Gjithsej janë pesë shqiptaro-gjermanë pranë emrit të të cilëve votuesit mund të vënë nga një kryq te fleta e votimit këtë të diel. Katër prej tyre rrëfejnë për DW për motivet dhe sfidat e tyre në Gjermani.
Këto ditë Kastriot Krasniqi e ka kalendarin plot. Paradite në punë, në një kompani sigurimesh, pasdite në fushatë. 29-vjeçarit të lindur në Kosovë i duhet të sqarojë në këto takime jo vetëm politikën që përfaqëson, por shpesh edhe se si shqiptohet emri që shihet këto ditë në posterat e qarkut Rheinisch-Bergisch. “Unë e them me shumë kënaqësi që jam nga Kosova”, thotë Krasniqi në një intervistë për DW. “Është pjesë e identitetit tim të dyfishtë gjerman dhe kosovar”.
Krasniqi ka ardhur në Gjermani në moshën dyvjeçare. “Ndoshta ka qenë pikërisht përvoja si fëmijë refugjatësh, në vitet ’90, ajo që ma ka rritur ndjeshmërinë për t’u angazhuar kundër padrejtësive”, hamendëson Krasniqi, teksa rrëfen për DW rrugëtimin e tij në partinë socialdemokrate (SPD), ku ka hyrë në moshën 14-vjeçare dhe sot është nënkryetar i degës së qytetit Bergisch Gladbach.
Kastriot Krasniqi, 29 vjeçar, kandidat i drejtpërdrejtë i socialdemokratëve në zonën Rheinisch Bergischer KreisRespekt, ky është slogani me të cilin, kandidati kryesor i kësaj partie, Olaf Scholz, kërkon votën e gjermanëve. Qarku i Krasniqit, i cili ndodhet në landin e kandidatit kryesor të CDU-së, Armin Laschet, është një bastion i CDU-së, prej vitit 1972. Por simpatia për këtë parti vitet e fundit ka rënë. Shanset që Krasniqi të dalë fitues kundrejt rivalit kristdemokrat, një profesor ekonomie që është deputet në Bundestag, nuk janë shumë të mëdha. Por Krasniqi është i qetë: 50 me 50 për qind thotë ai. Nëse Krasniqi do të dalë fitues, ai do të jetë kosovari i parë, madje shqiptari i parë, që hyn në Bundestag si deputet.
“Uau, do guxosh vërtetë?”
Krasniqi është njëri nga gjithsej katër gjermanët me prejardhje shqiptare që DW zbuloi në listën e mbi 6000 kandidaturave për Bundestagun e 20-të. Tre të tjerët kandidojnë nëpërmjet listave. Njëri prej tyre, Kolë Gjoka, kandidon për herë të dytë. Në zgjedhjet e vitit 2017 ai kishte qenë shqiptari i parë që kishte marrë guximin të ofrohej për të përfaqësuar në Berlin qytetarët e Elmshornit,, qytezës në veri të Gjermanisë, ku ai banon prej 25 vjetësh,
Kolë Gjoka në intervistë me DW“Uau! vërtet do guxosh?”, ishte reagimi i kolegëve të partisë së tij, Unionit Kristdemokrat, kur ua prezantoi idenë. për herë të parë. Këtë pyetje Kolë Gjoka e kishte dëgjuar edhe një herë tjetër. Vite më parë, kur donte të blinte servisin e automjeteve, që tani i përket atij. I lindur dhe i rritur në Mirditë, shkolluar si ushtarak dhe inxhinier në Tiranë, 51-vjeçari e përshkruan veten si dikush që po pati një ide, nuk e lë pa e realizuar.
Një shenjë për mërgimtarët
Të guxosh të dalësh mbi kolegët e partisë e të garosh kundër tyre, nuk është diçka e lehtë. Por Kolë Gjoka nuk donte të ishte një numër në parti, që vetëm ngre dorën dhe tund kokën, kur të tjerët marrin vendime. Tani ai është kryetar i degës së CDU-së në Elmshorn dhe sërish ka guxuar të kandidojë. Shanset që të fitojë këtë radhë janë edhe më të pakta: Kjo falë rënies që pritet të pësojë CDU-ja pas largimit të kancelares Mekel, por edhe sepse CDU-ja tani ka vendosur kuota për gra, çka e zhvendosi Gjokën në numrin 33 nga 19 që ishte në zgjedhjet e mëparshme.
Kolë Gjoka në një bisedë me kancelaren gjemrane Angela MerkelGjoka i njeh mirë sfidat që i dalin përpara një mërgimtari: “Kur erdha në vitet ’90 në Gjermani, si refugjat, nuk kishte as skuadra mikpritjeje e as kurse integrimi për azilkërkuesit”, kujton Kolë Gjoka, në një intervistë me DW. Muajt e parë i kalova duke “trokitur derë më derë te sipërmarrjet e qytetit për të kërkuar punë”. Dikur, njëra nga këto porta iu hap, në kompaninë e servisit të makinave, ku pas dy vjetësh, do të bëhej menaxher e më pas pronar. Sipërmarrësi shqiptaro-gjerman, i cili tashmë është emëruar prej Ambasadës së Shqipërisë edhe konsull nderi për Gjermaninë Veriore, angazhohet në mënyrë të veçantë për komunitetin shqiptar edhe nö kryesinë e Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare.
Përfaqësimi më i ulët se realiteti
Integrimi i migrantëve është një temë që në këtë fushatë elektorale është trajtuar shumë pak, megjithëse si çështje nuk është kapërcyer ende. Sipas censusit të vitit 2019, mbi një e katërta e qytetarëve të Gjermanisë kanë një sfond mërgimi. Platforma informative MEDIENDIENST Integration, thotë se migrantët përbëjnë 12 përqind të elektoratit të sotëm. Një përqindje kjo që nuk pasqyrohet në përbërjen e parlamenteve aktuale.
Salla Plenare e Bundestagut, vetëm 8,2 përqind e deputetëve janë me sfond mërgimiNë Bundestagun e dalë prej vitit 2017 ishin vetëm 8,2 përqind e deputetëve me sfond mërgimi. Madje grupi parlamentar i CDU/CSU-së ku aspironte të merrte pjesë Gjoka kishte pjesëmarrjen më të ulët të migrantëve, me 2,3%. Edhe grupi parlamentar i partisë së djathtë populiste, AfD, Alternativa për Gjermaninë, kishte me 8,7% një përfaqësim mbi mesataren të gjermanëve me sfond mërgimi. Të majtët zënë vendin e parë (18,8%), pasuar nga të Gjelbrit (14,9%) dhe socialdemokratët (9%). Liberalët janë të parafundit me 6,7%.
Gjermanët me sfond mërgimi, jo vetëm që janë më pak të përfaqësuar në parlamente, por edhe pjesëmarrja e tyre në votime është më e ulët (65 përqind në zgjedhjet e vitit 2017), në krahasim me gjermanët pa sfond mërgimi (85,8 për qind). Kjo del në pah nga një studim i Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane për Mërgim dhe Integrim. (SVR)
Mungon tradita e angazhimit politik
Por nuk është rastësi që qytetarët me sfond mërgimi nuk përfaqësohen në parlamente. Konkurrenca është shumë e madhe, dhe sa të arrish të fitosh një mandat të drejtpërdrejtë, ose një vend të mirë në listat e landeve, duhet të kesh lënë pas një rrugë të gjatë aktivizimi.
Afërdita Suka e ka bërë këtë rrugë, para se të bëheshe kandidate e drejtpërdrejtë e të gjelbërve për zgjedhjet e landit në Berlin. “Merr kohë derisa të krijosh një rrjet mbështetës, dhe veç kësaj, shumë migrantë nuk kanë aq vetëbesim edhe pse vetë mund të jenë më të aftë se gjermanët. pa sfond mërgimi. Sepse mungojnë shembujt frymëzues, thotë Suka. për DW teksa shpërndan prospektet me fytyrën e saj në ballinë.
Aferdita Suka, garon për të Gjelbrit me mandat të drejtpërdrejtë si deputete në Parlamentin e Berlinit duke shpërndarë prospekte në lagjen e saj Tempelhof.Partia e Afërdita Sukës është nga ato që ua hap rrugën migrantëve dhe nuk ngurron tt’i vërë edhe në krye të listës. Për një kohë të gjatë ajo është drejtuar nga një gjerman me prejardhje turke, Cem Özdemir. Një nga përkrahëset më të forta të Afërdita Sukës në këtë fushatë, është ish-ministrja e konsumatorëve në qeverinë e mëparshme të socialdemokratëve dhe të gjelbërve, Renate Künast, e cila kandion në të njëjtën zonë elektorale si Afërdita Suka, por për Parlamentin Federal. “Për mua Afërdita,është Afërdita, që është angazhuar prej vitesh në politikat komunale të të Gjelbërve”, thotë Künast. e cila e ka mbështetur atë edhe me programe mentoriimi. Për këtë angazhim Afërdita Suka u vlerësua në vitin 2015 edhe me çmimin Helene Weber,një shpërblim prej 10000 euro për gratë që angazhohen në politikën komunale. “Por fakti që ajo është nga Kosova, është i dorës së dytë”, thekson deputetja gjermane.
Renate Künast, ish ministrja e konsumatorëve në qeverinë e Schroederit është mbështetëse e Afërdita Sukës Këtu në një takim elektoral në një kopësht mësimor në Berlin Tempelhof.Model për mërgatën shqiptare
Ndryshe e shohin këtë shqiptarët në Berlin. Dr. Sahadete Limani-Beqa, komunikologe dhe menaxhere në klinikën kardiologjike Herzpraxis Berlin Hohenschönhausen, sheh te Afërdita Suka një model për integrimin e shqiptarëve në shoqërinë gjermane. “Ajo na dëshmon se ne mund të jemi jo vetëm zbatues të politikave, por edhe vendimmarrës politikash nëse angazhohemi si qytetarë te këtij vendi.”, thotë Dr. Limani-Beqa për DW. Ajo ka organizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të fushatës elektorale të Afërdita Sukës. “Ne e mbështesim Afërditen edhe si një grua dhe nënë, sepse grate nuk jane ende të përfaqësuara si duhet në poste udhëheqëse”, thotë Dr. Limani-Beqa.
Dr. Sahadete Limani,-Beqa, e treta nga e majta, ka organizuar një sërë aktivitetesh mbështetëse për Afërdita Sukën. Këtu në kuadër të një leximi nga libri i Liri Luonjës “Larg dhe mes njerëzish”, Botimet PA, organizuar nga drejtoresha Feride Berisha (e para në të majtë).Afërdita Suka kandidon në një lagje që nuk është shumë e banuar nga shqiptarët. E prapë ajo u befasua me mbështetjen e madhe që i erdhi nga komuniteti shqiptar Afërdita Suka, përveçse ka shanse reale të fitojë në mandat të drejtpërdrejtë, ajo ka shanse shumë të mira të fitojë edhe nëpërmjet listës, ku mban numrin 25.
Elektorat në rritje
Një përkrahje e ngjashme në Hamburg bëri që në zgjedhjet për senatin, në shkurt 2020, gjermano-kosovari me prejardhje shqiptare, Sami Musa, të ngjitej si me katapultë në listën e deputetëve të senatit, ndër të tjera falë votave të elektoratit shqiptar të zonës së Harburgut. Pa të, Musa nuk do të kishte shans të hynte në parlament, sepse ishte i 56-ti në listë. Në shtypin vendor, ngjitja e menjëhershme e Sami Musës, u konsiderua si surpriza më e madhe e zgjedhjeve të landit. Shumë gjermanë me prejardhje shqiptare, asokohe morën pjesë për herë të parë në zgjedhje.
Sipas platformës Mediendienst Integration, elektorati me sfond mërgimi sa vjen e rritet, falë edhe ndryshimi të ligjit të shtetësisë që hyri në fuqi në vitin 2000. Qeveria Federale e atëhershme e përbërë nga socialdemokratët dhe të gjelbrit, vendosi që shtetësia të përcaktohej jo vetëm nga prejardhja e prindërve, por edhe nga vendlindja. Pra, kush do të lindej në Gjermani nga viti 2000 e tutje do të merrte automatikisht edhe shtetësinë gjermane. Brezi i parë i këtyre migrantëve të shkallës së dytë voton këtë herë për herë të parë.
Disa syresh madje kandidojnë.
Dafina Berisha,21 vjeç është kandidatja më e re socialdemokrate në listën e HamburgutDafina Berisha, për shembull, 21 vjeçare nga Hamburgu, me të dy prindërit nga Kosova, tani kandidon për Bundestag, e zgjedhur nga socialistët e rinj. Në vitin 2017, kur ishte ende nxënëse gjimnazi, vendosi të hynte në Partinë Socialdemokrate, për të vendosur një shenjë simbolike edhe kundër hyrjes në Bundestag të partisë së djathtë populiste, Alternativë për Gjermaninë (AfD). AfD-ja kishte arritur të ishte forca e tretë në parlament, duke bërë fushatë kundër refugjatëve të ardhur në vitin 2015 nga lufta e Sirisë.
Dafina Berisha në Hamburg është e nënta në listë, dhe siç i shpjegoi ajo DW, nuk do të jetë e lehtë të hyjë në parlament, sepse Hamburgu përfaqësohet vetëm me gjashtë deputetë në Bundestag. Por kandidaturën e saj ajo e sheh edhe si një ftesë ndaj migrantëve të tjerë, e sidomos atyre shqiptarë, për t’u angazhuar në vendin ku jetojnë. “Shumë shqiptarë me banim në Gjermani janë aktivë në partitë e Kosovës, por unë mendoj, se me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në politikën e këtushme, ata mund të ndikojnë më së miri edhe në të mirë të Kosovës”, thotë studentja e drejtësisë. Prandaj edhe ajo i është drejtuar elektoratit shqiptaro-gjerman me një videoklip në shqip të shpërndarë në media sociale. Mesazhi i saj: “Votoni për socialdemokratët, sepse me ta do të jetë më e lehtë rruga e Kosovës drejt BE-së”.
Pesë emra shqiptarësh garojnë të dielën për të përfaqësuar zonat e tyre elektorale në Berlin, në Bundestag ose në Parlamentin e Berlinit. Naim Krasniqi, i lindur në Kosovë në vitin 1987, me banim në Mynih. është kandidati i pestë. Ai angazhohet për një parti prokristiane që quhet Bündnis C (Aleanca C – Të krishterë për Gjermaninë), një parti e vogël, e krijuar qysh në vitin 1989, por që deri tani nuk e ka kaluar dot pragun e 5 përqindëshit që nevojitet për të hyrë në parlamentet gjermane. Edhe nëse asnjëri prej këtyre pesë emrave nuk do arrijë të mbledhë votat e nevojshme për të dalë fitues, një gjë mund të thuhet me siguri: ata kanë hapur një kapitull të ri në historinë e diasporës shqiptare në Gjermani, atë të kalimit nga migranti pasiv në një qytetari që kërkon pjesëmarrje aktive në ligjvënie.
/m.j