Nga Bajram Peçi
Ardhja e Donald Trump në krye të pushtetit të presidentit të Shteteve të Bashkuara ka tronditur, ashtu siç pritej në Europë e më gjerë, themelet e një rendi politik të kalcifikuar dhe përgatitet të trondisë shpejt edhe rendin ekonomik. Bota demokratike ka mbajtur frymën dhe pret…!
Prej shekujsh njeriu, ndonëse e ka ditur se ne nuk jetojmë në një botë të ndalur, por në një botë në lëvizje të parreshtur, ka ngelur e stepur para lëvizjeve të Trump. Në planet e tij të shpallura kërkohet që Kanadaja dhe Greonlanda t’i bashkohen si njësi federative (qoftë dhe përmes pushtimit) Shteteve të Bashkura të Amerikës; Kanali i Panamasë do iu rikthehet atyre, nëse…!?; Gaza do zbrazet, banorët palestinezë do deportohen në vënde të tjera dhe USA do marrë kontrollin e saj; afron paqe në Ukrainë…nuk e ka thënë deri tani si, përpos përmendjes së çmimit të naftës, por Europa dhe Ukraina kupton pozicionin në dobi të Rusisë e shoqëruar ndoshta me prerjen e ndihmave…!?; do vendosi tarifa mallrash 10 deri 25 % për Meksikën, Kanadanë, Kinën, Europën, Gjermaninë në veçanti! Ndërkohë, i ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga OBSH dhe ka sanksionuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Të gjitha këto janë ekuivalente me një revolucion botëror.
Në këtë lëmsh, shtetet, ashtu si njeriu, duhet të jenë ndërtuesi i fatit të vet, sepse janë ata që do paguajnë “reformat” e Trump. Mbijetesa varet nga aleancat dhe të qenit i kthjellët për situatat. Aleancat janë e do jenë të diktuara nga “Të mëdhenjtë”. Janë ata që ruajnë rendin dhe po ata që e prishin rendin, të cilët, çdo njeri prej tyre, USA, Kina, Rusia, momentalisht notojnë në planet ogurzeza të armatosjes për t’u përballur njëherë e mirë.
Në epokën e luftës së ftohtë, për shkak të zotërimit prej palëve të armatimit bërthamor, dukej se konflikti ishte i pamundur. Edhe paqja, që dukej e pamundur, me rënjen e sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik, u duk si mundësi, që u shoqëruan me një varg marrëveshjesh mes palëve. Ndërmjet tyre ishte dhe zbrazja prej armëve bërthamore e Ukrainës, me detyrimin e palëve Rusi-SHBA-Europë për të mbrojtur pavarësinë e saj. Ishte menduar dhe besuar në Perëndim se kish lindur një Rusi e re, gjë që përfundoi me një zhgënjim të plotë kur fillimisht u pa se në Moskë nuk po ndodhte më rinovimi i lidershipit dhe më tej, kur agresiviteti rus ndaj fqinjëve Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi, u shfaq si imperializëm. Në kokën e nxehtë të Putinit e gjeneralëve të tij shihet të ziej kujtimi i carizmit imperial.
Rendi Botëror lidhet me vizionin e Woodrow Wilson për paqen ndërkombëtare. Ishte koha e pas Luftës së Parë Botërore kur ai bëri thirrje për një Lidhje të Kombeve për të parandaluar agresionet dhe konfliktet. Ai, atëbotë, iu referua planeve të fuqive të mëdha për dominimin e botës. Në fund të Luftës së Ftohtë, Presidentët Mikhail Gorbachev dhe George H. W. Bush e përdorën termin e Rendit Botëror në përpjekje të sinqerta për të përcaktuar natyrën e epokës së pas Luftës së Ftohtë dhe frymën e bashkëpunimit të fuqive të mëdha, që ata shpresonin se mund të materializohej me qetësi e paqe.
“Lufta për t’i dhënë fund të gjitha luftërave” për një rend të ri botëror që kapërcen politikat tradicionale të fuqive të mëdha, duke theksuar sigurinë kolektive, demokracinë dhe vetëvendosjen, krijuan aleancat e sigurisë euro-amerikane si NATO; krijuan sistemin Bretton Woods, atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim; krijuan për zhvillimin e kulturës demokratike USAID-in. Madje, edhe Doktrina Truman dhe Plani Marshall, tashmë nga largësia 80 vjeçare shihen si zhvillime të karakterit që përfshinin këtë rend të ri.
Ideali i një bote pa luftë, në të cilën ligji dhe rendi buronin nga një organ botëror qeverisës, shihet qartë se ka rënë. OKB dhe Këshilli i Sigurimit janë shndërruar para fuqive të mëdha e për shkak të tyre në sheshe konfliktesh e mosmarrëveshjesh, që nuk garantojnë dhe as janë të zonjat të ruajnë paqen! Ishte Rusia, një nga katër të mëdhatë, e detyruar nga marrëveshjet ta mbronte Ukrainën, ajo që e sulmoi atë, me qëllim pushtimin. Kanë qënë e janë pushtuesit ata që vendosin veton në mbrojtje të interesave të tyre apo dhe në kompromise.
Ne e dimë tashmë se një njeri i tillë si Trump, duke e konsideruar veten si një lajmëtar të Zotit, shfaq e përdor forcën e shtetit që udhëheq dhe fshin nga rruga të gjithë rendin botëror si demonstrim të vullnetit të tij. As më pak se shprehja e famshme e Luigjit të XIV, të Francës “L’Etait c’est moi”, që do të thotë “Shteti jam unë”. Do ndodhë vërtet kështu, nëse gjykatat amerikane nuk e ndalin!
Gabimet e njerëzve me pushtet të fuqishëm janë të tmerrshme. Prej tyre rrjedhin pasoja jo vetëm pse bëhen mendime për lakejtë që mbajnë pranë si administratë e këshilltarë, por se bëhen vepra. Të deportosh një popull ka ngjarë dhe bota e ka përjetuar dhimbshëm. Lindja e Mesme ndodhet prej kohësh në konflikt ngase fillimisht ishin hebrejtë u përzunë prej atdheut të tyre nga pushtuesi romak; Prusia Lindore, teutonët e lashtë gjermanë u shpërngulën me miliona pas Luftës së Dytë Botërore; ne shqiptarët kemi përjetuar genocidin grek dhe deportimin e popullsisë të krahinës shqiptare të Çamërisë. Në rastin e Këninsbergut bëhej fjalë për një popull që kish humbur luftën dhe nuk kishin asnjë aleat t’i mbronte. Në rastin e Çamërisë, shteti amë, Shqipëria e vogël dhe e rrënuar nga lufta, as që bëhej fjalë se do t’i dëgjohej zëri, por në rastin e Gazës palestineze mbrapa saj qëndrojnë bota arabe dhe shtete që kanë në dorë mbi gjysmën e burimeve energjitike botërore.
Me dy nga fuqitë e mëdha, Rusinë e Kinën, Shqipëria i ka prishur prej kohësh miqësitë dhe diktuar prej politikave që ndjekin, nuk ka gjasa që të ndodhemi nën ombrellën e tyre. Me të drejtë, zgjedhja jonë prej fillimit të viteve ’90 kanë qënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria dhe shqiptarët janë populli më proamerikan në botë, me gjasa edhe me shumë se Izraeli. Është e kuptueshme pse?! Askush nuk di deri tani se cili do jetë qendrimi i aleatit tonë strategjik në marrëdhënie me Shqipërinë e shqiptarët? Ajo që dimë është vetëm deklarimi publik i të besuarit të Trump, Richard Grenell, kundër kryeministrit Kurti të Kosovës, si njeri të cilin Amerika nuk e beson.
Rrethanat janë ende shpejt për të parashikuar. Duhet pritur deri pas 14 shkurtit, kur në Konferencën e Sigurisë së Mynihut presidenti amerikan Donald Trump shpresohet se do të paraqesë një plan për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Të fitojë Rusia do të thotë për ne fitore e Rusisë ballkanike-Serbisë.
“Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme”- ka thënë dikur shtetari Sharl De Gol. Neutraliteti për ne nuk besoj se vlen, s’mund të kemi asnjanësi, jemi të dënuar të qëndrojmë lidhur pas Shteteve të Bashkuara, përpos rastit kur jemi pranuar në BE (nëse ndodh) dhe BE-ja është në kundërshti politike dhe ekonomike me amerikën. Nëse kjo nuk ndodh, kryqëzimi i duarve prej shtetarëve shqiptarë as duhet menduar! Dy shtetet shqiptare në Ballkan, së pari, duhet të integrojnë sjelljet mes tyre; së dyti, të gjejnë mirëkuptimin për aleancat që ju duhen, duke qetësuar kokat e tyre “të mëdha”, që askush nuk di të thotë pse vijojnë të jenë të nxehta?!
Otto von Bismarck, kancelari i Rajhstagut të Gjermanisë, ka shqiptuar para një konference ndërkombëtare më 16 prill 1869: “Zotërinj, ne as nuk mund ta injorojmë historinë e së kaluarës dhe as të krijojmë të ardhmen. Dëshiroj t’ju paralajmëroj për gabimin që i bën njerëzit të çojnë përpara akrepat e orës së tyre, duke menduar se në këtë mënyrë ata po e përshpejtojnë kalimin e kohës. Ndikimi im në ngjarjet nga të cilat kam përfituar është zakonisht i ekzagjeruar; por askujt nuk do t’i shkonte ndërmend të kërkonte që unë të bëja histori. Unë nuk mund ta bëja këtë as në bashkëpunim me ju, … Ne nuk mund të bëjmë histori”. Dy dhjetëvjeçarë pas këtij shqiptimi, gjyshi i presidentit të tanishëm amerikan ishte larguar me dëshirë nga Gjermania (nuk e përzuri askush) dhe ndërtonte jetën për familjen e tij në Botën e Re, në Botën e Lirë, republika federale e të cilës ka qënë idhull për gjithë popujt e botës.