Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur ditën e sotme në Berlin. Ai u prit nga kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Dyshja, zhvilluan bisedime përmes një video-call me liderë të tjerë evropianë, përpara se të bashkoheshin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, së bashku me krahun e tij të djathë, J.D. Vancë, në orën 14:00.
Zelensky u shpreh fillimisht se duhet ushtruar presion ndaj Rusisë, “për hir të një paqeje të drejtë”.
Sakaq, kryeministri britanik, Keir Starmer, së bashku me homologun e tij holandez, Dick Shoof, zhvilluan bisedime së bashku për “mbështetje ndaj Ukrainës dhe punën e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës barbare së Rusisë”. Po kështu, dyshja ra në dakordësi se “nuk duhet të merren vendime për të ardhmen e Ukrainës pa Ukrainën”.
Nga ana tjetër, Shefi i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, u shpreh për mediat se Trump do i bëjë të qartë Vladimit Putin në Alaska se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, lidhur me lehtësimin ose forcimin e mundshëm të sanksioneve ndaj Moskës.
Bessent theksoi se sanksionet “mund të rriten, mund të lehtësohen dhe mund të kenë afate kohore”. Megjithatë, ende nuk është e qartë se cila prej këtyre masave do të aplikohet.
Për liderët evropianë, shefi i Thesarit tha se “duhet të bashkohen me ne në këto sanksione”.
Theksojmë, se rreth një javë më parë, Trump deklaroi se do të ketë disa shkëmbime territoresh në dobi të Ukrainës dhe Rusisë. Kjo deklaratë, ngriti shqetësime të shumta në Kiev dhe gjithë Evropën. Sakaq, Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës.
E gjithë kjo ndodh para takimit të Trump me Putin, që do të mbahet ditën e premte, më 15 gusht 2025, në Alaskë. Qëllimi i këtij takimi do të jetë për të diskutuar mbi të ardhmen e luftës në Ukrainë.











