Në një rrëfim të gjatë dhe ndryshe nga zakonisht në “Grida Duma Podcast”, Spartak Ngjela ndau pikëpamjet e tij për dashurinë, gratë dhe mënyrën si ndërtohen marrëdhëniet, duke prekur edhe raportin me familjen dhe mungesën e një pasardhësi.
Sipas tij, baza e çdo lidhjeje nuk është thjesht tërheqja fizike, por komunikimi. “Kryesorja është fjala në dashuri. Leri puthjet dhe shtratin, ato janë tjetër gjë”, u shpreh ai, duke shtuar: “Si bëni dashuri me telefonin? Si qan ajo në telefon nga dashuria që impon ti?”.
Në këtë linjë, ai u ndal edhe te lidhja nënë–fëmijë dhe instinkti i lindjes, duke e konsideruar atë një përvojë që nuk mund të krahasohet. “Dhimbja e lindjes është sakrificë që e zmadhon dashurinë për fëmijën”, u shpreh Ngjela, duke shtuar se kjo është një ndjesi që burri nuk mund ta përjetojë në të njëjtën mënyrë.
Sa i përket jetës së tij personale, ai theksoi se nuk ka lënduar asnjëherë një grua. “Marrëdhëniet e mia kanë pasur mobilitet permanent. Por nëse nuk respektoj atë që kam, humbas personalitetin tim”, u shpreh ai.
Në fund, Ngjela iu referua edhe Friedrich Engels, duke theksuar se marrëdhënia në çift ka vlerë vetëm kur mbështetet te dashuria. “Martesa pa dashuri nuk vlen. Nëse ajo ikën, ndryshon gjithçka”, përfundoi ai.











