Përdorimi i dronëve për monitorimin e hapësirës ajrore tashmë ka marrë jetë edhe në vendin tonë. Policia e Shtetit ka nisur testimin e dronëve, që pritet të përdoren për operacione të posaçme për kapjen e personave në kërkim, ndjekje policore, monitorime nga ajri të tubimeve të ndryshme.
Për të rritur efikasitetin në aksione policore dhe shmangur rrezikun për jetën e punonjësve, është vendosur të aplikohet teknologjia e lartë në ndihmë të Policisë.
Edhe vetë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako ndoqën testimin në Akademinë e Sigurisë. Ekspertët demonstruan parametrat e dronit në ndjekje të mjeteve në autostradë, që shkonin mbi 80 km/orë, kohëzgjatjen në fluturim rreth 2 orë në mënyrë të pavarur, monitorimin e zonave informale për ndërtimet pa leje.









