Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek sistemi në drejtësi, vizita e numrit 2 të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, Lisa Johnson, si dhe retorikën e ashpër të ndjekur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokat Ngjela tregoi arsyet se pse Meta dhe Berisha janë alarmuar nga SPAK, ndërkohë që kërcënimet e tyre me revolta si në Sri Lanka, i cilësoi “Përralla me Mbret” dhe thirrje dëshpëruese. Sipas zotit Ngjela, SHBA dhe presidenti Joe Biden janë vendosur për të çmontuar korrupsionin në Shqipëri.
-Zoti Ngjela, më 24 korrik pas mbarimit të mandatit presidenti Ilir Meta largohet nga Presidenca, ndërsa ka deklaruar se do të rikthehet në politik dhe do të shkund sistemin. Cili është komenti juaj?
I keni dëgjuar ato paralajmërimet e Kinës komuniste kundër Amerikës gjatë momenteve të Luftës së Ftohtë, paralajmërimi 1, paralajmërimi 2, e kështu me radhë sepse ishin diku tek 200 apo 300 paralajmërime, e njëjta gjë është edhe me atë, ku e ka ai forcën. Ai mendon që forcën ta kap me Saliun. Po Saliu ku e ka forcën? Askund. Janë tendenca antiamerikane në thelb dhe nuk është se janë antiamerikane si pasojë e qytetërimit, por si pasojë e korrupsionit që kanë bërë të dy dhe kapjen që bëri politika amerikane dhe ekspertiza juridiko –penale që krijoj në Shqipëri gjithë legjislacionin antikorrupsion për reformimin e gjyqësorit, krijoj gjithashtu SPAK-un dhe ka dhënë shenja që do të filloj goditjen në nivelet e larta të korrupsionit në Shqipëri. Të gjitha këto natyrisht që i kanë alarmuar dhe flasin pa hesap sepse ata që e kanë marr në dorë këtë çështje, pra politika e lartë amerikane do ta çojë deri në fund. Saliu u pa i mërzitur pse u hapën negociatat me Bashkimin Evropian dhe çfarë koncepton kjo, kjo koncepton atë që ju thashë unë më lartë sepse përçuesi ynë kryesor që ka bindur në mënyrë absolute Bashkimin Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në Europën e bashkuar është politika amerikane. Madje para dy muajsh Biden tha se do ta çojmë deri në fund këtë çështje, sepse gjithë perëndimi sot, politika amerikane dhe ajo gjermane e dinë shumë mirë që forca shqiptare në Ballkanin Perëndimor i jep mundësi shumë të mëdha për politikën e tyre deri Mesdhe dhe gjithmonë kundër Rusisë. Të gjitha këto na kanë dhënë këto përparësi dhe kush është mërzitur? Është mërzitur Beogradi, Moska dhe moskovitët e Tiranës.
-Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pak ditë më parë se situata e Sri Lankës me Shqipërinë është thuajse e njëjtë, ndërsa theksoi se do largojë qeverinë me dhunë. Si i komentoni këto deklarata të tijat?
Është një zë në shkretëtirë. Si do ta rrëzojë me dhunë ai, ka qeveri në një vend demokratik që rrëzohet me dhunë dhe jo me votë, ç’na duhet Sri Lanka, vend aziatik. Gjirokastritët kanë një shprehje që thonë: I urituri shikon në ëndërr gjithmonë kullure dhe i shqetësuari e njëjta gjë është sheh në ëndërr forcë. Por, lufta antikorrupsion në Shqipëri do të vijoj sepse nuk e kemi bërë ne. Na e kanë strukturuar amerikanët dhe shenjat janë që do vijojë deri në fund. Mbrojtja e politikës amerikane për Shqipërinë doli edhe sot në dy aspekte. Aspekti i parë ishte hapja e negociatave dhe aspekti i dytë ishte ajo që tha Biden për rolin e Shqipërisë dhe të dy këto fakte na japin forcë që Shqipëria do krijoj një zhvillimin të ri si në luftën antikorrupsion edhe për prestigjin e saj në arenën ndërkombëtare edhe në.
-Sipas jush, nga duhet që të filloj lufta antikorrupsion në Shqipëri?
Kam përshtypjen që pa ikur presidenti Ilir Meta nuk mund të filloj dot goditja antikorrupsion në nivele të larta, sepse ai ka të drejtën e faljes. Përpara një gjendje të tillë janë dy aspekte, një aspekt është që shoqëria shqiptare është duke pritur suksesin e saj, se lufta antikorrupsion është sukses për një shoqëri. Ne këtë luftë nuk e bënim dot me forcat tona sepse të korruptuarit që kanë pushtetin dhe kanë qenë në pushtet këto 30 vite i kanë marr masat. Ka qenë i korruptuar pushteti gjyqësor, është konstatuar që politika amerikane me ekspertizën e vet nëpërmjet ONM-së filloi luftën antikorrupsion në qarqet e pushtetit gjyqësor dhe deri më tani kanë dal 6 për qind e pushtetit gjyqësor, si prokuror ashtu edhe gjyqtar që kanë kaluar në sitën e vetingut, atëherë duhet të themi që ishte e pamundur që me atë pushtet gjyqësor që të goditej korrupsioni. Kemi lëvizje në dy rrafshe, në rrafshin e pushtetit gjyqësor, i cili po goditet për të krijuar një pushtet gjyqësor normal dhe të drejtë dhe aspekti i dytë është që kemi në anën tjetër edhe përpjekjet e korrupsionit të lartë shtetëror që po bënë të gjitha përpjekjet për ti shpëtuar rrjetës antikorrupsion, ose reformës antikorrupsion. Këto të dyja janë në kontraditë me njëri-tjetrin. Por, problemi është deri në këto momente se politika amerikane dhe politika ndërkombëtare me anë të ONM-së e cila nuk ka asnjë shqiptar në përbërjen e vet ka krijuar SPAK-un.
-Gjykata e Apelit ende nuk ka dhënë një vendim sa i përket statutit të Partisë Demokratike. Ju duket një vendim që duhet të ishte dhënë?
Gjykata e Apelit në fakt ka një farë të drejte sepse ajo nuk pranon që të bëjë pështjellim shoqëror. Nëse do ta kishte dhënë në favor të Saliut nuk do të kishte pështjellim shoqëror sepse mbështetësit e Alibeajt janë intelektual, por fakti që se jep ka shqetësimin e vet si gjykatë sepse mund të shkel rëndë ligjin dhe që të respektojë ligjin duhet që t’ia jap Partisë Demokratike që është ligjore. Para disa muajsh a u bënë zgjedhjet lokale, si hyri Saliu në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike? Ai doli në koalicion me Metën dhe nxirrte edhe siglën e PD dhe pa thënë fare se është me Partinë Demokratike sepse hynte në burg. Po kë gënjente Saliu, politikën amerikane, apo njerëzit që i venë nga mbrapa. E kuptoni që ai s’ka lidhje juridike me Partinë Demokratike. Dhe e gjitha kjo e ka detyruar gjykatën që të mos flas, por duhet që të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodh.
-Avokat, do doja të ndaleshim pak edhe tek Amnistia Fiskale, ju jeni pro apo kundër?
Unë jam pro, njoh tregun sepse amnistia fiskale është shëndet për tregun dhe pse është një para e cila është evazion fiskal, po do legalizohet do futet në banka dhe pastaj bankat do ta hedhin në treg. Kështu vepron e gjithë bota, sepse evazioni fiskal në Shqipëri ka qenë deri në 60 për qind dhe hedh valutë të fortë në treg.
-Këtë javë, zv/ndihmësja sekretare e shtetit Lisa Johnson, zhvilloi një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja dhe përshëndeti punën e bërë nga SPAK deri më tani dhe arrestimet e ministrave. A është ky një mesazh edhe për të tjerët?
Po sigurisht, sepse i tha qëndro i fortë dhe e kanë ftuar që të shkoj edhe në Amerikë. Kjo do të thotë se procesi antikorrupsion për nivelet e larat po vazhdon me një hap më të fortë në këto momente sepse pati një farë stalacioni për politikën amerikane për shkak të luftës Rusi-Ukrainë dhe në këto momente kur Ukraina tregoi forcë të madhe Rusia do pësojë nga kjo luftë dëme shumë të mëdha, dhe natyrisht që i jep të drejtë politikës që të kthehet sërish tek Ballkani Perëndimor.
-Presidenti amerikan Joe Biden teksa përshëndeti dje hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tha se Shqipëria duhet që të punojë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Si i shihni këtë deklaratë?
Me këtë ai ka dashur të thotë që duhet që të vazhdojë lufta antikorrupsion, krijimi i legjislacionit të ri në funksion të shtetit demokratik dhe rritjen e hapësirës demokratike në funksion të ligjit. Kjo do të ndodh me patjetër sepse për sa kohë e kanë marr ata përsipër kjo do ndodh, por dëmprurësit më të mëdhenj të kësaj ecurie janë të korruptuarit e lartë të Shqipërisë të dyja krahëve, por nuk kanë më forcë.
g.kosovari