Në Presidencën kosovare e kanë mohuar të mërkurën ta kenë sponsorizuar në çfarëdo mënyre një libër që është në prag botimi, e që, bazuar në paralajmërim, e ngrit në qiell figurën e Hashim Thaçit, shkruan Koha Ditore.
Në të i atribuohet merita presidentit të tashëm për bindjen e faktorit ndërkombëtar që të intervenojë ushtarakisht në Kosovë.
Libri mban titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” dhe është shkruar nga Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Roger Boyes është gazetar britanik dhe redaktor diplomatik i gazetës “Times”, i cili ka eksperiencë në shkrimin e biografive politike.
Suzy Jagger është zëvendësredaktore në të njëjtën gazetë. Kjo biografi do t’i ketë 320 faqe, për botues ka “Biteback Publishing” dhe edicioni i shtypur do të dalë në shitje më 16 janar. Në Presidencë kanë thënë se nuk e kanë marrë iniciativën për këtë botim. (b.an)