Presidenti serb, Tomislav Nikoliç në një intervistë ka thënë se Sllobodan Milosheviçi e ka ditur më së miri se çka do të thotë “kur na rrëshqet Kosova”. Nikoliçi, në bisedë për procesin e anëtarësimit në BE dhe çështjen e kapitullit 35 ka thënë se i ka paralajmëruar të gjithë për një pozicion të vështirë sepse do të mbyllet me një dokument detyrues, qysh në momentin kur kanë filluar bisedimet më Kosovën, transmeton Koha.net. Ai tha se kur janë hapur kapitujt ka thënë se nuk ka qenë koha për eufori dhe festime.
“Unë nuk kam thënë se nuk duhet festuar dhe kam qenë pjesë e festës së organizuar nga qeveria jonë, por i kam paralajmëruar të gjithë, përfshirë edhe popullin serb për këtë situatë. U kam thënë se mund të punojnë shumë mirë, por nëse diçka rrëshqet tek Kosova, atëherë atë e ka ndjerë më së miri Slobodan Millosheviç. Nëse juve ju rrëshqet, atëherë askush nuk do të llogaritë tek ju dhe nuk do t’ju japë meritë”, ka thënë Nikoliç.
Ai ka qenë shumë kritik me ekipin negociator të Serbisë, pasi ka thënë se asnjë pikëpamje të tij nuk e kanë marrë parasysh. Marko Gjuriç, tha Nikoliç, e lajmëron atë për të rejat, por që ky nuk i jep asnjë instruksion.