Vendimi i Autoritetit Portual Durrës për të ngushtuar hyrjen numër 4 të portit, në afërsi të Urës së Dajlanit, nga 6 në 3 korsi, për shkak të punimeve për projektin “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, është kundërshtuar nga Partia Demokratike.
Për deputetin Igli Cara, përgjysmimi i kapaciteteve të hyrje-daljeve është një akt i paprecedentë dhe, sipas tij, kjo do të ndikojë negativisht, shkruan A2CNN.
“Do të krijojë pengesa të mëdha edhe në trafik, imagjinoni periudhën e pikut në verë. Imagjinoni pak kur të jetë e përgjysmuar”, tha Cara.
Deputeti demokrat kërkoi që ky projekt të ndalojë, pasi, siç tha, nuk i shërben qytetarëve.
“Unë nuk kam fjalë, por vetëm mund të them që është veprim antishqiptar. Do të rriten kostot, do të rritet koha e përpunimit të mjeteve dhe pyetja që bëjnë është kujt i shërben. Por si ka mundësi që vetëm për të bërë një pallat përgjysmohet fluksi i transportit të mallrave në Durrës?”, tha deputeti Cara.
Ndërkohë, Autoriteti Portual Durrës, në një njoftim për mediat, bën me dije se këto ndërhyrje janë pjesë e fazës së parë të zhvillimit infrastrukturor dhe përfshijnë gjithashtu rehabilitimin e aksit rrugor të dëmtuar, si dhe rikualifikimin e portës në një vendndodhje të re.











