Nikoll Prenga: Unë, paditësi i kryeministrave të Pluralizmit!
U bë i njohur dje, falë një padie kurioze dhe në kufinjtë e humorit, e cila i drejtohej të gjithë kryeministrave të Shqipërisë pas vitit 1990. Nikoll Prenga, drejtues i një shoqate në Durrës, i ka thënë gazetës Panorama se “Kryeministrat që kanë drejtuar Shqipërinë përgjatë 25 viteve të fundit janë përgjegjës kryesorë për shkatërrimin e pasurisë kombëtare”.
Duke zhvilluar më tej këtë koncept, Prenga ka deklaruar se i akuzon kryeministrat Bufi, Nano, Meksi, Fino, Majko, Meta, Berisha dhe Rama, për katandisjen e Shqipërisë në këtë derexhe. Ai thotë se ka edhe provat për këtë akuzë që ka ngritur. “Kam fakte pa fund. Faktet janë në shesh, por nuk duan t’i shikojnë me qëllim, sepse duan vetë që vendi të jetë i destabilizuar. Shkatërrimi barbar që i është bërë vendit përgjatë 25 viteve të fundit, përgjegjësia e kujt është?! Asgjë nuk ka ngelur në këmbë, duke nisur që nga ndërmarrjet, uzinat, fabrikat, rezervat e shtetit, vjedhja e thesarit të shtetit, vjedhja e floririt. Për të gjitha këto vepra të shkatërruara dhe të vjedhura, mbajnë përgjegjësi Ylli Bufi, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta, Sali Berisha dhe kryeministri aktual, Edi Rama”, shprehet me seriozitet Prenga. Ndoshta nuk duhet marrë me shumë humor…










