Nga Ilir Çumani*
Në jetën e njeriut ka ngjarje krejt të zakonshme që natyrshëm, nganjëherë lënë gjurmë dhe marrin një vëmendje të veçantë duke të futur në mendime edhe në vitet e mëvonshme. Hera herës, ato shfaqen si një vegim, ngjallin emocione e nostalgji duke të risjellë në kujtesë çaste mjaft të gëzuara e mbreslënëse, që vijnë prej një kohe të shkuar që nuk do të dëshiroje asesi të largoheshe prej saj.
Atëkohë, kur isha nxënës në shkollën 8 vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë (me sa më kujtohet, në pranverën e vitit 1978), gjatë një bisede mes shokësh shkolle, prej kureshtjes iu drejtova shokut tonë Pirros, djalit të aktorit të mirënjohur në ish Teatrin e Varietesë të qytetit të Sarandës, Theofil Haxhijani. “More Pirro, u bë kohë që s’e kemi parë babain tënd, as në qytet dhe as në Kinoteatër. Si është me shëndet?”- e pyeta. Atë çast, kureshtja jonë për babain e Pirros kishte të bënte me faktin se ky aktor simpatik i qytetit të Sarandës banonte në apartamentin e një pallati pranë vendbanimit ku ndodhej Shtëpia e Fëmijës shkollore. Nuk kalonte asnjë ditë e javës që ne, fëmijëve të atyre viteve, të mos na binte në sy e të mos e shikonim të paktën më shumë se njëherë gjatë një dite atë burrë të pashëm e të hijshëm, gazmor por dhe autoritar. Ishte sa i kulturuar, aq edhe i sjellshëm në jetën e përditshme. I kuruar e plot sqimë, duke filluar nga flokët e zinj të krehur bukur si me xhel gjithë shkëlqim, gjithnjë i veshur me kostume që i shoqëronte hera˗herës me kravata të llojllojshme shumëngjyrëshe në një kombinim fundor me këpucët lustrafine, pamja e tij elegante nuk bënte dallim me aktorët e filmave francezë dhe italianë të kohës.
Ne, fëmijët e atij institucioni, e pëlqenim dhe e donim shumë aktorin e qytetit bregdetar jonian ngase ishim shumë të dhënë pas teatrit të estradës dhe kinemasë, e në veçanti pas filmave shqiptarë, të cilët asokohe prodhoheshin nga ish Kinostudio Shqipëria e Re. Sa herë dilte një film i ri, posterat e tyre shfaqeshin dukshëm duke u afishuar së bashku me disa fotografi bardhezi në qendër të qytetit, në një eksponatë e bërë enkas me konstruksion metalik pranë kinoteatrit.
“Babi ka më shumë se një muaj që ndodhet në Tiranë! Është me xhirimet e një filmi”, – ma kthehu Pirro, pa e mbajtur të fshehur “sekretin” e mungesës së të atit. Mes të tjerash, kureshtja ime më shtyu ta pyesja edhe për titullin e filmit të ri, që me gjasa do të shfaqej së shpejti në të gjitha kinematë e qyteteve të vendit.
“Nga mesi i errësirës”, titullohet filmi që po xhirohet në Tiranë, – shtoi gjithë ngazëllim Pirro, duke i plotësuar edhe më mirë detajet e bisedës me njëfarë kënaqësie që i shfaqej dukshëm në fytyrë, e padyshim, me një krenari legjitime për të atin artist.
Përmes këtij episodi me shokun e fëmijërisë, më mbeti në mendje titulli i atij filmi. Në fakt, në vetëdijen time, në mënyrë gati të pakuptimtë përpiqesha të perceptoja thelbin e përmbajtjes se çfarë e lidhte një titull kaq intrigues me një vepër të re kinematografike që pritej të shfaqej.
Kur filmi u shfaq për herë të parë në kinemanë e qytetit, nuk e pata të vështirë për të kuptuar simbolikën dhe metaforën e atij titulli në funksion të fabulës që zbërthente e gjithë narrativa e tij përmes episodeve, skenave dhe mizanskenave që zhvilloheshin, nga fillimi deri në fund.
Skenaristët Vath Koreshi e Neshat Tozaj, me regjisorin e mirënjohur Kristaq Dhamo, në bashkëpunim me kompozitorin Kujtim Laro dhe një kasti të shquar artistësh si Ndrek Luca, Albert Vërria, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Zhani Ziçishti, Ilia Shyti, Enver Dauti, Perika Gjezi, Theofil Haxhijani, Krenar Arifi, Tonin Ujka, etj., kishin punuar me profesionalizëm të admirueshëm, me shumë pasion e përkushtim, për të ngritur në këmbë përmes boshtit ideor dhe narrativ të gjithë arkitekturën e kësaj vepre kinematografike, duke prodhuar një prej filmave më të spikatur të kohës.
Ngjarjet në film zhvilloheshin në vitin 1943, dhe kishin të bënin me rrëmbimin e arkivës sekrete të Ministrisë së Brendshme nga njësitet guerrile që vepronin në Tiranën e pushtuar nga italianët.
Subjekti i atij filmi kishte në qendër Petritin, një djalë të varfër dhe i parritur mirë, i mbetur jetim, i cili vendos të braktisë fshatin ku kishte lindur dhe shkon të gjejë punë në qytet, në Tiranën e okupuar asokohe nga Italia fashiste. Ai, duke punuar si shërbëtor në familjen e z. Jani, një zyrtari i lartë i administratës fashiste të kohës, gjen mbështetjen e këtij të fundit për të nisur një punë të përherëshme si pastrues zyrash në Ministrinë e Brendshme, një institucion i rëndësishëm që administrohej nga pushtuesit italianë. Kjo e bën djaloshin – protagonist të filmit të vendosur që të bashkëpunojë me pjesëtarët e grupit gueril të Tiranës, me qëllimin final për të rrëmbyer arkivën sekrete të Ministrisë së Brendshme, nga i cili do të dilnin informacione dhe të dhëna mjaft të rëndësishme për planet e armikut pushtues.
Duhet thënë se ai film pati mjaft sukses në kinematë e atyre viteve, dhe si shumë prej veprave të tjera kinematografike, një pjesë e tyre dëshmojnë cilësi profesionale, talentin e një gjenerate kineastësh të kohës që meritojnë mirënjohje dhe respekt të thellë.
Nuk duhet të harrojmë se në rrethana krejt modeste, ata mundën të krijonin mjaft vepra të arrira që shfaqin jo vetëm nivele të admirueshme artistike në skenar, regji, imazh dhe aktrim, por, në një pjesë jo të vogël të tyre, pavarësisht kufizimeve ideologjike, këta filma përcjellin mesazhe domethënëse. Në to shpërfaqen natyrshëm jo vetëm aspektet humane të marëdhënieve të vërteta njerëzore, por dhe përpjekjet e vazhdueshme për zhvillimin dhe emancipimin shoqëror, vuajtjet dhe sakrificat e mëdha, dhimbjet dhe gëzimet në jetën e përditshme, idealet dhe aspiratat e njerëzve të zakonshëm që atë kohë jetuan në një shoqëri të standartizuar me “liri” të kushtëzuar.
*
* *
Këto mendime të shoqëruara me kujtime më vërtiteshin në kokë atyre orëve gjatë atmosferës ceremoniale që zhvillohej në sallën e tejmbushur në kinema “Millennium” në Tiranë, teksa përshëndetesha me miq e dashamirës të shumtë, pjesa e madhe e të cilëve ishin të njohur dhe shumë të njohur, të pranishëm mes gjithë asaj aradhe personalitetesh të artit skenik dhe kinematografik. Të gjithë ishin ftuar për të marrë pjesë në një ngjarje kulturore të organizuar nga Arkivi Qendror Shqiptar i Filmit. Ishin bërë bashkë artistë të vjetër dhe të rinj, regjisorë dhe aktorë, skenaristë dhe kompozitorë, piktorë dekori e kostumografë, grimierë, ndriçues skenash e mizanskenash dhe deri tek mjeshtërit e teknikës së zërit dhe montazhit, specialistë të prapavijës, që së bashku kanë shtruar trasenë e vështirë të artit, në një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë për të bërë historinë e Kinemasë Shqiptare.
Shumë prej kineastëve tanë, tashmë janë larguar nga jeta. Të tjerë janë veteranë në moshë, me thinja dhe vite që u rëndojnë mbi supe. Disa prej tyre mbase kanë edhe problem me shëndetin, i cili u ka vënë në sprovë fizikun, por jo dëshirën dhe pasionin e zjarrtë për profesionin që ata i kanë kushtuar gjithë jetën. Të entuziazmuar e të përmalluar si dikur, janë bërë bashkë me një dëshirë të vetme: të çmallen e të bisedojnë me njëri tjetrin, të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime për projektet e ardhshme artistike që kanë në duar. Por, edhe për të shijuar shfaqjen e njërit prej veprave emblematike të Kinematografisë Shqiptare, siç është filmi artistik shqiptar “Lulëkuqet mbi mure”, prodhim i ish “Kinostudio Shqipëria e Re”, i vitit 1976.
Tashmë ky film i njohur dhe i dashur nga të gjithë artëdashësit shqiptarë, i vlerësuar dhe i nominuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, i është nënshtruar një procesi të plotë të restaurimit përfundimtar në kualitetin më të lartë të variantit audiovizual 4 K, përmes një projekti dhe nisme të AQSHF. Me sa duket, kjo nismë e bukur, (pas restaurimit me sukses të disa prej filmave si “Skënderbeu”, “Nëntori i dytë”, “Mësonjëtorja”, “Përrallë nga e kaluara”, “Beni ecën vetë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Vdekja e kalit”, “Koncert në vitin 1936” dhe së fundmi “Lulëkuqet mbi mure”, etj), ka marrë një udhë të mbarë, drejt synimit për të restauruar të tjerë filma, si një pjesë e rëndësishme e fondit arkivor që e lidh pazgjidhshmërisht kinemanë shqiptare me një nga periudhat më domethënëse të historisë së vendit, atë të realizmit socialist.
Një punë e shkëlqyer dhe meritore për të gjithë ata që merren me pasurimin, ruajtjen dhe përçuarjen e vlerave më të mira të kësaj trashëgimie, si një obligim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, për të njohur edhe më mirë rrugëtimin e gjatë dhe jo aq të lehtë që ka përshkuar Kinemaja Shqiptare që në fillesat e saj.
*
* *
Jemi ulur në ndenjëset e Kinema “Millennium” për të ndjekur filmin e restauruar “Lulëkuqet mbi mure”. Ngjitur, në krahun e majtë kam Krenar Arifin, ndërsa në krahun e djathtë aktorin e mirënjohur të filmit Zhani Ziçishti. Të dy janë miqtë e mi. Me Krenarin jam vërsnik. Ai, ditën e lindjes e ka më 8 shkurt, kurse unë më 4 shkurt, dhe kam një lidhje emocionale krejt të veçantë, ndryshe nga ato marrëdhënie që kam krijuar gjatë jetës time me shumë miq nga raca e artistëve. Është një lidhje gati e shenjtëruar, ngase me të më lidhin disa momente të përbashkëta që shenjojnë disa pika kulmore që kanë fiksuar fëmijërinë time të hershme.
Me Krenar Arifin jam “takuar” katër herë gjatë gjithë jetës time. Tre herët e para datojnë dekada më parë, kur ai ishte vetëm një fëmijë – aktor. Herën e parë e kam “takuar” virtualisht, në vitin 1976, vetëm përmes ekranit të madh të kinemasë. Ai luante rolin e personazhit jetim “Sulo”, tek filmi “Lulëkuqe mbi mure”.
Herën e dytë e kam “takuar” sërish virtualisht, në vitin 1978, përmes ekranit të kinemasë, në filmin “Nga mesi i errësirrës”, në rolin e “Petritit”, sërish një djalë i mbetur jetim që i del për zot vetes, në kërkim të një pune për të siguruar bukën e gojës.
Me të dyja rolet, ai u kthye në një personazh emblematik dhe mjaft domethënës për të gjithë ne fëmijët jetimë që jetonim asokohe në Shtëpitë e Fëmijëve, kudo nëpër Shqipëri. Fotografinë e personazhit Sulo, e gjeje në shumë prej rafteve dhe sirtarët e komodinave personale të pjesës më të madhe të fëmijëve jetimë që rriteshin në këto institucione, si një ngushëllim për të gjetur forcën, njëkohësisht, edhe si një frymëzim e inspirim për të përballuar me kurajo e guxim të gjithë vrundujt e jetës.
Në rolin e Sulos, tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”, Krenar Arifi ishte vetëm një fëmijë 12 vjeç, që me plastikën e veçantë prej një “bonjaku” krejt të pafajshëm, me temperamentin e një fëmije të ndrojtur, i mbyllur në vetvete dhe i heshtur, paraqiste të dhëna psikofizike optimale që e përafronin mrekullisht me karakterin e personazhit në atë film. Dhe kështu, ai mundi të rrëmbejë vëmendjen e mjeshtrit të madh të regjisurës shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Ai e përzgjodhi Krenarin mes një morie fëmijësh – aktorë që konkuruan përmes kinoprovave, për ta bërë pjesë të kastit mes emrave të mëdhenj si Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Liza Laska, Pavlina Mani, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Enver Dauti, etj, në njërin prej filmave më të arrirë të Kinemasë Shqiptare.
Me veçoritë e spikatura në një interpretim të natyrshëm, të thjeshtë dhe krejt origjinal, Krenari e solli me aq realizëm e vërtetësi lojën e bukur të personazhit Sulo, duke na dhënë një nga figurat më të gjalla dhe emblematike të botës së jetimit. Fati tragjik i këtij personazhi të ngulitet përjetësisht në mëndje si një dëshmi për të na kujtuar se, në çdo kohë dhe në çdo sistem politik e shoqëror, jetimi ka qenë dhe mbetet gjithmonë viktimë e fatit të tij, krijesa më e pafajshme në botë, qenia njerëzore më e dobët, më e ekspozuar dhe më e pambrojtur nga të gjitha format e dhunës, diskriminimit, keqtrajtimit, abuzimit dhe përjashtimit social.
Edhe në kohët e sotme të “civilizimit modern”, këto shoqëri mbartin të fshehur brenda vetes në traditën dhe kulturat e tyre mjaft elementë të dukshëm dhe të padukshëm të dhunës, kinse si forma moderne të edukimit, zhvillimit dhe të përparimit.
Në të gjitha kohërat, madje në të gjithë ekzistencën e njerëzimit kështu ka qenë, kështu është dhe ndoshta kështu do të mbetet fati i jetimit. Pavarësisht përpjekjeve që shoqëritë e vendeve ku ata jetojnë bëjnë që të ndryshojnë diçka nga jeta e tyre.
Në vitin 1984, Krenar Arifi ka qenë personazh në rolin e një nxënësi maturant, tek filmi artistik “Nxënësit e klasës time”. Ai do të luante në Sarandë, pikërisht në qytetin ku kalova fëmijërinë dhe adoleshencën time të parë. Edhe sot e kësaj dite mallëngjehem kur i shoh kaudrot e atij filmi me ngjyra që shfaqin plot gjallëri e natyralitet mjediset e ndryshme dhe jetën asokohe të atij qyteti të vogël piktoresk, me njerëz fisnikë e bujarë. Shpeshherë më shfaqen si kujtime të largëta ato pamje magjepëse të mëngjeseve plot freski, muzgjet e ngrohta në shëtitoren e madhe të qytetit, bulevardi që gjithmonë gumëzhinte në mënyrë ritmike jo vetëm nga zërat e hareshëm të njerëzve me ecejaket e tyre rituale, por edhe oshëtima e veçantë e dallgëve që shoqërohej me aromën dehëse dhe karakteristike prej jodit të detit.
Së fundmi, takimi i shumëpritur me Krenarin ndodhi në mjediset e kinema “Millennium” në shfaqjen e filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure”.
Në fakt, Krenar Arifin, aktorin riosh të heshtur dhe enigmatik të ekranit të madh, pak e njohin me emrin e tij të vërtetë. Shumica e shqiptarëve e njohin me llagape emrash të personazheve të spikatur që ka krijuar në rolet e pak prej filmave ku ai ka qenë protagonist.
Kështu e njohin këtej dhe andej kufirit, kudo dhe ngado flitet shqip. Jo vetëm brezat e mëparshëm që janë bashkëkohësit e tij, por edhe të rinjtë e sotëm, artdashës të kinemasë. E njohin me këto emra edhe gazetarët e sotëm, të cilët ngulmojnë dhe përpiqen të “rrëmbejnë” diçka të veçantë nga intervistat e tij të kursyera. Nuk ndodh shpesh që personazhet e botës së kinemasë të kenë të njëjtin fat për të patur pafundësisht një marëdhënie të vazhdueshme dhe konstante me artdashësit, edhe atëherë kur në biografinë e tyre artistike kanë mundur të realizojnë një galeri të pasur rolesh dhe karakteresh në kinema e teatër.
Sikurse ndodh që mes tyre, pavarësisht kohëve, ka nga ata që janë gjithmonë në sy dhe në vëmendje të publikut, e për rrjedhojë, këta të fundit mbeten kësisoj të pashkëputur në një komunikim e marëdhënie të pandërprerë mes brezave që ikin dhe atyre që vijnë.
Lumturisht, me Krenar Arifin kjo ka ndodhur. Edhe pse tanimë, ai është një burrë i pjekur, një prind dhe familjar i realizuar që gjithë vëmendjen dhe përkushtimin e tij e ka investuar prej 30 vitesh në Gjermani, atje ku edhe jeton me familjen, me një karrierë të suksesshme si profesionist jo vetëm në fushën e jurisprudencës ku dhe ka kryer studimet akademike, por edhe duke guxuar në të tjera eksperienca, angazhime e sipërmarrje po aq të sukseshme.
I detyruar nga mosdëshira për rrethanat e krijuara, vendosi të zgjidhte refuzimin e të tjera roleve që i ofroheshin nga regjisorët më me emër atë kohë, me synimin e vetëm t’i kushtohej vetëm studimeve dhe të diplomohej si jurist në Fakultetin e Drejtësisë.
Pas përfundimit të studimeve, e ushtroi profesionin si gjyqtar për vetëm pak vite, deri në momentin kur ndodhi ndryshimi i sistemit, dhe atëkohë, si shumë bashkëkombas të tjerë, zgjodhi të lërë përgjithmonë Shqipërinë duke emigruar në Gjermani dhe për të nisur atje një jetë të re. E gjithë kjo metamorfozë, edhe pse i ka ravijëzuar dy kahjet e ndryshme të profilit të tij mes dëshirave dhe pasioneve që ka mundur të ndjekë, gjithsesi, nuk ka ndikuar aspak në kujtesën kolektive të artdashësve për ta perceptuar dhe memorizuar përgjithmonë si një figurë të dashur të botës së kinemasë.
Ngase vetë Krenari ka lënë gjurmë duke mbetur në një komunikim nostalgjik të përhershëm me publikun, si aktor me një individualitet të veçantë, i spikatur përmes lojës së thjeshtë, të natyrshme e të sinqertë, por edhe përmes ritransmetimeve të filmave ku ka realizuar rolet e tij të sukseshme, të cilat i kanë rezistuar kohës dhe asesi nuk të krijojnë ndonjë bezdi.
Ato role kanë mbetur të fiksuar në celuloid duke e dokumentuar përgjithmonë lojën e tij aktorale në qindra e qindra metra shiriti në pelikulën e filmit bardh e zi, tashmë të ruajtura në arkiv edhe përmes proceseve të restaurimit të tyre.
Në pamje të parë, duket se Krenari e ka braktisur gati në një harresë të përgjithmonshme gjithçka të bukur dhe të gëzuar që e lidhte atë kohë me fëmijërinë dhe adoleshencën e mbushur plot me ëndrra e dëshira të realizuara, që e kanë shoqëruar me ngjarje të rëndësishme dhe që e kanë bërë të ndjehej pse jo, edhe i privilegjuar prej fatit, ndryshe nga bashkëmoshatarët e atyre viteve të largëta.
I gjithë rrugëtimi i tij prej dekadash, larg syve të të gjithëve, ngjason me “arratisjen” e bukur të një shtërgu si “Nga mesi i errësirës”, koha kur luajti në mënyrë të sukseshme rolet e tij në filmat e fundit.
*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë