Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann, në mbyllje të misionit diplomatik të këtij të fundit në Shqipëri.
Presidenti Nishani e falënderoi Ambasadorin Hoffmann për angazhimin e tij personal në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe shprehu vlerësimin pozitiv për vëmendjen dhe përkushtimin e Ambasadorit në mbështetjen e axhendës evropiane të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit përfitoi nga rasti që të shprehte edhe njëherë mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer e të gjithanshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në 25 vite demokraci, si dhe për mbështetjen substanciale në kuadrin e procesit të integrimit evropian. (java / r.a)