Nis të hënën faza e fundit e gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej disa vitesh mbahen në paraburgim. Nga 9 deri më 18 shkurt, në Hagë do të mbahen seancat e fundit, ku me radhë Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve do të bëjnë parashtrimet përfundimtare para gjykatës, lidhur me konkluzionet e një procesi të gjatë gjyqësor.
Në fund pritet që të flasin edhe vetë të akuzuarit: ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe Rexhep Selimi.
Hysni Gucati, në emër të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se pret që gjykata të marrë një vendim të drejtë.
“Dashtë Zoti që gjyqtarët të mos bien pre e prokurorëve dhe e matrapazëve, të marrin një vendim të drejtë, një vendim pozitiv, ta quaj unë pozitiv, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shpresoj që ata në maj të vijnë, të festojmë ditën e tyre, kur të lirohen. Më së pari, inshallah, të vijnë në familjet e tyre, pastaj të vijnë në rrethin e shoqërisë dhe të Kosovës”.
Sipas tij, akuza është e fabrikuar dhe disa dëshmitarë kanë dhënë deklarata të pavërteta.
“Është bërë një aktakuzë e rreme, e falsifikuar nga Serbia, Rusia dhe nga disa shqiptarë shqipfolës, të cilët trupin e kanë në Kosovë e kokën në Serbi dhe mendojnë që Kosova duhet t’i kthehet Serbisë. Ata shqiptarë kanë gabuar shumë që kanë dëshmuar. Më konkretisht, kanë dëshmuar në mënyrë të pavërtetë. Nuk kam gjuhë të keqe, por kanë shkuar me dëshmuar me rrena. Jo viçi, jo lopa, jo mali, jo çfarë s’kam dëgjuar. Ne vetë dhe ju i keni dëgjuar, i keni përcjellë”.
Gucati ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të të akuzuarve dhe funksionimin e gjykatës, duke thënë se për vite me radhë janë shkelur procedurat e trajtimit të të paraburgosurve.











