Kreu i shtetit, Bujar Nishani, është solidarizuar me popullin francez përmes një letre dërguar homologut të tij.
“Aktet e mbrëmshme terroriste në Paris më tronditën pa masë dhe e gjithë mendja e zemra ime janë në këto moment me Ju, me popullin dhe autoritetet franceze” – shkruan Nishani.
Ai thekson se në emrin e popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve të viktimave dhe Qeverisë franceze.
“I dënoj me forcën më të madhe këto akte barbare terroriste dhe ektremiste që synojnë të trembin dhe terrorizojnë, jo vetëm Francën dhe francezët, por mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike. Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike. Me ndjenjë të lartë solidariteti, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, ngushëllimet e mia më të sinqerta” – shkruan Presidenti i Republikës.