një drejtori në ATP, kanë hezituar të plotësojnë dokumentet.
Gabimet e gjetura
Nga të gjitha kërkesa e depozituara 22 vjet më parë, vetëm 700 vendime janë ezauruar ndërsa të tjerat thuajse janë në balancë, mes atyre që kanë gjithçka në rregull dhe janë gati për kompensimin, dhe të tjerëve, që nuk mund të përfitojnë asgjë nëse nuk dërgojnë dokumente shtesë. Konkretisht, në 2500 dosjet për kërkesa kompensimi të tokave e trojeve në të gjithë vendin, është hartuar dhe lista përkatëse e mangësive.
“Shekulli” sjell shembujt ku kanë gabuar pronarët, ose më saktë çfarë problematike është gjetur për pronat që ata pretendojnë. “Vendimi është fotokopje, vendim është i pjesshëm deri në momentin që komisioni do të përcaktojë sipërfaqen e lirë që do të kthehet dhe mungon dokumentacioni për të përcaktuar sipërfaqen mbi të cilën do të ushtrohet e drejta e parablerjes”, shënohet te një pjesë emrave kërkues, pas verifikimit. Disa kërkesa të tjera kanë mospërputhje të vendimit me planvendosjen e pronës.
“Për këtë me kërkesë të subjektit ka dalë urdhri i drejtorit të Përgjithshëm, nr. 829/2, datë. 24.4.2009 “Për ushtrim iniciative ndaj këtij vendimi, por nuk është finalizuar me vendim”, deklaron ATP për to. Ndërkohë te disa kërkesa të tjera, për vërtetimet hipotekore, nuk përcaktohet saktësisht lloji i sipërfaqes së shpronësuar, por vetëm thuhet “një copë toke”, e për këtë Agjencia bën thirrje për korrigjimin e nevojshëm. “Nga dokumentacioni ligjor si dhe hartografik i administruar në dosje nuk mund të përcaktohet zëri kadastral i origjinës së pronës së njohur, kthyer dhe kompensuar”, është një tjetër problem i evidentuar nga Agjencia për afro 150 kërkesa që janë bërë fill pas hyrjes në fuqi të ligjit të parë. Të tjera përcaktime që bën komisioni i verifikimit të pronave kanë të bëjnë me mbivendosjet. Po ashtu, shumë pretendues nuk kanë përcaktuar sipërfaqen e objekteve, mbi të cilat njihet e drejta e parablerjes. Për disa pronarë, të cilët karshi emrit nuk kanë parë shumën për vlerësimin financiar, komisioni ka vendosur vetëm njohjen, e tashmë do të vihen në dispozicion troje; e në qoftë se nuk do të përcaktohen trojet e lira, për ta do të bëhet shpërblimi me obligacione.
Pse mungojnë dokumentet
Në një konkluzion që nxjerr Agjencia për mungesën e dokumenteve jep dy arsye. “Së pari, shumë prej dosjeve bazë të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit që ndodhen pranë arkivit të ATP-së kanë vetëm një apo dy dokumente. Kjo për shkak se në këto vite komisionet mjaftoheshin edhe vetëm me një vërtetim fakti juridik për të njohur, kthyer dhe kompensuar pronën. Për këtë arsye, shumë vendime të këtyre viteve është e pamundur nga ana e ATP-së për të përcaktuar zërin kadastral të origjinës. Problematikë tjetër është se një pjesë e madhe e këtyre vendimeve që nuk u është përcaktuar vlera, përveçse i mungon dokumentacioni ligjor, i mungon edhe dokumentacioni hartografik përkatës për të bërë vlerësimin financiar në bazë të zërit kadastral të origjinës”. Me ndryshimet e fundit që ka bërë ATP për lehtësimin e procedurave duhet theksuar se pronarët duhet të dorëzojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave një deklaratë noteriale, ku të vetëdeklarojnë nëse kanë përfituar ose tokë bujqësore. Deklarata noteriale duhet të jetë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët ligjorë ose përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar.
Raporti
Pse 1000 pronarë përfitojnë më pak se sa u takon
Në harkun e më pak se dy viteve, pas miratimit të ligjit të ri, janë vlerësuar thuajse gjysma e vendimeve, nga 26 mijë që janë në total. Në fund të majit, ATP publikoi edhe regjistrin me vlerësimin ekonomik për vendimet ’95. Nga 6838 dosje që i takojnë kësaj periudhe, vetëm për 4454 kishte faturë. Pjesa tjetër u penalizuan për shkak të problematikave dhe mangësive të vërejtura. Çfarë ka mbajtur peng vlerësimin për këto familje ka qenë zëri kadastral i origjinës, mbi bazën e të cilit përllogaritet masa e përfitimit. Në momentin që pronarët paraqiten në agjenci dhe konfirmojnë me anë të dokumentacionit llojin e pasurisë apo statusin e pronës, atëherë kryhet edhe vlerësimi. Aplikimi i kësaj skeme nuk ka kaluar pa dhënë efekte te pronarët me vendime 1995. Rreth 1350 prej tyre do të përfitojnë më pak në raport me vlerën reale që ka prona e tyre sot në treg, ose në rastin më të keq kanë dalë duarbosh nga gjithë ky proces, që për vite me radhë i ka mbajtur në pritje.
Aplikimet
Përmbyllja e fazës së parë, asaj të vlerësimit ekonomik për dosjet e para 1995, hap një tjetër procedurë, atë të aplikimeve. Është e drejta e pronarëve që të zgjedhin formën me të cilën duan të kompensohen. Për shumë kohë, kompensimi financiar është parë si varianti më i mirë, pas kthimit të pronës, aty ku ishte e mundur. Por pas miratimit të skemës së re, duket se një pjesë e pronarëve janë të prirur të heqin dorë nga kjo mundësi. Kjo për vetë faktin që masa e përfitimit që u është përllogaritur nga ATP është larg pragut të pritshmërive. Ndryshime ka pësuar edhe skema e kompensimit fizik. Ligji përcakton që toka truall të kompensohet financiarisht, ndërsa toka bujqësore, pyjet, kullotat dhe livadhet, të përfshira rishtazi në proces, të orientohen nga kompensimi fizik. Pronarët mund të zgjedhin që të kompensohen nga fondi i tokës që agjencia ka në posedim, por edhe në këtë rast gjërat nuk janë aq të thjeshta sa edhe mund të duken. Për herë të parë, në ligj është përfshirë koncepti i ankandit, çka do të thotë se pronarët do t’i nënshtrohen një faze konkurrimi mes tyre. Sikundër ndodh në çdo garë, fitues shpallet edhe ofertuesi më i mirë. /b.d