Nga Saimir Tahiri
Unë, nuk di, si ky Parlament, vazhdon ende diskutimet normalisht, kur një ish-kryeministër, bën thirrje publike, që një populli të armatoset. Dhe unë nuk besoj ka thirrje më kriminale sesa kaq. Unë nuk besoj ka thirrje më antikushtetuese sesa kaq. Unë nuk besoj ka më djallëzi sesa kaq. Dhe unë shpresoj shumë që prokuroria të gjejë kurajë ta thërrasë, pikërisht pse është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje dhe të bësh thirrje publike për dhunë ndaj institucioneve. Kjo që ndodh këtu është skandaloze.
Një ish-kryeministër, që bën thirrje për armatosje të popullit, unë besoj, jep shembullin më të mirë si ka qeverisur kur ka qenë në detyrë. Dhe, i kemi të freskët ende, të gjithë bashkë, kolektivisht, populli akoma më shumë, rastin kur katër qytetarë u vranë në bulevard pse protestonin para zyrës së tij, tregon shembullin më të mirë si e ka përdorur pushtetin dhe mendjen kriminale që ka. Tregon shembullin më të mirë se si ka qeverisur ai vetë dhe se si e koncepton tani opozitën. Megjithatë unë shpresoj që Prokuroria të marrë masa dhe ta thërrasë për ndjekje penale këtë njeri që ka guxim, këtu nga salla e parlamentit, publikisht të bëjë thirrje që populli të armatoset. Kjo është thirrje e një epoke tjetër, të cilën shqiptarët e kanë lënë pas, në 23 qershor të vitit 2013. Kjo është thirrja e epokës tjetër që ka ndarë dy botë: të shkuarën e atyre që qeverisnin me armë për të mbajtur pushtetin, duke vrarë njerëz; dhe të ardhmen e kësaj qeverie që nuk njeh kërkënd mbi ligjin, pa asnjë dallim, qoftë politik, qoftë partiak, qoftë institucional, pasuror, racor, cilidoqoftë.
Këtë model e kemi lënë pas! Kjo ishte qeveria, që deri dje, dhe ky ishte kryeministri, që deri dje mbante fatet e vendit në dorë, me këtë mendësi kriminale e djallëzore, që guxon sot vjen këtu në foltoren e parlamentit dhe i bën thirrje popullit të armatoset. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend demokratik, aq më pak në vendet që pretendojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Kjo ndodh në vendet e botës së tretë, ku udhëheqës të tillë, që rrota e fatit ja u sjell të jenë kalaqafë popullit për mbi 20 vjet, të kenë guximin në fund të jetës politike të bëjnë thirrje për armatosje të popullit kundër qeverisë, kundër institucioneve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë!
Pse nuk çohet këtu njeri ta kundërshtojë. Ju që çoheni për një flakë shkrepëseje. Ju që çoheni për çdo të dyshuar. Ju që çoheni për çdo të arrestuar. Ju që çoheni për çdo operacion policie. Ju që çoheni për çdo gjë që në vlerësimin tuaj meriton koment. Pse nuk çoheni këtu ta denonconi? Pse nuk çoheni këtu të distancoheni? Pse nuk çoheni këtu të thoni: jo ai nuk përfaqëson mendimin zyrtar të Partisë Demokratike, se Partia Demokratike nuk bën thirrje që populli të armatoset. Çohu këtu z. Patozi. Keni qenë kryetar i grupit e dëgjuat ish-kryeministrin tuaj tha këtu: që populli të armatoset, dhe bëri thirrje publike. Mund të çohesh këtu dhe të merresh me mua. Mund të çohesh këtu të më shash mua. Mund të çohesh këtu e të shash qeverinë, të akuzosh këdo nga ne… por bëj një punë: distancohu! Ju ftoj të gjithëve ta bëni, e nuk po e bëj për provokim, besomëni për këtë. Por ky Parlament nuk mund të duroj një ish-Kryeministër që për 20 vite i ka ndenjur “kalaqafë” popullit dhe sot vjen këtu e bën thirrje që populli të armatoset!
Më e pakta: Prokuroria duhet ta marrë të pandehur. Më e pakta. E nëse këtu ka realisht intelektualë që e duan vendin, që realisht flasin në emër të shpresës e të qytetarëve, merruni me qeverinë, shajeni atë e ministrat, bëni ç’të doni – por mos i ftoni qytetarët të armatosen! Se nuk është kjo Shqipëria që meritojnë qytetarët!
Bëni çfarë të doni. Silluni si të doni me Kryeministrin, me ministrat, me deputetët. Bëni ç’të doni me qeverinë e mazhorancën. Akuzoni e ngrini gishtin. Hidhni baltë sa të doni – por lërini qytetarët të jetojnë të qetë dhe mos i zhysni në llumin që keni krijuar!
Silluni si të doni – vetëm mos i bëni popullit thirrje të armatoset!
Kjo është e pafalshme për një gjeneratë të tërë politikanësh. Kjo është e pafalshme edhe për mua (unë jam 36 vjeç, kam jetën time përpara, familjen e djalin tim). Është e pafalshme të duroj apo të mendoj që këtu ka ende politikanë që akoma i thonë pushkës “pushkë!”, që ka ende politikanë që akoma bëjnë thirrje që populli të armatoset. Kjo është e pafalshme!
Kam një koment shumë të shkurtër për çështjen e Shullazit. Ju sfidoj publikisht: nëse doni të shikoni çfarë ka bërë a nëse ka vepruar apo jo Policia, nëse doni të shihni nëse ka vepruar apo jo Prokuroria – bujrum, ngrini Komision Hetimor që sot në parlament. Ja ku jeni. Instrumentet parlamentare i keni. Ngrini komision hetimor. Doni të shihni të vërtetën? Lërini pallavrat, lërini llafet, lëreni zhurmën, lëreni baltën – ejani ngrini komision hetimor sot. Sot! E marr unë përsipër të flas edhe me kryeministrin, edhe me kryetarin e Kuvendit, edhe me kryetarin e grupit të mazhorancës – ngrini komision hetimor sot!
Verifikojeni, hyni në çdo dokument e letër të Policisë e Prokurorisë dhe shikoni kush ka vepruar e kush jo. Me një premtim: që ato letra pasi t’i merrni t’i bëni publike. E të vini këtu e të bëheni bashkë me ne në një iniciativë të vetme: ai që nuk ka vepruar të ikë nga detyra. Ai që nuk ka bërë detyrën të shkarkohet nga Kuvendi. Merreni përsipër këtë, ejani këtu, ngremë komision hetimor – dhe ai që nuk ka bërë detyrën të marrë faturën.
Kjo është sfida që ju bëj. Të tjerat janë fjalë vetëm për të bërë politikë, zhurma juaj klasike vetëm për të zhdukur barrën e përgjegjësisë që duhet të mbajë secili në këtë vend (me detyrë zyrtare apo jo; me funksion publik apo jo; që është në sistemin Gjyqësor, Policinë e Shtetit apo jo – kjo nuk ka rëndësi për mua). Sepse ky Parlament, kjo opozitë, Partia Demokratike i ka mjetet të veprojë, të verifikojë, të shohë, të nxjerrë (e të vejë) para përgjegjësisë këdo që nuk ka vepruar.
Por askush prej jush nuk mund të më bëjë moral, nuk e pranoj kurrë. Askush prej jush nuk mund të më bëjë mua moral për sjelljen në detyrë apo detyrën si bëj detyrën. Jam angazhuar që ditën e parë të detyrës t’i shërbej qytetarëve me transparencë, përkushtim, me sakrificë maksimale, duke u përpjekur që Policia e Shtetit të arrijë nivele europiane, t’u shërbej qytetarëve, e (mbi të gjitha) të mos njoh askënd mbi ligjin.
Është kjo arsyeja që me shumë nga miqtë e mi (ministra, deputetë) në fillim të detyrës më është dashur të shpjegohem pa fund kur merrnin gjoba apo kur Policia kërkonte të bënte detyrën. Është kjo arsyeja pse Policia e Shtetit sot është institucioni i shtetit më i besuar nga qytetarët. Është kjo arsyeja pse ju, në çdo rast, bëni ç’bëni, silleni nga silleni, topat e baltës i lëshoni sërish tek Policia. Nuk flas për vendet e Bashkimit Europian, por unë nuk di një opozitë të një vendi demokratik që Policinë e Shtetit ta verë në shënjestër kaq brutalisht – edhe atëherë kur Policia e Shtetit bën gjënë e duhur. Po a nuk ishit ju që, kur Policia luftonte për një javë të tërë, 24h/24 për 7 ditë rresht në Lazarat, ju shanit Policinë e kërkonit dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm? Në emër të kujt e bënit këtë? Se nuk e bënit në emër të ligjit, por të atyre që kishit lënë të rrisnin drogë nën hundën tuaj. A nuk ishit ju që nuk u ndjetë, nuk pipëtitë, në emër të asnjë morali njerëzor nuk folët, ku qeveria juaj me urdhër vrau 4 qytetarë në bulevard?
Askush nga ju që sot, del këtu dhe në emër të opozitarizmit bën burrin apo gruan e mirë, askush nga ju atëherë në qeveri nuk foli. Po ne jemi njerëz. Historia një ditë do të na gjykojë. Nuk ka rëndësi kush fiton sot e kush fiton nesër. Nuk ka rëndësi kush është në pushtet sot dhe kush është nesër. Nuk ka rëndësi kush bën karrierë sot e kush bën karrierë nesër. Historia do na gjykojë të gjithëve njëlloj dhe në librat e historisë ju do të keni faqen e zezë se nuk keni folur kurrë ku ky që keni sot për kryetar jepte urdhra dhe latë familjet e katër qytetarëve i latë pa prindër. Pse? Se protestuan përpara zyrës së kryeministrit tuaj, të këtij që sot bën thirrje që të armatoset. Dhe kjo nuk është e drejtë, prandaj sot nuk më shisni dot mua moral, askush prej jush.
Ata që ikën dhe ju që rrini. Nuk e pranoj, nuk kam standardin moral tuajin. Unë nuk vras njeri për të mbajtur karrigen, unë nuk bëhem me kriminelët për të mbajtur karrigen. Unë përpiqem të bëj detyrën, mund të bëjë gabime. E sigurt që bëj gabime, por unë nuk vras njerëz për të mbajtur detyrën. Unë nuk bëhem me krimin për të mbajtur detyrën. Unë nuk vras ndërgjegjen time qytetare për të mbajtur detyrën. Unë nuk e bëj dot këtë. Askush nga kolegët e mi nuk e bën dot këtë, askush nga këta që është në mazhorancë, (dje në opozitë) kurrë nuk do pranonte që kryeministri ynë të vriste katër veta në bulevard dhe ne të rrinim. Kurrë, kurrë. E jo më pastaj të mbanit kriminelët e 21 janarit në bodrumet e kryeministrisë dhe urdhrit të prokurorisë të mos i përgjigjeshit për t’i dorëzuar. Prandaj ju sot mendoni që paska kërkuar Prokuroria të arrestojë Emiliano Shullazin, por s’ka dashur policia. E ngatërroni me veten. E ngatërroni me atë që bënit në 21 janar që i mbanit ata gardistët që vranë katër qytetarë të pafajshëm, në bodrumet e kryeministrisë, hanin në bodrumet e kryeministrisë, pinin në bodrumet e Kryeministrisë, flinin në bodrumet e kryeministrisë, mjekoheshin në bodrumet e kryeministrisë dhe ju nuk i dorëzonit.
Mua më falni për tonin e zërit, mbase nga pasioni, por e sigurt është një gjë, që kjo qeveri ka tjetër ndërgjegje nga ju. Kjo qeveri ka tjetër moral nga standardi juaj moral. Kjo mazhorancë ka tjetër qasje. Unë jam shumë i gatshëm, të më gjeni një provë të vetme, një provë të vetme, të lidhjes së supozuar timen me Shullazin apo me këdo tjetër dhe unë jam gati të ndajë përgjegjësi.
Ngrini komisionin hetimor, verifikoni nëse ka punuar Policia apo jo. Nëse është e vetme Policia që ka punuar për këtë çështje apo jo. Nëse ka punuar Prokuroria apo jo. Ngrini komisionin hetimor dhe premtoni publikisht që do të bashkoni votat me ne që përgjegjësi të largohet nga detyra, për atë përgjegjës që nuk ka bërë detyrën. Kjo është më e mira që mund të bëhet.
Në përfundim ka dhe një gjë të fundit. Zgjidhja e të gjithës është Reforma në Drejtësi. Se kaq shumë po e themi sa duket sikur po bëhet refren politik, tamam si zhargoni historik i gjërave që kemi thënë dhe kemi lënë mbrapa axhende për shkaqe politike të rëndomta. Reforma e Drejtësisë, ajo duhet. Jeni gati? Hajde bini dakord ta votojmë që nesër. Jeni gati për Byronë? Bujrum ta votojmë që nesër. Jeni gati për çdo aspekt të reformës, hajde bujrum t’i votojmë që nesër. Por pretekste me lloj-lloj historirash, mos nxirrni. Janë shqiptarët që po na shikojnë dhe presin një gjë: Reformën në Drejtësi. Që të mos i japin para atij gjyqtarit kur duam të marrim tokën, që të mos i japim para gjyqtarit edhe kur duan të ndahen nga gruaja. Që të mos i japim para prokurorit, gjyqtarit edhe policit po të doni, kur duan drejtësi. Hajde bëjmë reformën në drejtësi. E kush është kriminel nga ne pastaj merr faturën që duhet, po hajde bëjmë reformën në drejtësi. Dilni këtu. Të dali një njeri dhe të thotë: ‘’ Po duam reformën në drejtësi’’ pa por…, pa por nga mbrapa. ‘’Duam reformën në drejtësi dhe pikë’’ siç e themi dhe ne. Duam reformën në drejtësi. Jeni gati? Bujrum hajdeni ta votojmë. Kjo është zgjidhja e të gjithave. Dhe mos ju shmangni fare, as me Shullaz, as me deputetët që merreni, mos u shmangni fare.
Nuk ju falënderoj dot.