• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, February 20, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Silvio Gonzato: Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, por sulmet ndaj SPAK-ut duhet të ndalojnë

by El Be
20/02/2026 08:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare, që sulmet ndaj SPAK-ut dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë nuk duhet të vazhdojnë.

Në një intervistë për Deutsche Welle, ai vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian, por thekson se vendi ynë ndodhet në një moment kritik, ku provat më të rëndësishme lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e standardeve demokratike.

Ndërsa fliste për Reformën në Drejtësi, Gonzato nënvizoi rolin themelor të SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në hetimin e zyrtarëve të lartë. Ai theksoi se puna e SPAK-ut vlerësohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe paralajmëroi se sulmet politike ndaj gjyqësorit janë shqetësuese dhe nuk i shërbejnë procesit të integrimit.

Intervista

DW: Z. Ambasador, si e vlerësoni situatën aktuale të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE?

Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato: Mendoj se Shqipëria ka bërë vërtet një përparim të jashtëzakonshëm dhe unë ndihem i privilegjuar që kam qenë dëshmitar i kësaj, dhe ndoshta pak më shumë sesa dëshmitar, sepse mendoj se kontribuuam edhe për përfundimin me sukses të procesit të shqyrtimit, kur Komisioni dhe qeveria vlerësuan se çfarë duhej bërë në mënyrë që Shqipëria të kualifikohet si anëtare e Bashkimit Europian dhe më pas, brenda 18 muajsh, arritëm të hapnim gjithë kapitujt e legjislacionit të BE-së, siç e dini, acquis e BE-së, gjë që ishte vërtet një arritje e jashtëzakonshme.

Por tani jemi në një pikë kthese vërtet kritike. Është momenti kur duhet të vlerësojmë nëse Shqipëria ka bërë ndonjë përparim shumë të prekshëm në disa fusha kyçe të ndjeshme, të cilat quhen “Themeloret” në Bashkimin Europian. Në thelb, është ajo çka është në qendër të projektit të Bashkimit Europian, dhe prek çështje të tilla si të drejtat themelore, pra të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, por prek edhe sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë, konsolidimin e reformës në drejtësi të vitit 2016, shqyrton luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe standardet demokratike.

Pra, kjo është me të vërtetë një fazë shumë, shumë e rëndësishme, në të cilën Komisioni do të vlerësojë nëse legjislacioni dhe rregulloret apo masat që janë marrë nga qeveria muajt e fundit pasqyrojnë një përparim të vërtetë në të gjitha këto fusha. Ne i paraqesim një raport shteteve anëtare dhe pastaj u takon 27 shteteve anëtare të thonë: “Në rregull, tani jemi dakord me vlerësimin e Komisionit”. Nëse e bëjnë këtë, atëherë mund të fillojmë mbylljen e kapitujve, gjë që është absolutisht thelbësore nëse duam të ruajmë afatin kohor ambicioz që qeveria shqiptare i ka caktuar vetes. Dhe është një afat kohor që ne duam ta mbështesim. Është ambicioz, kjo është ajo që ata duan të bëjnë, por ne duam të jemi të dobishëm.

Në këtë kontekst, është gjithashtu e rëndësishme të nënvizohet një gjë, sepse po punojmë nën presion të madh, por mendoj se është e rëndësishme që të mos e bëjmë këtë në dëm të transparencës, përfshirjes, që miratimi i ligjeve dhe masave të bazohet në një debat të hapur, ku njerëzit të kuptojnë çfarë po bëhet dhe pse po bëhet, që ky debat të jetë konstruktiv, në mënyrë që të gjithë elementët e shoqërisë të mund të kontribuojnë në të.

DW: Dhe në këtë rrugë të gjatë drejt anëtarësimit, në një nga aktivitetet e fundit të qeverisë shqiptare, ku morët pjesë edhe ju, për financimin e mirëqenies sociale, ku bëhej fjalë për aksesin e Shqipërisë në 100 milionë euro nga fondet e BE-së, të dedikuara për projekte për përfshirjen sociale, ju bëtë thirrje për transparencë më të madhe me fondet e BE-së. Pse?

Ambasadori Gonzato: Nëse shikoni gjithë projektet e ndryshme që kemi, janë pak a shumë 100 milionë euro që po investojmë për lehtësimin e tranzicionit që nga arsimi deri te tregu i punës, që është kaq thelbësor për të rinjtë. Mbaj mend që për mua ishte një nga periudhat më stresuese të jetës sime kur mbarova universitetin dhe më duhej të filloja të gjeja një punë, sepse e kupton që arsimimi yt nuk të jep medoemos mjetet për qenë gati për tregun e punës.

Dhe ne e bëjmë këtë me aktorë dhe partnerë të ndryshëm, mund të jenë OJQ-të, mund të jetë qeverisja vendore, mund të jenë ministritë, por, në përgjithësi, ajo që është e rëndësishme është që jo vetëm t’u ofrojmë përfitime qytetarëve shqiptarë, por ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur.

Sepse unë kam edhe përgjegjësi financiare, menaxhoj paratë e taksapaguesve të Bashkimit Europian, dhe këto para duhet të trajtohen në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Është e rëndësishme që autoritetet shqiptare të miratojnë mekanizmat e nevojshëm për ta garantuar këtë transparencë, sepse kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, shumë nga fondet e Bashkimit Europian që janë aty për të treguar solidaritet ndaj shtetit të saj anëtar, i delegohen autoriteteve vendore dhe menaxhohen prej tyre. Pra, autoritetet vendore duhet të japin prova se po e bëjnë këtë në përputhje me rregulloret financiare të BE-së, se mënyra se si përzgjidhni një projekt, për shembull, për financim, është objektive, bazohet në kritere transparente, nuk bëhet sepse dikush njeh dikë dhe paratë alokohen në bazë të kontaktit personal. Pra, kemi nevojë për këtë transparencë dhe kemi nevojë për këtë rigorozitet në procedura.

DW: Z. Ambasador, kur bëhet fjalë për gjetjet tuaja, dua t’i kthehem financimit IPARD në lidhje me bujqësinë. Çfarë po ndodh me këto fonde të bllokuara?

Ambasadori Gonzato: Në fazën në të cilën ndodhemi ka ende negociata mes Brukselit dhe Tiranës, mes Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare ka ngarkuar një auditor të jashtëm për të bërë një auditim. Ata kontrollojnë çfarë grantesh, kush ka marrë grante, kush ka marrë pagesa, kontrollojnë rregullsinë e këtyre pagesave dhe gjithashtu vlerësojnë nëse paratë janë shpenzuar siç duhet apo jo, si dhe i llogarisin këto para.

Pastaj kanë shqyrtuar veprimet e ndërmarra nga qeveria pas ngjarjes, për të vlerësuar nëse ato janë të mjaftueshme për të garantuar mekanizmat mbrojtës që ne kërkojmë. Sepse Bashkimi Europian është i vendosur të vazhdojë t’i ndihmojë fermerët shqiptarë. Mendoj se ky është një komponent i rëndësishëm i ndihmës sonë për Shqipërinë. Sektori bujqësor ka nevojë për gjithë ndihmën që mund të marrë, në mënyrë që të bëhet konkurrues, sepse kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, do t’i duhet t’i bëjë ballë konkurrencës së fermerëve të BE-së.

Por ne nuk mund ta bëjmë këtë nëse nuk kemi gjithë garancitë e mjaftueshme se paratë po menaxhohen siç duhet, dhe presim që qeveria shqiptare ta marrë seriozisht këtë. Pra, topi tani është ende në fushën e qeverisë shqiptare për ta vlerësuar këtë raport auditimi dhe për ta siguruar Brukselin se masat që kanë marrë janë të mjaftueshme që ne të rifillojmë ndihmën, ndihmën financiare në kuadër të IPARD-it.

DW: Dua t’ju pyes për reformën në drejtësi në Shqipëri, e cila është një nga investimet më të mëdha të Bashkimit Europian. Çfarë mendoni për punën e SPAK-ut aktualisht?

Ambasadori Gonzato: Unë mendoj se SPAK-u po bën një punë shumë, shumë të rëndësishme. Nëse flisni me shtetet anëtare, do të shihni se ato e vlerësojnë jashtëzakonisht punën e bërë nga SPAK-u, për shembull, në luftën kundër krimit të organizuar, në shpartallimin e bandave kriminale që veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në BE dhe, veçanërisht, në disa shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Ato e vlerësojnë jashtëzakonisht punën që po bën SPAK-u në bashkëpunim me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, si dhe me EUROPOL-in dhe EUROJUST-in për gjurmimin e këtyre bandave, për gjurmimin e aktiviteteve të tyre dhe luftën kundër krimit të organizuar. Sepse ky po bëhet një shqetësim në rritje në shtetet anëtare të BE-së. Roli që luajnë rrjetet shqiptare, për shembull, në trafikun ndërkombëtar të drogës ka ndikim edhe në sigurinë e disa qyteteve në Europën Veriore. Ndaj, kjo vlerësohet jashtëzakonisht shumë.

Së dyti, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga elementët kyç për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Kjo është në thelb të procesit themelor që thashë më parë. Pra, ne e shohim SPAK-un si një institucion që luan rol themelor në këtë drejtim, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër pandëshkueshmërisë në nivel politik, dhe nuk shohim asnjë pengesë për thirrjen dhe hetimin e politikanëve të rangut të lartë. Mendoj se ky është një element i rëndësishëm për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë. Është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim. Pra, padyshim që vlerësimi është pozitiv.

Ne mendojmë se duhet bërë më shumë për anën parandaluese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është arsyeja pse, për shembull, në kuadër të “Themeloreve”, një nga masat që u miratua së fundi nga Shqipëria, si pjesë e këtij hapi fillestar në procesin e anëtarësimit, ishin kriminalizimi i pastrimit të parave. Kjo do të jetë një mënyrë e rëndësishme edhe për të minuar financiarisht disa nga aktivitetet e paligjshme që kryejnë këto rrjete. Pra, ne presim që qeveria të miratojë jo vetëm strategji për parandalimin e korrupsionit, por edhe të zbatojë masa konkrete në këtë drejtim.

DW: Por strategjia që po ndërmerr qeveria shqiptare është ndryshimi i legjislacionit për pezullimin e kërkesave për heqjen e imunitetit nga SPAK-u. Si i konsideroni këto përpjekje të qeverisë shqiptare?

Ambasadori Gonzato: Ne po e ndjekim nga afër këtë ndryshim të propozuar në Kodin e Procedurës Penale, që është neni që i lejon një gjykate të pezullojë një zyrtar publik që është nën hetim. Sepse çdo gjë që lidhet me sundimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë është diçka që ne e ndjekim nga afër dhe e vlerësojmë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet kandidate. Sistemi i drejtësisë është në zemër të punës dhe kërkesave të një vendi në kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Pra, ne presim që çdo nismë legjislative të jetë në përputhje me angazhimet e përgjithshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër se si ndikon kjo në këta elementë.

DW: Z. Berisha, udhëheqësi i opozitës, e ka sulmuar vazhdimisht SPAK-un për punën e tij dhe tani kjo përpjekje e qeverisë shqiptare. A mendoni se z. Berisha dhe z. Rama po përpiqen të minojnë punën e SPAK-ut?

Ambasadori Gonzato: Nuk do të spekuloj për këtë. Ajo që është e sigurt është se ne kemi shprehur vazhdimisht në raportet tona vjetore shqetësimin tonë në lidhje me sulmet kundër gjyqësorit. Ne kemi thënë se, në të vërtetë, gjyqësori dhe sistemi gjyqësor janë bërë më të qëndrueshëm ndaj këtyre sulmeve, edhe sepse është një sistem i pavarur. Por, megjithatë, mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë.

DW: Dhe një pyetje e fundit, cili është mesazhi që keni për klasën politike në Shqipëri në lidhje me anëtarësimin në BE?

Ambasadori Gonzato: Mendoj se vizita e anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, pasi tregon se njerëz me prejardhje shumë të vështirë politike, që vijnë nga shtete të ndryshme snëtare, me pikëpamje të ndryshme, mund të punojnë së bashku. Dhe mesazhi që ata u dhanë homologëve të tyre ishte mjaft i unifikuar, gjë që, në fakt, më habiti, sepse mendova se do të kishte më shumë divergjencë pikëpamjesh për këtë.

Ishte shumë pozitiv, ishte një mesazh që thoshte se duhet ta merrni seriozisht këtë, duhet të udhëhiqni me shembull, veçanërisht në fusha si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe duhet të garantoni që, nga njëra anë, të ketë hapësirë për opozitën, pra shumica t’i japë hapësirë opozitës për të luajtur rolin e saj, dhe nga ana tjetër opozita ta luajë rolin e saj në mënyrë konstruktive. Ndaj, mendoj se ky ishte një mesazh shumë i mirë që vinte nga politikanët për politikanët, kështu që unë nuk mund veçse ta përsëris.

Next Post
Hapet tenderi 90 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

Hapet tenderi 90 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Paralizohet aeroporti i Vjenës, anulohen mbi 150 fluturime

Paralizohet aeroporti i Vjenës, anulohen mbi 150 fluturime

February 20, 2026
Vëllai i Suel Çelës përfundon në spital, Mario Çela u ekstradua nga Belgjika, me vete kishte edhe një epikrize

Vëllai i Suel Çelës përfundon në spital, Mario Çela u ekstradua nga Belgjika, me vete kishte edhe një epikrize

February 20, 2026
Reshjet e dendura përmbytin Fierin, banorët: Po na shkaktohen dëme të parikuperueshme, ndodh për të tretën herë

Reshjet e dendura përmbytin Fierin, banorët: Po na shkaktohen dëme të parikuperueshme, ndodh për të tretën herë

February 20, 2026
Thirrja e fortë e Ralf Gjonit: Të shpallen non grata të gjithë ata që votuan raportin e Dick Marty!

Thirrja e fortë e Ralf Gjonit: Të shpallen non grata të gjithë ata që votuan raportin e Dick Marty!

February 20, 2026
“Trazira gjatë demonstratës”/ Mediat e huaja pasqyrojnë protestën e PD: U hodh molotov drejt Parlamentit

Sot protesta e Berishës/ Policia: Nuk e marrim përsipër zhvillimin e tubimit, akset që do bllokohen

February 20, 2026
Këlliçi zbulon skenarin e protestës së PD-së: Do të ngujohemi në parlament!

Këlliçi zbulon skenarin e protestës së PD-së: Do të ngujohemi në parlament!

February 20, 2026
Reshjet paralizojnë rrugët e Durrësit, ndalohet lundrimi i anijeve të peshkimit

Reshjet paralizojnë rrugët e Durrësit, ndalohet lundrimi i anijeve të peshkimit

February 20, 2026
Takimi me Trump, Osmani: Bashkë me Ramën ngritëm çështjen e Hagës, morëm garanci të fuqishme nga presidenti amerikan

Takimi me Trump, Osmani: Bashkë me Ramën ngritëm çështjen e Hagës, morëm garanci të fuqishme nga presidenti amerikan

February 20, 2026
Aksident në Vlorë, “Audi” përplas një person që po lëvizte me biçikletë

Aksident në Vlorë, “Audi” përplas një person që po lëvizte me biçikletë

February 20, 2026
Vijojnë problemet në aksin Maliq-Lozhan-Strelcë, rrëshqitjet e dherave dëmtojnë rrugën, rrezik për qarkullimin e mjeteve

Vijojnë problemet në aksin Maliq-Lozhan-Strelcë, rrëshqitjet e dherave dëmtojnë rrugën, rrezik për qarkullimin e mjeteve

February 20, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In