Gjykata e Tiranës shpalli fajtor për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda përmbaruesin privat, Fatos Alimadhi, duke e dënuar me 10 vite burgim.
Po kaq ishte edhe kërkesa e Prokurorisë, e cila gjatë hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor vërtetoi të paktën tre raste të mashtrimit.
I pandehuri Alimadhi duke shfrytëzuar detyrën e tij si përmbarues privat, ka përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme shuma të konsiderueshme parash, të cilat përllogariten në rreth 4,5 milionë lekë të reja, shkruan TCH.
Më konkretisht Alimadhi pasi ekzekutonte vendimet e gjykatave që i jepnin të drejtën e dëmshpërblimit nga kompanitë siguruese të personave të aksidentuar, vlerën e caktuar nuk e kalonte në llogarinë e klientit, por e mbante për vete.
Ka mjaftuar denoncimi i një prej klientëve të dëmtuar, që skema mashtruese e përmbaruesit Alimadhi, të zbardhej. Përveç dëshmive të personave të dëmtuar, një provë mjaft e fortë gjatë procesit gjyqësor ndaj Alimadhit ishin edhe dokumentet e shoqërive sigurisë, që vërtetonin kalimin e fondeve për llogari të klientëve, por që ishin përvetësuar nga Alimadhi.