Nga Lorenc Vangjeli
Gjasat janë që mund të ndodhë që këtë javë, në të kundërt, është e sigurt që do të ndodhë në javën e parë të fushatës së ardhshme elektorale: Sali Berisha do të thyejë masën e arrestit në shtëpi!
Ndoshta këto ditë Berisha do të hyjë në ashensorin e shtëpisë së tij duke shtypur butonin zero. Do të zbresë në hollin e katit të parë të banesës së tij dhe me deputetët e grupit të tij parlamentar si eskortë njerëzore, do të përshkrojë disa qindra metra drejt sallës së kuvendit. Militantë të tij, por dhe shumë tiranas e turistë kureshtarë, do ta shoqërojnë në këtë udhëtim epik, të ndjekur nga larg edhe nga policë të hutuar që as nuk do të dijnë çfarë të bëjnë dhe as nuk kanë shumë mundësi të bëjnë diçka.
Kjo është një lëvizje shahu. Mjeshtrit e politikës dinë të llogarisin dhe parashikojnë disa lëvizje rresht. Aq më tepër që kjo është një lojë që e luajnë më shumë se dy “partnerë”, të cilët me të gjitha gjasat, do të venë në pozitë të vështirë një lojtar të tretë, larg kutisë së shahut politik, Altin Dumanin.
Me këtë lëvizje Berisha synon të hyjë në sallë dhe të vendosë edhe njëherë nga e para klepsidrën e kohës së tij parlamentare: “Kam munguar në parlament, por jo për shkak të vullnetit tim!”. Nëse dera e sallës është e barrikaduar me gardistë, atëherë do të ketë përleshje dhe me të gjitha gjasat, oborri i parlamentit do të shohë skena në kufinjtë e groteskut. Kjo tentativë do të jetë një nga armët juridike që do të përdoret edhe në një proces të mundshëm të heqjes së mandatit të Berishës si deputet; një dëshmi më shumë se ai ka bërë çdo përçapje të mundshme për të respektuar detyrimin e tij për të mos munguar më shumë se gjashtë muaj në Kuvend. Nëse Berisha kalon pragun e sallës, atëherë ka fituar me siguri një betejë kurajoje dhe natyrisht edhe ka garantuar mandatin. Më një akt të tillë, Berisha do të synojë të përdorë të vetmen kartë që duhet të luajnë politikanët për të pasur sukses, sakrificën. Sakrifica dhe viktimizimi janë ekstremet që Berisha i bashkangjit në një për të pasur një fitore morale në një seri të gjatë humbjesh elektorale.
Lojtari tjetër përballë tij është kryeministri Rama. Ende i dyzuar dhe pa një vendim të qartë se çfarë do të duhet të bëjë me mandatin e Berishës, Rama ka gjasa ta shohë këtë akt si zgjidhje vetjake për një hall të përbashkët. Koha nuk ngrin dot sepse vetëm koha e ngrirë në këtë moment, është pozicioni ideal në të cilin ai do të donte të shihte Berishën. Po të inicojë mbledhjen e komisionit të mandateve dhe e heq nga parlamenti Berishën, e shndërron atë në viktimë. Nëse bën të kundërtën, e ka gati akuzën se “bashkëpunon” fshehurazi me armikun tashmë me vulë. Dhe mbi të gjitha, që “është një autokrat që vë veten mbi ligjin!”.
Po të pengohet forcërisht hyrja e Berishës në sallë – e paqartë se mbi çfarë baze ligjore do të duhej të vepronte garda – atëherë ndizet një vatër shumë më e nxehtë zjarri se molotovët foshnjarakë antiVeliaj. Nëse garda nuk do të jetë “në gjendje” që ta pengojë hyrjen e Berishës në sallë, atëherë loja ndryshon dhe Rama ka në dorë zgjidhjen formale të një problemi që pakkush e kishte parashikuar më parë. Aq më pak vetë Berisha, i djegur nga loja e tij naive e blofit me drejtësinë, në dimrin e shkuar.
Lojtari i tretë në lojë nuk është i ulur në tryezë me të parët. Altin Dumani dhe vetë SPAK-u do të ketë një kokëdhembje të shtuar në një rast të tillë. Largimi i Berishës nga apartamenti ku ai ndodhet në arrest shtëpie është shkak i mjaftueshëm që për të të vendoset një masë më e ashpër sigurie. Njëlloj siç ndodhi herën e parë kur refuzimi i detyrimit për paraqitje dhe për të dorëzuar pasaportën, i rëndoi statusin në raport me hetimin e dosjes “Partizani”. Mosha e Berishës nuk e lejon arrestin në burg, edhe pse ai vetë do të jepte gjithçka në këmbim të ndonjë dite në qeli. Eshtë totalisht e paqartë se çfarë do të ndodhë më tej përveç faktit që patatja e nxehtë që kërkon një prehër për t’u hedhur e prehur, nuk është aspak juridike, por është një akt mirëfilli politik.
Kapriçiot e fatit janë të pabesueshme. Njeriu që çelësin e suksesit në politikë e ka gjetur tek sakrifica e tij vetjake dhe për më shumë, tek sakrifikimi i gjithçkaje tjetër që e pengonte drejt rrugës për në pushtet, do të tentojë të luajë kartën e fundit në lojë duke u viktimizuar e vetësakrifikuar. “Kam kundër Amerikën e Britaninë, Sorosin e McGonigal, trafikantët e gjithë botës dhe hajdutët lokalë, por sërish do të fitoj”, do të thotë Berisha, i bindur se rasti i tij nuk është përjashtim nga rregulli që e sheh peshën e një individi në politikë, të barabartë me shumën e armiqve të tij. Fundja, shqiptarët si gjithë të tjerët, edhe pse zgjedhin të bëhen me më të fortin, viktimën e shohin me simpati. Kjo është llogaria që bëjnë ndarazi njëri-tjetrit Rama e Berisha, në pritje që faturën e saj ta paguajë në fund Altin Dumani.
Nëse ky skenar nuk verifikohet në harkun e pak ditëve, është e sigurt që kjo do të ndodhë mbas disa muajsh, atëherë kur Shqipëria do të shkojë në zgjedhjet parlamentare, në të cilat, një kapriçio e fatit, do të sjellë një përmbysje spektakolare të fateve njerëzore në Tiranë. Nga ato që normalisht duhet t’i shpikë vetëm fantazia dhe letërsia, por që fatkeqësisht janë realitet i demokracisë hibride shqiptare. Plot 28 vjet më parë Sali Berisha detyroi Fatos Nanon ta bënte fushatën e 1996-ës nga pak metra katrorë të qelisë në burgun e Bënçës, nesër në 2025-ën, ai vetë do të hyjë në fushatë si rob i SPAK-ut në sallonin e zonjës Liri.