Gjatë dy viteve në vazhdim, investimet e Bashkisë së Tiranës do të shtrihen në nivel kapilar, në çdo lagje, për përmirësimin e infrastrukturës së qytetarëve. Krahas investimeve madhore, një vëmendje e veçantë po u kushtohet edhe ndërhyrjeve nëpër lagje e rrugica për ndërtimin e rrugëve, rrjetit të kanalizimeve, ndriçimit, këndet e lojërave etj,.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që kanë nisur për rikonstruksionin e rrugëve lidhëse të lagjeve në zonën e njohur si ish-Kinostudio në Njësinë Administrative Nr. 4. Ai theksoi se falë këtij investimi do të përfitojnë rreth 300 familje, të cilat jetonin në një zonë ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh.
“Jemi shumë të lumtur që kemi mbaruar disa punë të mëdha në qendër të Tiranës, si sheshi “Skënderbej”, si Bulevardi i Ri, si Pazari i Ri, si Parku Olimpik, por njerëzit nuk jetojnë në shesh, njerëzit jetojnë nëpër lagjet e këtij qyteti. Kjo është një zonë që lidh Kinostudion me Repartin 3700, ku kemi rreth 80 familje në këtë zonë dhe 300 në të gjithë pellgun. Investimi do të fillojë në mënyrë kapilare, me kanalizime të ujërave të zeza, me rrjetin e ujësjellësit dhe pastaj me asfaltimin, ndriçimin dhe sinjalistikën e nevojshme për këtë komunitet”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se pas përfundimit të fazës së parë të punimeve, do të nisë menjëherë edhe faza e dytë, ku në bashkëpunim me administratorët e pallateve në fokus do të jetë rehabilitimi i të gjithë zonës. “Do të vazhdojmë në brezin tjetër, që ka të bëjë me urën tek përroi, që na lidh pastaj me lumin dhe me gjithë investimet e tjera për rehabilitimin e zonave. Kjo është një zonë që është zhvilluar jashtë mase pas viteve ’90, edhe pallatet që ekzistojnë në këtë zonë janë bërë me punë vullnetare dhe janë amortizuar”, u shpreh ai.
Veliaj falënderoi të gjithë banorët e kësaj zone për bashkëpunimin që kanë treguar këto ditë, duke kontribuar në lirimin e hapësirave të zëna për ndërtimin e infrastrukturës për të gjithë komunitetin. “Ka qenë një nga zonat që kemi pasur më shumë bashkëpunim. Nuk na qëllon shpesh që edhe banorët të jenë të gatshëm që të ndihmojnë me pastrimin, me rregullimin dhe me tërheqjen e avllive”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
a.ç