• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, January 26, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Një borë e zezë që nuk rresht…

by Xhevdet Shehu
02/12/2020 09:38
Në foto: Ymer Minxhozi

Në foto: Ymer Minxhozi

Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Xhevdet Shehu         

Një shkrim i thjeshtë i një djaloshi në gazetën “Luftëtari” në vitin 1949, një shkrim që pakkush mund ta mbajë mend sot, do të hapte rrugën krijuese të një autori me një zë të veçantë në gazetarinë shqiptare. Në fund të atij shkrimi, sipas traditës së atëhershme, shënohej emri i autorit. Ky autor quhej Ymer Minxhozi.

Ky autor eci pa u ndalur në rrugën e krijimtarisë publicistike dhe letrare dhe, në këtë fillim viti të 2009-ës, ka të drejtë të kujtojë se ka përshkuar një rrugë një rrugë të gjatë dhe të lodhshme krijuese gjashtëdhjetë vjeçare. Në këtë rrugë janë mijëra artikuj, fejtone, reportazhe, analiza, komente, pamflete, aforizma, shënime udhëtimi, skica, ese, poezi, etj., të botuara në shtypin e kohës në mënyrë thuajse të pandërprerë, si dhe njëzetë libra që e kanë bërë autorin e tyre mjaft të njohur për lexuesin shqiptar. Një krijimtari kjo mjaft e larmishme dhe e begatë. Rrallë gjen ndonjë krijues tjetër në publicistikën shqiptare që të ketë lëvruar me sukses kaq shumë zhanre.

1.

Një jetë e gjatë dhe e ngjeshur me përshtypje dhe përjetime tronditëse, me udhëtime dhe në komunikim të vazhdueshëm me lexuesit, e pasuron jashtëzakonisht biografinë e krijuesit. Ymer Minxhozi e ka patur këtë fat. Ai ka qenë në elitën e shtypit shqiptar të gjysmës së dytë të shëkullit të njëzetë. Fëmijërinë e kaloi në vitet e mbretërisë, adoleshencën në luftë, ndërsa periudha e regjimit komunist e bëri gazetar të njohur dhe një nga drejtuesit e shtypit të asaj kohe.

Sidoqoftë, shkak për t’u ulur e hedhur në letër këto radhë u bë libri ‘Borë e zezë’ i botuar tani së fundmi nga Ymer Minxhozi. Është një libër më tregime dhe skica satirike, brenda natyrës së këtij krijuesi dhe që njëherësh shënon një kuotë të re në krijimtarinë e tij. Si një autor i natyrës pamfletiste dhe polemiste, ishte e pashmangshme që edhe në këtë vëllim, si në të gjithë krijimtarinë e tij, autori të rrokte një problematikë të gjerë që nga ato më të voglat të përditshmërisë sonë shoqërore e familjare, deri tek ato më të mëdhatë të botës së sotme.

Titulli i librit që është nxjerrë nga titulli i tregimit hyrës, është sa metaforik aq dhe domethënës për krejt këtë vëllim, por ndoshta edhe për pjesën më të madhe të krijimtarisë së autorit. Është një ngjarje e jetuar nga autori kur ishte një fëmijë jo më shumë se dymbëdhjetë vjeç, kur në fshatin e tij malor të vendlindjes ndodhi një gjë e paparë ndonjëherë: ra borë e zezë, një borë e përzier me grimca bloze, që ngjalli aq shumë diskutime në gjindjen njerëzore. Ishte koha e pushtimit fashist të vendit. Si është e mundur?, pyesnin njerëzit dhe gjithëkush jepte një spjegim. Pleqtë, besëtytët, fallxhorët, njerëzit që kishin parë botë, nëpunësit… Në të vërtetë, pavarësisht nga spjegimet e ndryshme apo të përafërta, të gjithë e shihnin këtë dukuri të natyrës si një ogur të keq, si një gjëmë që vërtitej mbi kokat e tyre. Simbolika është mjaft domethënëse por edhe e gjetur për një sfond shoqëror për të shprehur një ide, një synim.

Sa rrëfim i thjeshtë, aq edhe tronditës të duket ky tregim duke shfletuar librin më tej. Vijnë njëri pas tjetrit fakte e dëshmi njerëzore të paktën në tri sisteme shoqërore të Shqipërisë, mbi të cilat pavarësisht se nuk thuhet me fjalë, nënkuptohet dhe ndihet se bie pa rreshtur një borë e zezë. Bora e zezë merr trajtën e pushtimeve dhe të trazirave shoqërore, të përmbysjeve politike dhe të pasigurisë së përhershme për të ardhmen në çdo hap, premtimeve të pambajtura të qeverive e politikanëve, të shiut të dollarëve që do të bien në këtë vend po fitoi iks parti, të tymnajave të përditëshme në parlament e gjithandej në mjediset tona, të dhunës shtetërore dhe të varfërisë… Bora e zezë në këtë rast i kapërcen kufijtë e metaforës, ngjan më tepër si një fatalitet që s’na është ndarë ne shqiptarëve nga koha në kohë dhe që na ka lënë në këtë prapambetje të dukshme në krahasim më botën e qytetëruar së cilës i përkasim. Kështu, sipas Ymer Minxhozit bora e zezë vazhdon të bjerë dhe autori duke e shprehur botërisht një fakt të tillë në të vërtetë bën një denoncim, u drejton një apel të fuqishëm bashkëkombasve dhe bashkëkohësve të tij që ta shohin borën e zezë, t’i shmangen borës së zezë, ta shporrin borën e zezë…

2.

Përmes tisit të borës së zezë vjen një tregim që gjithë-gjithë vetëm pak faqe zë në libër, por që të trondit dhe të mbetet gjatë në mendje.

Tregimi ‘Vetmia’ që mendoj se është nga më të bukurit që ka shkruar autori, një tregim antologjik tejet i dhimbshëm. Është një jetë konkrete njerëzore, fati i dy pleqve të vetmuar në Shqipërinë e viteve të fundit, ndërsa fëmijtë e tyre kanë marrë rrugët e botës. Ata e ngrysin jetën në një vetmi të thellë e të frikshme, kur askush nuk kujtohet për ta, madje as bijtë e tyre. Koha e tyre kalon me biseda çatra-patra, ku përzihen kujtimet e parmallshme të së kaluarës me lajmet marramendëse të ditës, shpresa se dikush troket në derë, se ndonjë ditë bijtë do të kthehen nga mërgimi, ndërsa komshiu i tyre i përhershëm është Askushi… Një tregim përgjithësues me një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale që ngërthen një nga aspektet më të dhimbshme të shoqërisë së sotme shqiptare. Jam i sigurt se emigrantët tanë do të prekeshin së tepërmi nga ky tregim, ndërsa po ta lexonte atë ndonjë nga politikanët e qeveritarët tanë, mendoj se do t’i bënte më të njerëzishëm…

Ymer Minxhozi është një krijues i natyrës polemiste, i drejtpërdrejt tek i cili satira e mprehtë është një mjet i fuqishëm dhe përhershëm shprehës. Me satirën e tij ai nuk kursen kurrëkënd në tregimet dhe skicat e tij. Natyrisht, që më të parapëlqyerat e tij janë temat që kanë të bëjnë me qeveritarë dhe politikanë kokoroçë, me ministra e kryeministra që mbi gjithçka kanë pasurimin e tyre personal dhe jo zgjidhjen e halleve të popullit. Kjo është optika e Ymer Minxhozit dhe në këtë mënyrë ai militon në jetën shoqrore të vendit. Është e natyrshme që jo të gjithë mund të jenë dakord me këtë optikë, por duket se autorin nuk e shqetëson ky fakt, pasi e njeh fare mirë realitetin ku jetojmë, një realitet i copëzuar nga bindjet partiake. Ai duke shënjestruar dobësitë e politikës dhe të politikanëve manifeston një guxim krijues dhe ndërgjegje të lartë qytetare. Ai del në mejdan, e shpreh hapur mendimin e tij, priret ndaj më së mirës shoqërore dhe i ndih asaj. Në këtë rast autori i ngjan gjahtarit. Dhe një fjalë e mënçur thotë se kush ka frikë nga ujqërit, nuk duhet të dalë për gjah.

3.

Sot në Shqipëri botohet shumë, si asnjëherë tjetër më parë, por fatkeqësisht sasia nuk ka të bëjë me cilësinë. Të paktë janë librat e mirë. Një libër nga i cili nuk të mbetet në mend asgjë, domethënë që nuk të mëson asgjë, nuk vlen. Me Ymer Minxhozin ndodh ndryshe.

Një tipar i krijimtarisë së tij është prirja për t’i thënë gjërat sa më shkoqur dhe në mënyrë sa më lakonike. Duke i pëlqyer mençuria popullore, nga ku ai merr lëndën e parë për krijimet e veta, është dhe një krijues i suksesshëm aforizmash. Ai ka shkruar edhe libra të veçantë me aforizma, por ato gjen mënyrën dhe i përdor me sukses edhe në tregimet e skicat e tij.

Po sjell këtu sa për ilustrim disa nga këto shprehje të mençura:

“Prindi e vuan ikjen e fëmijës, fëmijët nuk e vuajnë moskthimin”;

“Një shtëpi ku sundon heshtja kthehet në kishë. Heshtja t’i bren kockat, të ndryshk”;

“Jeta është si fija e perit: tërhiq-tërhiq dhe një ditë hollohet e këputet”;

“Kur s’mund të vrasin të Vërtetën, zhdukin njeriun që e thotë atë”;

“Gënjeshtra është një burim i pashtershëm shprese”;

“Liria për të folur, e shumëzuar me Lirinë për të mos dëgjuar = 0”.

Ndërsa në mbyllje po citoj një fjalë të lashtë arabe, që autori e përdor me shumë domethënie te pamfleti “Dezertimi i ‘liderit historik’”: “E shanë – qeshi! E rrahën – qeshi! E futën në hapsanë – qeshi! Humbi karriken – vrau veten!”

***

Ymeri është një krijues i pasionuar aforizmash, të cilat janë një kuintesencë mendimi dhe filozofie për jetën. Ai vazhdon të shkruajë. Me këtë rast po botojmë edhe këtë tufë me aforizma, të cilat Ymer Minxhozi i ka shkruar gjatë këtyre muajve të fundit të pandemisë. Në to shprehet qartë mendimi krijues dhe qëndrimi i tij intelektual për situatat dhe zhvillimet në vendin tonë.

Të mendosh do të thotë të grindesh me vetveten

Aforizma nga Ymer Minxhozi

–           Është vërtetuar prej kohësh se zyra e madhe dhe piedestali i lartë e zvogëlojnë njeriun, mirëpo historia nuk njeh asnjë rast kur vetë njeriu ta ketë pranuar këtë fakt.

–           Disa njerëz, gjatë gjithë jetës, vuajnë nga tre etje të vazhdueshme: etja për para, etja për pushtet, etja për qejfe.

–           Njëra nga mënyrat për të shmangur vetminë e pleqve, pas ikjes së fëmijëve në emigracion, është: të ulen para pasqyrës dhe të bisedojnë me atë që u del përpara.

–           Po t’i japësh karrigen, të puth edhe këmbët. Po e zbrite nga karrigia, të tregon dhëmbët.

–           Për gabimet e sotme, paguhet nesër. Madje, bashkë me kamat-vonesën!

–           Objektet e përfytyruara janë më të qëndrueshme se objektet reale, sepse ato nuk i ha erozioni.

–           Fama e pamerituar është si një patë e vizatuar në rërën e shkretëtirës. Atë mund ta fshijë edhe një erë e lehtë.

–           Deti i duartrokitjeve është si të gjitha detet: mbi të mund të lundrosh përkohësisht, por edhe mund të mbytesh përfundimisht.

–           Mirazhi më mashtrues në botë është “dielli i lavdisë”!

–           Në katastrofat rrugore, e gjithë përgjegjësia bie mbi ata që mbeten gjallë. Në politikë ndodh e kundërta.

–           “E shenjta pronë private” është në lulëzim të plotë ngaqë ajo ushqehet gjithnjë “me gjak të freskët”.

–           Sipas statistikave mbi të ardhurat mesatare për frymë, e gjithë bota jeton në komunizëm: të pasurit e ndajnë pasurinë me të varfërit, të varfërit e ndajnë varfërinë me të pasurit.

–           E kam parë minierën e Bulqizës nga lartësia e avionit dhe m’u kujtua një arë e mbjellë me misër që u është dhënë me koncesion derrave.

–           Dalja në rrugë me pantallona të grisura tek gjunjët tregon se modës i ka ardhur fundi dhe stilistët janë kthyer në shpellarë.

–           Të mendosh do të thotë të grindesh me vetveten.

–           Thashethemi është një para fallco e cila, në fund të fundit, kthehet tek ai që e tha i pari.

–           Thjeshtësia është gjithmonë në modë. Megjithatë, shumë vetave iu pëlqen të jenë jashtë mode.

–           Kur bisedoj me ndonjë shok të vjetër, më duket si biseda e dy kujtimeve.

–           Kush mendohet gjatë në kthesa, shkon andej nga s’duhet shkuar.

–           Sa veta lavdërohen pikërisht për ato cilësi që në fakt nuk i kanë?!

–           Armëpushimi nuk do të thotë paqe, por “pushim armësh” i përkohshëm. Ashtu si edhe aleancat parazgjedhore, nuk janë bashkim.

–           Edhe marrëzitë janë ngjitëse.

–           Zgjedhjet e fshehta e zbulojnë fshehtësinë, prandaj i frikësojnë edhe qeveritë, edhe partitë.

–           Të vdekurit nuk gënjejnë kurrë, me përjashtim kur vihen në gojët e të gjallëve.

–           Gjatë karrierës së saj, avokatja kishte përmbyllur shtatë divorce. Kurse për veten e vet, vetëm pesë…

–           Për atë thuhej se ka një det me mendime, por çfarë deti? Ka det të zi, ka det të kuq, ka dhe det të vdekur!

–           Reklama shpesh herë shërben për të vlerësuar antivlerën.

–           Deputeti thoshte se ia di vlerën vetes. Për ta vërtetuar këtë, vajti e bashkua me një parti tjetër.

–           Presidenti Meta tha se kishte informata se do digjej Kuvendi, por asnjëherë nuk tregoi as Dimitrovin, as Hitlerin.

Next Post
Është prej tekstili dhe përmban tri shtresa filtrash/ Prodhohet maska 6 mujore

Është prej tekstili dhe përmban tri shtresa filtrash/ Prodhohet maska 6 mujore

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Të gjithë në Arabinë Saudite? Jo më. Nga Neymar te Cancelo, emrat e mëdhenj që hoqën dorë nga paratë

Të gjithë në Arabinë Saudite? Jo më. Nga Neymar te Cancelo, emrat e mëdhenj që hoqën dorë nga paratë

January 26, 2026
Berisha mungon në foltoren e PD, Këlliçi: Dhuna në protestën e 24 janarit me vendim nga bunkeri i Surrelit

Berisha mungon në foltoren e PD, Këlliçi: Dhuna në protestën e 24 janarit me vendim nga bunkeri i Surrelit

January 26, 2026
I kërkuan farmacistes ilaçin “Xanax”, kur ajo refuzoi t’ua shiste, e kafshuan në dorë dhe…! Detaje nga vdekja e dy shtetaseve ukrainase në Tiranë, ç’ndodhi 2 ditë më parë

Shtohet lista e barnave të rimbursueshme, Fondi i Sigurimit Shëndetësor: Nuk është mbyllur asnjë farmaci

January 26, 2026
U paraqit në SPAK, reagon Plarent Ndreca: Jam thirrur si person në dijeni për një hetim për persona të tretë

Midis fjalës dhe realitetit: Gjykata e Lartë përballë misionit të saj kushtetues

January 26, 2026
Karabinierët italianë gjunjëzohen nga një kolon i armatosur, Tajani thërret ambasadorin izraelit

Karabinierët italianë gjunjëzohen nga një kolon i armatosur, Tajani thërret ambasadorin izraelit

January 26, 2026
Kandidati republikan tërhiqet nga gara për Guvernator, akuzon Trump për hakmarrje ndaj qytetarëve

Kandidati republikan tërhiqet nga gara për Guvernator, akuzon Trump për hakmarrje ndaj qytetarëve

January 26, 2026
“Ti je mbi të tjerët”, Netanyahu vlerëson Ramën dhe premton mbështetje për Shqipërinë: Izraelitët dinë çfarë zgjedhin!

“Ti je mbi të tjerët”, Netanyahu vlerëson Ramën dhe premton mbështetje për Shqipërinë: Izraelitët dinë çfarë zgjedhin!

January 26, 2026
Carney reagon pas kërcënimeve të Trump për tarifat e importeve kanadeze: Strategji për negociata e presidentit të SHBA

Carney reagon pas kërcënimeve të Trump për tarifat e importeve kanadeze: Strategji për negociata e presidentit të SHBA

January 26, 2026
I dyshuar për vrasjen e Jani Aliajt/ Zbulohen krimet ndër vite të Juliand Halilit, punonte nën urdhrat e famëkeqit grek Vasilis Varelas

I dyshuar për vrasjen e Jani Aliajt/ Zbulohen krimet ndër vite të Juliand Halilit, punonte nën urdhrat e famëkeqit grek Vasilis Varelas

January 26, 2026
Lisandër Hoxha: Partia Demokratike do të vazhdojë protestat. Të ikin nga PD, njerëzit që..

Lisandër Hoxha: Partia Demokratike do të vazhdojë protestat. Të ikin nga PD, njerëzit që..

January 26, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In