Janë fundvitet 1980. Ramiz Alia kish filluar të ndiente frikë, një frikë që dukej se po e mendonte mirë si ta menaxhojë. Shqipëria po jetonte në fund të viteve ‘80 një gjendje të lodhur stanjacioni ekonomiko-shoqëror. Kishin filluar të ndiheshin pasojat e prerjes së ndihmës kineze në 1978. Niveli i jetesës së shqiptarëve ishte ndër më të ulëtit në Europë dhe vazhdoi të binte edhe më poshtë. Pakënaqësia kishte hyrë në të gjitha shtresat shoqërore dhe shfaqjet e padëshirueshme në shoqëri kishin marrë përmasa kritike. Ramiz Alia ishte i vetëdijshëm që situata duhet të ndryshonte dhe vendi kishte nevojë për reforma rrënjësore si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtme. Ai, jashtë çdo dyshimi, pa pyetur më të vetët e dinte që ekonomia e planifikuar ishte krejt e dobët dhe do të vazhdonte të bëhej edhe më shumë. Çdo ditë merrte raporte se njerëzit nuk arrinin dot të ushqeheshin, përkundrazi, po të perifrazonim shprehjet e tyre, nuk arrinin të mbushnin as barkun me bukë. Ora 1:00 e mëngjesit i gjente ata në radhët e gjata të qumështit dhe kosit që tashmë, ishin kthyer në arenë barsoletash të famshme.
Në fund të viteve ‘80, anëtarët e Byrosë politike kishin 131 vila luksoze. Ata shpenzonin miliona dollarë për qëllime personale. Në vitin 1991, duke iu përgjigjur artikullit të një reviste italiane që Hoxhat ishin ndër 300 familjet më të pasura të botës, i biri i E. Hoxhës, Sokoli, i kërkoi ndjesë popullit shqiptar për privilegjet që familja e tij kish gëzuar në të kaluarën, duke mohuar se kishte para ose investime jashtë shtetit. Mbrëmjet e dimrit të viteve ’89-’90 do të ishin mbrëmjet më të ndezura në shpirtrat e brengosur të shqiptarëve të thjeshtë. I tërë vendi po ndiente një turbullirë të brendshme. Pas këtyre a do t’i vinte vërtet fundi bolshevizmit? Gjendja në vend filloi të lëvizte në të dyja drejtimet: për ta mbajtur apo për ta lënë pushtetin? Kush e pengonte shembjen e Murit në Shqipëri dhe cilat ishin rrymat që dominonin në establishmentin e ri të politikës shqiptare? Përse ai dhe shumë të tjerë si ai nuk u përfshi në këtë establishment? Çfarë e bëri atë të kuptonte se nuk mund të ishte pjesë e tij? Sot në një bashkëbisedim krejt të veçantë, një nga protagonistët më intelektualë dhe atipikë në llojin e elokuencës së vet, një prej djemve të dënuar politikisht të ish-Bllokut të udhëheqjes së lartë, avokat Spartak Ngjela, rrëfen historinë e tij të pluralizmit të klonuar shqiptar, nën një optikë tjetër, të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë pendesë fund e krye.
Si ishte jeta në burg? Si arrinit ta kryenit dënimin dhe më pas të dënoheshit përsëri?
Burgu është heqje lirie esencialisht, por mund të jetë dhe vuajtje fizike. Në fakt, duhet të jetë vetëm heqje lirie dhe jo vuajtje fizike. Në Shqipëri ndodhnin të dyja, sepse pjesa kryesore e vuajtjes fizike ishin kushtet ku flije por sidomos ushqimi. Nëse nuk do kishe një familje të të mbante, do ta kishe shumë të vështirë për të jetuar me dietën që të jepte shteti. Ishte si një dietë burgu nga ato të Rajhut, të dobëta jo aq, por nuk mund të jetoje dot normalisht. Pra burgjet kështu kanë qenë. Jeta atje ishte e frikshme, sepse këta të dënonin në burg. E kishin shtuar dhe më tepër presionin psikik ndaj të burgosurit, sepse duke qenë atje mirë e bukur, ti ishte gati duke mbaruar dënimin, kishe bërë 7 vjet burg dhe vetëm kur papritur të merrnin dhe të dënonin dhe me 10 vite të tjera me dëshmitarë të dalë nga burgu. Pra, kishte dhe këtë presion psikik, i cili devijonte karakteret në burg, nxirrte dëshmitarë, kishte spiunë që të spiunonin dhe të ndiqnin. Dhe ishte pothuajse e njëjta situatë sikur ishte dhe jashtë, në kuptimin e presionit psikik ose psikologjik. Por ti duhet të shkëputeshe nga ai ambient. Këtu duhet të tregoje forcën tënde.
Si mund t’ia dilje kur çdo gjë survejohej pranë teje? Jeta jote, shtëpia jote, familja jote?
Duhet të krijoje pozicionin tënd të murgut. E keni menduar ndonjëherë si rri murgu në izolim të plotë gjithë jetën? E bën ai, sepse ka një vokacion. Ai rron për Zotin dhe shkruan e rishkruan, punon ditë e natë ashtu. D.m.th duhet të bëjë jetën e murgut që të shpëtoje intelektin. Nëse do të rrije dhe do të qëndroje brenda stresit permanent të makthit ose të ankthit duke i mbushur mendjen vetes se “unë kam humbur gjithçka”, që “unë s’kam asgjë”, të humbet optimizmi dhe nuk ke jetë intelektuale, d.m.th. ezaurohesh dalëngadalë. Por nëse ia dilje të bëje jetën e murgut, pra nëse ia imponoje vetes një vokacion, një shpresë duke studiuar, duke krijuar apo duke komunikuar me njerëz të ditur, e ruaje lirinë tënde të brendshme dhe kjo është shumë e shëndetshme. Ka një rëndësi të veçantë në ndërtimin e njeriut, koncepti i lirisë. Kryesorja është liria e brendshme. Ai është raporti midis unit dhe vetvetes. Ashtu sikurse, ka dhe një raport tjetër për lirinë, raporti midis unit dhe të tjerëve. Raporti midis unit dhe të tjerëve ishte i pamundur të realizohej jo në burg, por as këtu jashtë. Ai ishte i mbyllur, përfundimisht antiliri, sepse ishe i detyruar të ecje brenda një programi antihuman, pa personalitet, të mos kishe forcë krijuese, nuk të lejohej krijimi ose të lejohej krijimi brenda një refleksioni komunist, ose të totalitarizmit apo politikës shtypëse. Po të krijoje, duhet t’i thurje shtypësit vargje dhe ti nuk duhet të mërziteshe fare për shtypësit. Pra, kjo ishte krejtësisht një normë që do të bënte ty të humbje lirinë tënde interiore, atë liri të brendshme. Kështu ndodh dhe në burg, duhet të ruaje patjetër lirinë tënde interiore. Edhe jashtë, edhe brenda ai që do të duhej të shpëtonte intelektualisht, duhet të ruante lirinë e vet. Por vjen një moment i caktuar që kjo liri e brendshme interiore reflekton te dinjiteti yt. Nëse do ta shkelje dinjitetin, do t’i humbje të gjitha dhe kjo do të duhej të ndodhte edhe brenda edhe jashtë. Atje ishte më e rrezikshme, humbja e dinjitetit sepse ti duhet ta ruaje lirinë interiore për të ruajtur ekzistencën tënde intelektuale, të intelektit tënd krijues ose shkencor, apo dhe historik, d.m.th. duhet të ruaje intelektin tënd që po të vinte një ditë që të rrëzohej ai sistem të mos dilje nga burgu si lypës. Kjo ishte filozofia ime në burg dhe nuk më bënin shumë përshtypje, privacionet sepse burgjet burgje janë kudo. Ne ishim njerëz të cilëve na kishin privuar të drejtën për të thënë mendimin e lirë. Këtë e bëri vetëm komunizmi. Që për një shprehje apo një mendim tëndin kundër regjimit të dënonin me 10 vjet burg. Ky quhet krim verbal.
A quhen ende te ne krime ndaj njerëzimit? Kemi dijeni se Perëndimi i ka quajtur kohë të tilla dënimesh si krime ndaj njerëzimit…
Perëndimi i ka quajtur krime ndaj njerëzimit, kurse ne këtu, ende jo. Këta tanët, donin ta kanalizonin, jo në krim kundër njerëzimit por në ato krimet e tjera të cilat janë më të ngushta, kanë një karakter jo kaq të gjerë sa krimet kundër njerëzimit. Qëndrimi antihuman, antinjerëzor që i bën një pjesë e shoqërisë. Ato ishin vërtet krime kundër njerëzimit, pavarësisht se nuk ishte kohë lufte. Haga duhet t’i kishte marrë të gjithë ata dhe t’i kishte dënuar sot, po nuk i gjeti gjallë. E dyta nuk pati vullnet edhe politika që erdhi më pas.
Si i përjetuat ju, ngjarjet që po ndodhnin në Lindje? Ju ishit të dënuar, çfarë dëgjonit? Cili ishte perceptimi juaj nga ngjarjet që ndodhën më pas edhe në Tiranë në vitet e fundit të ‘80?
Erdhi një moment i caktuar rreth ‘87-‘88 kur ata pranuan ekonominë e tregut, d.m.th. ra sistemi. Kuptohej që ato reforma do të çonin në kthimin e demokracisë liberale të tipit perëndimor. Që këtej do të binte përfundimisht edhe neostalinizmi. Stalinizmi klasik kishte rënë që në vitet ‘56-‘57, tani po binte edhe neostalinizmi ose komunizmi liberal, siç quhej në atë periudhë. Shqipëria kishte pasur fatkeqësinë e madhe që nuk e kishte kaluar komunizmin liberal se nuk e la Enver Hoxha. U shkëput nga bota komuniste dhe këtu u izolua. Por megjithatë po ta shikoje në një optikë politike të thellë duhet të kuptoje që po të binte Moska, binte dhe Tirana. Dhe kjo ishte shpresa jonë. Por çfarë konstatonim? Që Moska po shkonte drejt ndryshimit të sistemit, në Tiranë ruhej më keq.
Nga analizat ekonomike që i bëhej sistemit, kuptohej që buxheti po shkonte në caqet e urisë. Brenda në burg kishte njerëz që e njihnin mirë rezervën dhe konsumin. Të gjithë e dinin që këta po shkonin drejt falimentit. Falimenti ekonomik ata do t’i detyronte të dorëzonin pushtetin ose do t’i kishte vrarë populli. Por kishte gjithmonë një frikë se mund të gjendej një burim financiar i ri. Dhe çfarë konstatonim? Në të gjithë xhepat e vendeve komuniste që nuk po futeshin tamam në rrjedhën gorbaçoviane ishin vende të preferuara të Ramiz Alisë. Reformat gorbaçoviane i shikonim se i jepte dhe shtypi shqiptar. Gazeta “Zëri i Popullit” dhe po ashtu dhe gazetat e tjera i jepnin. Kjo ishte tabloja e cila të bënte herë optimist e herë pesimist. Por në momentin kur unë konstatova se nuk kishte më burim financiar, kishte humbur gjithçka. Unë e dija se e kisha studiuar mirë ekonominë shqiptare që ishte ineficente. Këta thashë, do të dorëzohen nga mungesa e burimeve ekonomike dhe ashtu shkoi. Reformat gorbaçoviane nuk e linin të afrohej te Moska, vendet që rezistuan humbën dhe ranë. Çekosllovakia, Rumania apo dhe Gjermania Lindore. Këtij nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të shpëtonte veten nëpërmjet të vetëve në Shqipëri.
Çfarë bëtë ju në këtë fundviti ‘89, ju që ishit në burg? Organizohej diçka apo secili në kokën e vet po planifikonte diçka të vetën? A kishte organizime?
Natyrisht ne nuk e dinim këtë që do të them unë, por po të shkosh të hapësh analet, Ramiz Alia mbledh Byronë Politike dhe i thotë: kam vetëm 6 milionë dollarë. Pasi kishin ngrënë gjithë rezervën e arit, pasi kishin mbaruar gjithë rezervën e mallrave që kishin, Xhelil Gjoni u thotë: ne do na vrasin, do na varin, duhet dorëzuar pushteti. Atë po bëj, i thotë Ramiz Alia. S’kishte nga ia mbante më. Ishte në faliment dhe në Shqipëri nuk u dorëzua komunizmi, falimentoi hoxhizmi. Enver Hoxha falimentoi me regjentin që kishte nxjerrë për kryetar partie. Nuk dinte asgjë nga ekonomia. Nuk kuptonte asgjë nga zhvillimi. Nuk dinte gjë fare që këtu komunizmi po binte nga varfëria. Edhe në Rusi prandaj ra. Enver Hoxha e kishte vrarë elitën politike e cila mund ta kishte shpëtuar gjendjen e tij, por Enver Hoxha, nuk donte ta shpëtonte gjendjen duke goditur figurën e tij. Sistemi komunist i vendosur në Shqipëri nuk mund të shpëtonte dot po të mos godisje Enver Hoxhën. Këtu ishte rrethi vicioz ku mbeti Ramiz Alia. Pra nuk kuptohet se çfarë ndodhi në psikikën e këtyre njerëzve, por ata nuk kishin mundësi të bënin reformën.
Çfarë ndodhi pas janarit të vitit 1990? Cilat ishin ngjarjet më të rëndësishme politike?
Nxori opozitën. Ramiz Alia tentoi të krijonte opozitë fiktive, me pluralizëm mendimi, sepse nuk e pranonte Perëndimi. Më vonë iku në Amerikë dhe takoi Xhorxh Bushin e parë, Bushin plak. Ai që rrëzoi komunizmin. E ka takuar në shtator të ‘90. Bushi ia ka thënë hapur, “dua pluralizëm” brenda dhjetorit, ndërro sistemin. Dua pluralizëm politik”.
Ishte mbledhja e OKB–së dhe Ramiz Alia nuk shkoi kot. Pra, kishte presion amerikan pas këtyre zhvillimeve. “Zëri i Amerikës” ishte një ingredient shumë i fuqishëm në ngritjen e valës antikomuniste-hoxhiste në Shqipëri. Gjithë Tirana, gjithë Shqipëria dëgjonte “Zërin e Amerikës”. Ai nuk përmbante vetëm politikë, ky stacion radiofonik bënte politikë direkte, merrte Fatos Nanon, Gramoz Pashkon. “Zëri i Amerikës” vazhdimisht krijonte një frymë disidence në Shqipëri. Dhe kishte një gjë interesante se në momentet kur vjen kjo kohë, Ramiz Alia la dhe 6 linja telefonike, jo më shumë. Që të lidheshe direkt nga telefoni yt, me Amerikën. Dhe kjo ishte arsyeja që “Zëri i Amerikës”, i merrte këta në telefon se ndryshe përpara nuk merrje dot në telefon.
Si je ndier me pluralizmin e parë shqiptar? Çfarë mendimi ke për të?
Pluralizmi politik ra si një vetëtimë në qiell të pastër në burg. Unë nuk e prisja aq shpejt. Ne dëgjonim RAI-n në atë kohë dhe ishim në Kosovë të Lushnjës në burg. Më mbaronte dënimi për gati një muaj. Dhe dëgjova gazetarin e RAI-t kur tha se studentët erdhën deri te Liceu Artistik. Kjo ishte shenja më e madhe. Atëherë qe një gjë interesante në burg. Na erdhi lajmi që studentët mezi po presin që sa të shkojnë në Tiranë të bëjnë protestë. Unë nuk e besova, por lajmet vinin nga familjet. Unë e kisha mbyllur historinë e burgut se unë lirohesha diku nga nëntori. Pastaj më thanë do dalësh më 11 shkurt dhe dola në datë 11 shkurt. Të them të vërtetën nuk shikoja një hapësirë kaq të madhe që brenda një muaji mund të ndodhte ndonjë ndryshim kaq drastik. Se do vendosej pluralizmi politik, do të krijohej ndonjë parti opozitare, të dilte qoftë dhe një gazetë opozitare dhe as madje gazetën opozitare në atë kohë, “Rilindjen Demokratike”. Sepse nuk shihnim asnjë lider, nuk shikonim verb politik, por kishte vetëm akuzë. Kishte goditje dhe të mendosh që ishte vetëm fillimi. Pas burgut kur i takova unë të gjithë këta, e kuptova unë. Ata ishin të gjithë nën një ngërç të plotë. Një ngërç që kuptohej se e kishin nga regjimi dhe natyrisht s’mund të ishin aq kurajozë, sepse tigri ishte pa dhëmbë, por ishte gjallë. Sapo dola nga burgu, e kuptova unë se Ramiz Alia ka akses mbi PD-në. E dija unë këtë, sepse unë kisha njerëz që m’i thoshin. Moshatarët e mi i dinin gjërat dhe ata thanë ka akses Ramiz Alia dhe ai ka besim tek ata. Por politika nuk të pyet, ki besim sa të duash, po të përmbysi mbaron interesi yt dhe fillon interesi im. Duhet të jesh ti i fortë, që të mbetem unë punonjësi yt. Se këta kur u forcuan i futën shkelmin.
Pse nuk të mori Ramiz Alia të të përfshinte në klasën e re politike që po lindte në Shqipëri, gjatë viteve ‘90?
S’mund të më merrte mua. Ai mori këta, jo vetëm që mori këta, por nuk më lejoi deri në fund. Ramiz Alia nuk mendonte se do rrëzohej nga regjimi derisa u rrëzua. Dhe priste që të ndërronte gjendja në Moskë. Ky nuk do ndryshonte, nëse sistemi atje nuk do të binte. Me një kundërshtar real nuk e ndryshonte dot sistemin ai. Ai vuri të vetët në mënyrë që kur të binte Moska se e priste me ditë, të vinte sërish në fuqi. Por në Moskë ndodhi grushti i shtetit, dhe ai nuk fitoi. Në momentin kur u rrëzua Ramiz Alia i humbi shpresat, nuk kishte më çfarë të drejtonte. Te Qeveria e Stabilitetit ai është prishur me Saliun. Nuk e donte prishjen ai të Qeverisë së Stabilitetit. Këtu vjen prishja e tij e parë me Berishën dhe pastaj secili sheh interesin e vet.
Çfarë mendon për procesin e dekomunistizimit në Shqipëri? A ka gjasë të kryhet shpejt?
Procesi i dekomunizimit duhet të ishte proces i dehoxhizimit në Shqipëri dhe ai nuk është bërë. Po nuk u hapen analet historike nuk bëhet, sepse janë vetëm fjalët, janë vetëm dëshmitë. Ka dy filozofikisht, është memoria dhe dëshmia. Kjo jetë ecën me dy ingredientë. Memoria si rregull është e shkruar, dëshmia është e treguar. Këtu ne kemi vetëm dëshminë dhe s’po pranojmë që të na vijë në ndihmë memoria. Memoria është shkresa e shkruar. Është vërtetimi i faktit kurse dëshmia është tregimi faktit prandaj nuk është bërë lustracioni, sepse Enver Hoxha është fshehur. Sigurimin e shtetit, burgjet i ka krijuar ai të gjitha, do e shikoni kur të hapen analet. Del gjithandej Enver Hoxha, ju garantoj unë për këtë se e unë di mirë se si e ka drejtuar ai vetë, me dorën e tij. Kush i pyeste ministrat, ata ishin të gjithë nëpunësit e tij. Enver Hoxha fillonte punën me buletinin e Sigurimit të Shtetit. Njihte të gjithë agjenturën, i dinte të tëra. Gazeta Shqip/ Monika Stafa