Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të përzgjedhur në krye të Kuvendin e Shqipërisë, Niko Peleshi është shoqëruar me debate në seacën e parë të Kuvendit, ku opozita përmes Gazment Bardhit kundërshtoi emrin e Niko Peleshit për të qenë në krye të Kuvendit.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paraqiti emrat e propozuar për anëtarët e komisionit, ndërsa opozita, e përfaqësuar nga Gazment Bardhi, e kundërshtoi ashpër këtë proces, duke e cilësuar të paligjshëm dhe të motivuar nga interesa korruptive.
“Bazuar në nenin 6 të rregullores për ngritjen e këtij komisioni, propozojmë z. Fadil Nasufin, z. Samir Hasalla dhe Bledi Çomo. Faleminderit”, u shpreh Balla.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e cilësoi kandidaturën e Peleshit dhe procesin e zgjedhjes si tërësisht të papranueshëm, duke akuzuar mazhorancën për mungesë legjitimiteti dhe lidhje me korrupsionin.
“Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, aq më tepër emri i përzgjedhur është sikur të ulësh në karrigen numër 2 të shtetit shqiptar, Klodian Zoton. Se të vendosësh mikun e Klodian Zotos është njëlloj si të vendosësh vetë Klodian Zoton. Me këtë propozim që ju po bëni, thjesht po na tregoni që filozofia juaj e vetme e qeverisjes është vjedhje, krim, korrupsion dhe prandaj ne nuk marrim pjesë në këtë proces”, tha Bardhi.
Ndërkaq më herët, deputetët bënë betimin e tyre në Kuvend, ndërsa kryetarja e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, Milva Ekonomi, njoftoi se dy deputetë, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, kanë dorëzuar shkresa për heqjen dorë nga mandati i tyre si deputetë.











