Në bisedë me Deutsche Welle-n, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani flet për rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në Shqipëri e rajon, zgjedhjet vendore e se ku qëndron thembra e Akilit në bërjen e reformës së drejtësisë.
Zoti President ju keni pasur një vizitë të ngjeshur dy ditë me shumë takime, nga ceremonia e Takimit të Berlinit – i njohur si “Berlin Gathering”, deri tek takimi me presidentin gjerman Joachim Gauck të premten – cilat ishin çështjet që u trajtuan në këto takime?
Presidenti Bujar Nishani: Erdha me ftesë të Bundetagut për të marrë pjesë në takimin e Berlinit siç njihet tani jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë hapësirën europiane e përtej saj. Këtë herë ishte edhe 20-vjetori i nisjes së këtij takimi, ku liderë politikë, të shoqërisë civile, të besimeve të ndryshme mblidhen për të promovuar parimet më të mira të bashkëjetesës, të harmonisë e respektit të ndërsjellë, por edhe për të ndarë sfidat e përbashkëta. me të njerëzimi sot ndeshet. Solla një prej visareve më të çmuara që kemi ne si komb që është harmonia fetare. Kulmi i vizitës ishte takimi me presidentin gjerman Joachim Gauck, ky ishte një shans i veçantë për t’i përcjellë në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen e madhe për mbështetjen e pazëvendësueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit, qoftë në drejtim të zhvillimit ekonomik, qoftë në proceset e ndërtimit të demokracisë. Një mbështetje e veçantë ka qenë edhe ajo për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e tashmë kjo mbështetje është e pazëvendësueshme e parësore në procesin e integrimit europian. Ndamë një bisedë mjaft miqësore në lidhje me situatën në rajon, ku tashmë rajoni i Ballkanit falë edhe angazhimit të veçantë të Gjermanisë është një rajon i stabilizuar dhe me shanse të mëdha
Më parë u takuat edhe me presidentin e Bundestagut, Norbert Lammert. e me krerë të lartë të politikës gjermane A ka ndryshuar perceptimi për Shqipërinë problematike me grindje të vazhdueshme e mosgjetje konsesusi politik – a mund të paraqisnit ju sot një Shqipëri ndryshe?
Takimi me presidentin e Bundestagut, zotin Norbert Lammert ishte një moment i veçantë kënaqësie, presidenti Lammert është një mik mjaft i afërt dhe i shquar i Shqipërisë. Unë paraqita dhe prezantova Shqipërinë reale, me të gjitha arritjet dhe sfidat që ka, sepse ne duhet të ndajmë me miqtë gjermanë posaçërisht sfidat që kemi përpara. Nga ana tjetër shpreha jo vetëm mirënjohjen, por edhe nevojën që ka shoqëria shqiptare për këtë inkurajim, këtë mbështetje, këtë asistencë nga Gjermania mike. Dhe gjeta jo vetëm miqësinë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe njohjen në detaje të realitetit shqiptar, mbi të gjitha preokupimin e tyre që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e prosperitetit.
Përmendët asistencën e Gjermanisë gjatë viteve të tranzicionit – a mund të thoni nëse keni biseduar edhe për projekte konkrete bashkëpunimi në të ardhmen?
Gjermania është një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë e natyrisht që interesi ynë është që veçanërisht bashkëpunimin ekonomik ta zhvillojmë më ngushtë dhe intensivisht me Gjermaninë, sepse ka resurce dhe mundësira shumë të mëdha të pashfrytëzuara, veçanërisht në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Unë përmenda disa prej historive të suksesit gjerman, si ai në aeroportin e Rinasit, investimet në energji, por këto janë të pamjaftueshmë për atë ç’ka paraqet Gjermania si një rëndësi dhe partner strategjik i Shqipërisë. Ndaj fusha të tilla si ajo e energjisë, e mineraleve, e infrastrukturës, e agro-turizmit janë pa dyshim potenciale e përgjegjësi e Shqipërisë dhe institucioneve për të krijuar terrenin e përshtatshëm e maksimalisht mikpritës për investitorët gjermanë. Shqipëria është ekstremisht e interesuar për ta zhvilluar bashkëpunimin me Gjermaninë në të gjitha fushat.
Aktualisht në Shqipëri zien fushata për zgjedhjet vendore – ju bëtë thirrje para pak kohësh për një fushatë dinjitoze dhe sidomos rrezikun e blerjes së votës. A ka rrezik real që ky fenomen të deformojë këto zgjedhje?
Unë shpresoj shumë që ky fenomen të mos ndikojë, e të mos shfaqet, aq më tepër t’i deformojë këto zgjedhje, sepse do të ishte një njollë e madhe jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe shoqërinë në tërësi. Mesazhi im buronte nga shqetësimi real i qytetarëve shqiptarë, por edhe i miqve e partnerëve të Shqipërisë. Është një fenomen që ka ekzistuar, duhet të jemi të vërtetë dhe realistë, por edhe sikur të përflitet se do të ndodhë ai duhet të na preokupojë ne maksimalisht. Në çfarëdo lloj mase që të shfaqet ai është shumë i dëmshëm, sepse sjell produkt jo real në jetën politike dhe administrative. Unë jam besimplotë tek maturia dhe përgjegjshmëria e qytetarëve shqiptarë për të ndërmarrë fatet në ditën e votimeve vetë në dorë, sepse ajo është dita e qytetarit.
Zgjedhjet vendore apo parlamentare kanë qenë faza të tensionuara, herë më pak e herë më shumë. Temperatura politike ngrihet lart, por këtë herë vihet re një fushatë normale, janë shtuar karriget e bisedat me elektoratin për paraqitjen e programeve. A mund të thuhet se kjo strategji e re po kthen përfundimisht në Shqipëri ndërrimin e pushtetit, edhe atë lokal në një rotacion normal?
Unë gjithmonë e kam vlerësuar kur kandidatët e kanë përqëndruar fushatën tek paraqitja e platformave konkrete, se si ata do të punojnë për krijimin e shërbimeve reale ndaj qytetarit, duke marrë parasysh faktin që këto janë zgjedhje për administratën lokale. Një sfidë e madhe për të zgjedhurit nga këto votime do të jetë procesi i decentralizimit lokal, se sa parlamenti shqiptar do të delegojë kompetenca reale në zhvillimin dhe shfrytëzimin e aseteve ekonomike dhe financiare tek të zgjedhurit lokalë për të ofruar shërbime të drejtpërdrejta e cilësore tek qytetarët shqiptarë, ç’ka është një proces që mbetet për t’u verifikuar pas zgjedhjeve, por pyetja juaj është e drejtë. Ne tashmë duhet të mendojmë se si t’i konsolidojmë standartet e realizimit të zgjedhjeve, që nga mënyra e bërjes së fushatës, tek procesi i votimit, veçanërisht sfidë e madhe mbetet procesi i nxjerrjes së rezultateve të votimit- mënyra se si do të numërohet vota, e se si ajo do të pasqyrojë vullnetin real të qytetarëve shqiptarë. Unë e inkurajoj me gjithë zemër do të jem mjaft i angazhuar dhe interesuar për të parë se si do të jetë sjellja e infrastrukturës elektorale që bazuar në kodin dhe procesin tonë është i ofruar nga vetë partitë politike, ndaj edhe përgjegjësia shkon kryesisht tek partitë politike.
Por historia e problemeve me listat e zgjedhësve ende nuk mbaron, edhe në këtë fushatë ka pasur disa shqetësime…
Do të dëshiroja shumë që vërejtjet paraprake të komisionit të OSBE-ODHIR-it që kanë paraqitur disa shqetësime për angazhimin e administratës publike për njërën apo tjetrën palë, tentativa për të krijuar lista me banorë të ardhur nga zona të tjera në interes të njërit apo tjetrit kandidat, jo vetëm të mbeten të izoluara, por edhe të hetohen e ndalohen, por sidomos të mos krijojnë precedentë për një situatë problematike postzgjedhore.
Debat të fortë në Shqipëri ka ngjallur dekriminalizimi i parlamentit apo edhe i kandidatëve për zgjedhjet vendore- të bëhen bashkë në një togfjalësh, de-kriminalizim e parlament -edhe kjo nuk mendohej. Si mendoni si është zhvilluar deri më tani ky proces?
Çdo shqiptar, edhe unë si kreu i shtetit ndjehemi jashtëzakonisht keq kur flasim për një aspekt të tillë. Por nga ana tjetër ky është një realitet, nuk mund të them se sa është numri i tyre, por ka individë që janë identifikuar me veprimtari kriminale, pavarësisht mënyrës se si ata kanë depërtuar të bëhen pjesë e parlamentit, kjo kurrsesi nuk mund të vijojë të jetë e pranueshme në politikën tonë, jo vetëm në parlament, por edhe në çdo nivel të administratës publike. Jam shpresëplotë tek marrëveshja e partive politike për ta realizuar atë në praktikë, në fund të fundit janë forcat politike ato që siç kanë përgjegjësinë për depërtimin e këtyre individëve në politikë, kanë edhe përgjegjësinë e dekriminalizimit e largimit njëherë e përgjithmonë të këtye individëve.
Ka muaj që ka një konsesus në Shqipëri – nga të paktët – se në drejtësi ka shumë korrupsion, se kështu nuk vazhdohet, por një strategji konkrete për reformën në drejtësi ende nuk shihet. Ku çalon reforma?
Unë e kam deklaruar dhe i mbetem qëndrimit se reforma në drejtësi jo vetëm është domosdoshmëri, jo vetëm është emergjencë, por është rrugë pa alternativë. Nuk ka alternativë tjetër Shqipëria përpos të realizojë një reformë reale, të gjerë e të thellë të sistemit të drejtësisë. Sot ka një problem që ndahet në dy aspekte do ta shikoja unë: Së pari në luftën e individëve të korruptuar brenda sistemit të drejtësisë, e cila është gjithashtu një emergjencë, tjetra ka të bëjë me mosngatërrimin e procesit të reformës me intervenimin dhe marrjen nën influencë politike të institucioneve të drejtësisë nga ana e politikës.
Kjo është sëmundje e vjetër, por si mund të shpëtojë drejtësia nga presioni i politikës…
Absolutisht, kjo për mua është forma më e lartë e korrupsionit dhe nëse një gjyqtar i korruptuar ka të gjithë mundësitë të vihet para drejtësisë, një gjyqtar i korruptuar politikisht është shumë i mbrojtur dhe ai kthehet në një aset negativ për shoqërinë në tërësi, sepse ai i shërben një politikani, një njeriu me pushtet, dhe kjo i shpërblehet duke e lejuar atë që t’i bjerë në qafë dhjetëra qindra qytetarëve në konfliktet e përditshme. Drejtësia mund të shpëtojë, por kjo kërkon një vullnet të qartë të politikës. Njerëzit që marrin mandate nga qytetarët për vendimmarrje duhet të kuptojnë se nuk ka pushtet të përjetshëm, nuk ka pushtet të përhershëm se reforma në drejtësi nuk është për t’i shërbyer një njeriu apo grupe individësh të caktuar, por për t’i shërbyer Shqipërisë e shqiptarëve. Unë besoj se nuk mund të realizojmë një reformë në sistemin e drejtësisë me individë që kanë udhëhequr mekanizmin më represiv e më brutal të shtypjes së qytetarëve të Shqipërisë në kohën e diktaturës. Nuk mund ta realizojmë një proces e një reformë në drejtësi nga njerëz, të cilët kanë qenë emblema të korrupsionit në sistemin e drejtësisë për vite e vite me radhë. Kemi numër prokurorësh, gjyqtarësh, magjistratësh, brez i ri i formuar me tjetër kulturë profesionalizimi, ata duhet t’i inkurajojmë për të qenë në vijën e parë të ndërmarrjes së reformaës.
Pas vizitës së kryeministrit Vuçiç në Tiranë duket se Shqipëria dhe Serbia duan të lenë pas historinë dhe të jenë forca bashkëpunuese, promovuese të një kulture të re në rajon. A mund t’i shohim si dy mini-superfuqitë e reja të Ballkanit. dhe sa mund të ndërtohet një bosht bashkëpunimi me Serbinë pa njohur ky vend Kosovën?
Nuk është e nevojshme t’i shohim Shqipërinë e Serbinë si minisuperfuqi të rajonit, mjafton që Shqipëria e Serbia të kontribuojnë për stabilitetin e paqen në rajonin e Ballkanit. Shembulli i Shqipërisë është më evidenti, ka qenë stabël dhe i pandryshueshëm në kuptimin e kontributeve në parimin e fqinjësisë së mirë, të respektit, bashkëpunimit e stabilitetit. Jam i bindur që klasa politike, gjenerata e re në Serbi ka filluar ta kuptojë se nuk ka alternativë tjetër përpos që edhe ata të shkojnë drejt kësaj politike të kontributit për bashkëpunim, stabilitet e për mirëkuptim dhe respekt reciprok. Natyrisht që çështja e Kosovës është një çështje që nuk varet më nga dëshira e humori i politikanëve në Serbi, Kosova e pavarur është realitet.
Serbia e ka pranuar de fakto pavarësinë për sa kohë Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota e të gjitha iniciativave rajonale si e barabartë në tryezën e kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Ne e mirëpritëm vizitën e Vuçiç në Tiranë, dhe mbetemi të interesuar për përmirësimin real të jetës ekonomike e sociale të shqiptarëve në Luginën e Preshenës, unë bisedova me kryeministrin Vuçiç e mora premtime serioze prej tij. Përfitoj nga rasti për të nënvizuar edhe kontributin e veçantë që Gjermania ka pasur, ka e duhet të ketë në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Unë mendoj se realiteti i shanseve të mëdha që ka sot Ballkani është edhe falë angazhimit të fortë e të rëndësishëm të Gjermanisë.