Nishani dekoron 67 ballistë të vrarë, me porosi nga PD, ceremoni e fshehtë në Divjakë
Ashtu siç edhe e ka bërë praktikë, në një ceremoni të fshehtë, në Divjakë të Lushnjes, Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar 67 ballistë të vrarë, gjatë përplasjes së armatosur me brigadat partizane, nën drejtimin e Mehmet Shehut.
73 vjet më parë, pikërisht në 21 Tetor të vitit 1943, në Matjan të Lushnjes, në radhët e ballistëve, që akuzoheshin nga partizanët për bashkëpunim me pushtuesin nazifashist, mbetën 67 të vrarë. Për këtë ngjarje, historianët ndajnë mendime krejtësisht të ndryshme, por kreu i shtetit, Bujar Nishani, me porosi të Partisë Demokratike, ka dekoruar 67 ballistët e vrarë, me titullin “MARTIRE TE DEMOKRACISE”.
Ceremonia është zhvilluar ditën e enjte në orën 11:00. Ceremonia e dekorimit është mbajtur e fshehtë nga Presidenca, sikundër u operua me dekorimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të PD, përfaqësues të ish-të përndjekurve, pasardhës të të vrarëve etj. Lëvizja me natyrë provokuese vjen në fund të mandatit presidencial, kur Bujar Nishani, ashtu siç edhe ka paralajmëruar, pritet t’i rikthehet politikës aktive si pjesë e Partisë Demokratike.
Por, dekorimi i ballistëve, vjen edhe në kuadër të turit të ri të Lulzim Bashës, nëpër Shqipëri, për të maksimalizuar mbështetjen popullore, për llogari të zgjedhjeve të 2017. Gjithsesi, si asnjëherë më parë, dekorimi i 67 ballistëve nga presidenti Nishani ka shkaktuar polemika jo vetëm në radhët e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe në radhët e vetë Ballit Kombëtar. Thelbi i debatit është se Presidenti i konsideron 67 ballistët “MARTIRE TE DEMOKRACISE”, ndërsa veteranët e luftës i njohin ballistët si tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit.
Reagojnë veteranët
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e kanë konsideruar dekorimin e 67 ballistëve nga presidenti Nishani, në Divjakë të Lushnjes, si një tendencë për të ngjalluar dhe nderuar fashizmin. Sipas tyre, dekorimi është edhe një goditje ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. “E ka bërë edhe herë të tjera. Janë dekorime të dyshimta. Ne e shohim si një tendencë të Presidentit për të ngjalluar fashizmin. Bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit janë dënuar në të gjithë Evropën”, ka deklaruar për Shqiptarja.com, Rustem Peçi, kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Akuzat e Ballit Kombëtar
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ndonëse ka vlerësuar dekorimin e 67 ballistëve, ka akuzuar Presidentin Nishani për një mision, për përçarjen e Ballit Kombëtar. “Presidenti im, pas kërkesave tona duhet të kishte vlerësuar edhe drejtuesit e Ballit Kombëtar dhe do t’i kërkoja që të bashkëpunonte me Ballin Kombëtar për të mos menduar ndryshe. Nuk ma merrte mendja dhe do të uroj shumë sinqerisht që Presidenti im të ishte uniteti i kombit shqiptar dhe të mos kishte qëllim ndarjen dhe përçarjen e ballistëve. Por, ai në fakt e ka realizuar një gjë të tillë. Ky është skenari i politikës së vjetër për ndarjen dhe dobësimin e Ballit Kombëtar në këto vite. Më vjen shumë keq për Presidentin tim Bujar Nishani. Keqardhje për ballistët e Lushnjes që kur u vranë thanë “derra bëhemi dhe komunistë kurrë.”. Z. President, ballistët e vërtete nuk do t’i ndani kurrë, spiunët ndofta”, ka deklaruar Adriatik Alimadhi. Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar ka theksuar gjithashtu se kjo ishte maskara më e madhe pas Marrëveshjes se Mukjes. “Homazh dhe nderim 67 dëshmorëve të Ballit Kombëtar, të vrarë nga kriminelë të brigadave partizane me në krye kriminelin Mehmet Shehu. Kjo është masakra më e madhe e vrasjeve të kryera nga kriminelët komunistë fill pas Marrëveshjes së Mukjes”, tha ai.
Dekorimi
Ashtu siç edhe ka bërë praktikë, në një ceremoni të fshehtë, në Divjakë të Lushnjes, Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar 67 ballistë të vrarë, gjatë përplasjes së armatosur me brigadat partizane, nën drejtimin e Mehmet Shehut.
Akuza
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ndonëse ka vlerësuar dekorimin e 67 ballistëve, ka akuzuar Presidentin Nishani për një mision, për përçarjen e Ballit Kombëtar.
Ngjarja në vitin 1943 në Lushnje
Më 21 tetor të vitit 1943 në qytetin e Lushnjës ishin mbledhur krerët e Ballit Kombëtar të Shqipërisë së Mesme për të shqyrtuar gjendjen e krijuar. Sipas ballistëve, me t’u informuar për këtë ngjarje, brigada komuniste, me komandant Mehmet Shehu, që ndodhej atë ditë në Dumre, vendosi të sulmojë Lushnjën për të asgjësuar udhëheqësit e Ballit Kombëtar që ndodheshin atje. Në katundin Golem forcat partizane u përplasën me forcat e Isa Manastirliut, të cilat kishin në përbërje të tyre rreth 400 veta. Shumica e këtyre njerëzve ishin nga krahinat e Myzeqesë. Mbas një përpjekjeje që nuk zgjati shumë, mbetën të vrarë 12 ballistë. Komandanti i tyre, Isa Manastirliu, me një pjesë të forcave arriti të çante rrethimin e forcave komuniste dhe ti drejtohej qytetit të Lushnjës. Sipas ballistëve, Mehmet Shehu, kërkoi t’i pushkatonte të gjithë nacionalistët, ku u konsideruan nga komunistët si robër lufte. Sipas tyre, pushkatimet u bënë me urdhrin e drejtpërdrejtë të Mehmet Shehut dhe Dushan Mugoshës (me pseudonimin “Sali Murati”).
Pëllumb Xhufi: Mehmet Shehu nuk ka pushkatuar njeri
Historiani Pëllumb Xhufi ka një mendim ndryshme për Mehmet Shehun. “Me sa di unë, kriminel quhet dikush që vret në kushte paqeje, ose dikush tjetër që në kushte lufte, vret e masakron popullin e vet. Këtë e kanë bërë pikërisht ballistët e “nacionalistët” e sojit Isa Toska, Hamit Matjani, Xhafer Deva, Dan Kaloshi, Halil Alia. Mehmet Shehu ka luftuar ashpër kundër tyre dhe kundër padronëve të tyre, fashistëve italianë e gjermanë. Unë nuk e di që Mehmet Shehu të ketë firmosur për të vrarë, për të pushkatuar. Madje di edhe këtë që, edhe një akt vërtet terrori që është bërë ndaj robërve italianë të luftës në shtator të vitit 1943 në zonën e Labinotit, nuk është realizuar nga Mehmet Shehu, siç thuhet, por është bërë nga komandantët lokalë të njësive partizane. Madje ata janë kritikuar për këtë akt. Qe serioz, jo njeri i grupazheve, i miklimeve, siç kanë qenë shumë drejtues komunistë. Njeri i prerë, që i pëlqenin njerëzit kurajozë, të cilët mund të kishin ide ndryshe nga ai, por dinin t’i mbronin”, ka pohuar Xhufi.
Emrat e ballistëve të dekoruar nga kreu i shtetit
1. Ndoni Sako
2. Fani Trungu
3. Gori Todi
4. Jani Gjeka
5. Jorgji Gjoni
6. Jorgji Lala
7. Kozma Zhuka
8. Nasi Zhuka
9. Koli Tashi
10. Kristo Shkoza
11. Loni Bita
12. Llazi Prifti
13. Lili Shkoza
14. Mihal Bita
15. Nasi Janko
16. Nasi Sako
17. Nasi Zaho
18. Perikli Prendi
19. Pali Zaka
20. Ristan Bani
21. Simon Gjini
22. Stefan Prendi
23. Trifon Gjeka
24. Trifon Gjoni
25. Todi Gjurgji
26. Vasil Perboti
27. Myslym Bedalli
28. Ram Koçi
29. Bajram Jeshili
30. Mehdi Pirra
31. Bajram Pepa
32. Ruho Nako
33. Hysen Dupi
34. Arif Muço
35. Rakip Xhepa
36. Shaqir Sula
37. Elmaz Xhepa
38. Çaush Xhepa
39. Latif Karafili
40. Shaban Sina
41. Asllan Vrapi
42. Hysen Ismaili
43. Muharrem Meshani
44. Bajram Bilbili
45. Ismail Koçiu
46. Muhamet Kasmi
47. Alush Kasmi
48. Shemsi Arapi
49-Skënder Arapi
50. Sabri Bullari
51. Beqir Cani
52. Haxhi Sina
53. Tafil Lluzha
54. Ibrahim Lluzha
55. Arif Halili
56. Kadri Murrizi
57. Ismail Murrizi
58. Hysen Murrizi
59. Haxhi Murrizi
60-Ymer Bullari
61. Gaqi Ndoni
62. Ndini Ndon
63. Isuf Buzi
64. Shyqyri Leka
65. Ramazan Kofsha
66. Shefik Tota
67. Gori Lala
Shqiptarja.com/d.i.