Nga Mero Baze
Ambasada jonë në Shkup ka reaguar ndaj deklaratave të Aleksandër Nikolovskit, zëvendëskryeministër dhe ministër i Infrastrukturës në Maqedoninë e Veriut, i cili ka deklaruar në një seancë plenare parlamentare se Ilir Meta “po mbahet në paraburgim pa dosje”, duke hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Deklarata nuk ka synuar as të mbrojë Ilir Metën, as të sulmojë Edi Ramën, por të krijojë imazhin e një Shqipërie të shëmtuar për të poshtëruar klasën politike në Maqedoni, duke u kujtuar “shtetin amë”. Dhe në këtë pikë ajo është një deklaratë raciste që reflekton profilin e partisë në pushtet në Maqedoni dhe na kujton edhe një herë fatkeqësinë e defaktorizimit politik të shqiptarëve, të cilët, përveçse të poshtëruar dhe anashkaluar, duhet të durojnë edhe leksione drejtësie nga numri dy i një partie që “udhëheqësin shpirtëror” të tyre e kanë në arrati nga drejtësia.
Nikolovski ka të drejtë ta mbrojë Ilir Metën si aleat politik, por edhe si politikan në përgjithësi. Është e vërtetë që Ilir Meta mbahet prej gati një viti e gjysmë në burg pa ndonjë arsye të besueshme dhe qartazi me një zell prokurorësh që terrorizojnë gjykatën speciale dhe i trajtojnë gjyqtarët e asaj gjykate sikur t’i kenë pastruese të shtëpisë së tyre.
Nuk ka asnjë argument juridik pse duhet të qëndrojë në paraburgim një njeri që s’ka asgjë në dorë nëse është i lirë, përveçse të arratiset si Gruevski, të cilin edhe e pat ndihmuar të ikte nga Shqipëria për në Mal të Zi. Thjesht është një padrejtësi që “korporata” e drejtësisë së re e bën për të forcuar autoritetin e saj dhe për të rritur pazaret me politikën.
Po ashtu, ky person ka edhe të drejtën të sulmojë Edi Ramën. Edi Rama është kundërshtar politik i partisë nacionaliste në pushtet në Maqedoni, ka kundërshtuar përçarjen e faktorit shqiptar që ata e arritën me ndihmën e Albin Kurtit dhe nuk është një aleat politik i tyre. Thjesht e kanë pasur kundërshtar në fushatë elektorale dhe nuk kanë raporte të mira politike me të. Janë të lirë ta sulmojnë dhe ta kritikojnë.
Nuk jam duke i dhënë leksione zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës se si funksionon drejtësia jonë, por është qesharake që kryeministri i Shqipërisë të akuzohet njëkohësisht si komandues i drejtësisë së re dhe si viktimë e saj. Nëse do të ishte siç thotë ky, atëherë Edi Rama do të kishte homolog të tij në Shqipëri Belinda Ballukun, e cila gjithashtu ka qenë zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Rama nuk mund të akuzohet njëkohësisht se ka pushtet mbi drejtësinë dhe se nuk arrin të mbrlojë homologen e këtij “skifteri” të Maqedonisë së Veriut.
Prandaj nuk ia vlente që ambasada të reagonte duke e trajtuar këtë çështje si një luftë të brendshme politike.
Ky është një rast tipik i shfaqjes së racizmit ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe jo ndaj Shqipërisë, sepse në Shqipëri ende nuk janë ambientuar me emrin e republikës fqinje, e cila u ngjan shpesh me refugjatët shqiptarë në Greqi që detyrohen një herë në dhjetë vjet të ndryshojnë emrin.
Përpjekja për të poshtëruar shqiptarët në Maqedoni duke krijuar paralelizma me drejtësinë në Shqipëri, nga një parti që ende nuk ka zgjidhur problemet e saj me drejtësinë që nga koha e ish-FYROM-it, pastaj e ish-Maqedonisë dhe tani Republikës së Maqedonisë së Veriut, tregon në çfarë republike primitive jetojnë shqiptarët atje, edhe për faj të tyre. Dhe faji më i madh i tyre është që arritjet kushtetuese të siguruara me armë në dorë, duke i ulur “brekët” para pasardhësve të këtij tipi, i dorëzuan me mbështetjen e Albin Kurtit në pushtetin e këtyre racistëve.
Racizmi ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi ka detyruar Serbinë të lëshojë Kosovën dhe Shkupin që t’i njohë si element shtetformues. Uroj që në Shkup të mos përsëritet më historia e vitit 2001, pasi në situata të tilla dëshpëruse , kur drejtësinë e vendos lufta, gjyqet e shëmtuara të Shqipërisë dhe Shkupit duken si parajsë.











